Në Parlamentin Europian po mbahet seanca në lidhje me të ardhmen e sigurisë së Evropës dhe forcimin e aftësive mbrojtëse të BE-së.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, ka deklaruar se paqja nuk mund të merret më si një fakt i mirëqenë.
"Paqja nuk mund të merret më si e mirëqenë dhe rendi evropian i sigurisë po tronditet dhe shumë nga iluzionet tona po shkatërrohen. Ne po përballemi me një krizë të sigurisë evropiane. Por ne e dimë se Evropa është ndërtuar gjithmonë në kriza. Pra, kjo është koha për paqe përmes forcës. Është koha për një mbrojtje të përbashkët. Më shumë guxim do të nevojitet në javët dhe muajt e ardhshëm. Dhe zgjedhjet më të vështira na presin. Koha e iluzioneve ka mbaruar”, ka deklaruar von der Leyen.
Referuar planit të shpallur së fundmi të Komisionit për ReArm Europe, Von der Leyen tha se BE duhet të rrisë dhe përshpejtojë prodhimin e saj të mbrojtjes dhe se pjesa më e madhe e financimit për këtë mund të vijë vetëm nga vendet anëtare. Ajo tha gjithashtu se investimet duhet të përqëndrohen në prokurimet e përbashkëta për të mbështetur industrinë e mbrojtjes të Evropës.
Shumica e liderëve të grupeve politike riafirmuan mbështetjen e kahershme të Parlamentit për një siguri më të fortë të BE-së dhe mirëpritën diskutimet e fundit të Këshillit Evropian që lëvizin në këtë drejtim. Shumë eurodeputetë mbështetën propozimet e fundit të Komisionit Evropian për të nxitur industrinë e mbrojtjes evropiane, për të forcuar kufijtë e BE-së dhe për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës përballë agresionit brutal të Rusisë.
Ndërsa plani i Rearm Europe shënon një hap të rëndësishëm përpara, disa eurodeputetë theksuan rëndësinë e përqendrimit në një strategji afatgjatë të përbashkët të mbrojtjes që merret me sfidat aktuale dhe të ardhshme përgjatë kufirit lindor të BE-së dhe më gjerë. Disa folës shprehën shqetësime në lidhje me përdorimin e nenit 122 të Traktatit të BE-së për miratimin e ReArm-it, i cili do të përjashtonte Parlamentin nga procesi i vendimmarrjes dhe paralajmëruan Komisionin kundër mbështetjes së tepruar në dispozita të tilla emergjente.
Për të mbrojtur sovranitetin e BE-së, disa eurodeputetë theksuan rëndësinë e rritjes së konkurrencës dhe autonomisë strategjike, dhe sigurimin e aksesit të pavarur në lëndët e para kritike dhe burimet e energjisë.