Aktorja e njohur Valerie Mahaffey, e cila u bë e famshme me rolet e saj në seriale si “Desperate Housewives” dhe “Young Sheldon”, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare pas një beteje me kancerin.
Lajmin e trishtë e konfirmoi publicistja e saj, duke thënë se Mahaffey u nda nga jeta të premten në Los Angeles. Ajo la pas bashkëshortin, aktorin Joseph Kell, dhe vajzën e tyre, Alice.
“Kam humbur dashurinë e jetës sime dhe bota një aktore të rrallë,” u shpreh bashkëshorti i saj për mediat amerikane.
Karriera e Valerie Mahaffey zgjati më shumë se 40 vite dhe përfshinte rolet e saj të paharrueshme në produksione si “Northern Exposure”, ku fitoi edhe një çmim Emmy, “Dead to Me”, “French Exit”, “Sully” dhe shumë të tjera.
E lindur në Indonezi, Mahaffey ishte rritur në SHBA dhe kishte filluar rrugëtimin e saj artistik në Broadway, përpara se të kalonte në ekranin e madh dhe televizion.
Homazhe të shumta janë bërë në rrjetet sociale, ndërsa vajza e saj Alice, e cila ndjek gjithashtu rrugën e aktrimit, shkroi një mesazh prekës:
“E di që do të të kërkoj në çdo moment të bukur të jetës. Të dua pafundësisht.”