Serbia dhe Rusia do ta kryejnë një hetim të përbashkët për atë se si municionet e prodhuara nga Serbia arritën në Ukrainë, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Moska e akuzoi Beogradin të enjten për furnizimin e Kievit me armë.
Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) e akuzoi Beogradin për “thikë pas shpine”, duke thënë se prodhuesit serbë të armatimit po shisnin municione dhe armë në Ukrainë.
“Ato [shitjet e armëve] kanë një qëllim të qartë – të vrasin dhe plagosin personelin ushtarak rus dhe popullsinë civile”, thuhet në një komunikatë të SVR-së të publikuar në faqen e saj zyrtare të enjten.
SVR-ja pretendoi se Serbia dërgon armë në Ukrainë përmes ndërmjetësve të NATO-s, duke përfshirë Republikën Çeke, Poloninë dhe Bullgarinë, si dhe disa vende afrikane.
Serbia vazhdon ta ruajë një baraspeshë midis lidhjeve historike me Rusinë dhe Bashkimin Evropian.
Beogradi e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, por deri më tani nuk ka pranuar t’i bashkohet Perëndimit në sanksionimin e Moskës.
Vuçiq tha për televizionin shtetëror, RTS, se kishte biseduar për eksportet e armëve serbe në Ukrainë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij në Moskë më 9 maj dhe i mohoi disa prej akuzave të SVR-së.
“Ne kemi krijuar një grup pune, së bashku me partnerët rusë, për t’i zbuluar faktet. Disa nga gjërat që janë thënë nuk janë të vërteta”, tha Vuçiq për RTS-në të enjten mbrëma.