Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e bërë nga ish-deputeti Ervin Salianji, duke e lënë në burg.Pas vendimit, ai reagoi me anë të një postimi në rrjetet sociale, duke u shprehur se nuk ishte aspak i habitur.
“Nuk jam i habitur nga vendimi i Gjykatës së Lartë.
Lënia në fuqi e një ndëshkimi të nxitur, kërkuar dhe stisur nga Edi Rama, i draftuar prej tij, i lajmëruar prej tij në Parlament, i mbrojtur me zjarr prej tij, është rruga e shkurtër dhe komode që Gjykata e Lartë zgjodhi sot. Nuk kanë etikë profesionale dhe as guximin minimal për të dhënë drejtësi e për të hyrë në konflikt me Edi Ramën.
Kjo është një vijë sjelljeje.
Nëse Gjykata e Lartë do të ishte garanci për të drejtën, do të ishte garanci për një proces juridik të rregullt e të ligjshëm; as gjykatat më poshtë nuk do të guxonin të firmosnin farsat që firmosën.
Dënimi im politik bëhet për të më eliminuar nga beteja politike!
Në çdo përballje, e kam mundur Edi Ramën dhe shpurën e tij. Më e fundit në Kavajë, në fitoren e bashkisë, e kudo tjetër.
Dënimi im politik është kërcënim i hapur për cilindo që lufton krimin, korrupsionin dhe mafien e veshur me pushtet.
Dënimi im politik është një mbështetje e hapur ndaj mafies dhe trafikantëve ndërkombëtarë. Koha e zgjedhur për të dhënë vendimin, një ditë para shpalljes së listave, është po ashtu një mesazh kërcënimi për këdo që guxon e flet të vërtetat!
Në këto kohë parade turpi, kohë aferash të rënda financiare, unë jam me zero korrupsion, zero akuzë për asnjë qindarkë. Ndaj, burgosja për denoncimin, për fjalën, është një medalje.
Jam krenar për betejat e mia në interes të njerëzve. Kam zgjedhur që në fillim luftën e pakompromis dhe qytetarët më kanë mbështetur për këtë.
Gjykimet ndaj meje do të hyjnë në turpet historike të kauzave gjyqësore, si rast i përdorimit të drejtësisë për hakmarrje personale nga Rama dhe Xhafaj.
E nisën duke paguar dëshmitarë të sajuar, u kapën në përgjime drejtorët e policisë duke paguar dëshmitarin e sajuar, manipuluan në gjykata duke caktuar gjykatës si fillim ushtarë të Aldo Bares, më pas me kunatën e Belinda Ballukut dhe ish-përfaqësuesin e PS në KQZ, dhe sot duke manipuluar shortin në Gjykatën e Lartë. Zëvendësuan trupën gjyqësore dhe lanë për të më gjykuar ish-ministrin e Drejtësisë të Partisë Socialiste dhe një komunist, birin e ish-drejtorit të dëbimit dhe internimeve dhe ish-sekretar të parë!
Nuk janë këto institucionet që meritojmë, nuk janë shtet i së drejtës dhe as sundim i ligjit.
Për cilindo që shqetësohet, i them ta marrë paradhënie dhe zvarritjen dhe vendimin kundër në Gjykatën Kushtetuese, dhe më pas do të shohim se si do të jetë e drejta në Strasburg.
Unë do të luftoj dhe do ta kërkoj të drejtën deri në fund. Shqipëria do të jetë një vend më i mirë kur të ketë drejtësi, kur Gjykatat do të kenë kurajon të japin drejtësi edhe kur kjo nuk i pëlqen autokratit.
Ky vend i mirë mund të duket utopi, por nuk është e largët dita kur dhe për drejtësinë fjalën e madhe do ta kenë qytetarët.
Pavarësisht se nga izolimi, së bashku do të luftojmë për një Shqipëri të denjë dhe normale, ku sundon ligji! Personalisht zgjedh betejën dhe jo qurravitjet!
Nderin dhe respektin e qytetarëve e kam fituar unë; turpin dhe neverinë e hanë me korrupsionin e përditshëm “të burgosurit” e autokratit, që nuk kanë as ndërgjegje dhe as guxim të shkojnë as në tualet pa lejen e tij!”, shkruan Salianji.