
Partia Demokratike kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qarkun e Beratit, ku PS mori 5 mandate dhe PD 2. PS sipas PD e mori mandatin e 5-të me 77 diferencë nga LSI, kur vetëm vota të pavlefshme janë 5292.
Përfaqësuesi i PD në KAS akuzoi se kandidatët e PS, kanë ngritur një skemë kriminale të blerjes së votës me 50 mijë lekë për person.
"Kryesuesja e listës së Beratit, Hatixhe Konomi, në bashkëpunim me drejtuesin e njësisë administrative 1 në Berat, njëkohësisht kunat i saj, Mirel Konomi, kanë shpërndarë 50 mijë lekë për vitë, kupona për karta identiteti dhe 30 mijë lekë plus kuponit. Për identifikimin e tyre kanë përdorur rregjsitrin e Gjendjes Civile, që është përdorur në masë për zbarimin e kësaj skeme kriminale për blerjen e votave", thanë përfaqësuesit e PD.
Në lidhje me Nasip Naçon, PD tha në KAS se i katërti në Qarkun e Beratit për PS ka blerë vota me 50 mijë lekë në komunën Velebisht, në bashkëpunim me Lorenc Toroveli, të gjithë këta të kallëzuar në SPAK.
“Partia Demokratike ka denoncuar në mënyrë të vazhdueshme faktin se në zonën zgjedhore Qarku Berat nuk kishte përballë saj një parti politike dhe kandidatët e saj që garonin me një ofertë politike, por pushtetarë që vepronin si grupe të strukturuara kriminale që blinin vota, kërcënonin qytetarët, intimidonin nëpunësit publikë, shpërndanin leje legalizimi/ndërtimi, licensa dhe shpërblime të ndryshme”- u shprehën përfaqësuesit e PD në kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve në Qarkun e Beratit.