Mbretëresha Máxima e Holandës, tërhoqi vëmendjen në Samitin e NATO-s që u mbajt në Hagë, me paraqitjen e saj elegante dhe zgjedhjen e guximshme të ngjyrës së veshjes.
Teksa e shoqëronte bashkëshorti i saj, Mbreti Willem-Alexander, çifti mbretëror mirëpriti liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s në pallatin Huis ten Bosch në Amsterdam.
Në mesin e të ftuarve ishin Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrtra nga vendet e tjera të botës, mes të cilëve dhe kryeministri ynë Edi Rama.
New York Post shkruante në një artikull se kjo është hera e parë që Holanda pret një Samit të NATO-s. Mbretëresha, me origjinë argjentinase dhe e njohur për ndjeshmërinë e saj ndaj stilit, kishte zgjedhur një jumpsuit ngjyrë jeshile të hapur nga Natan Couture.
Një stoli me diamant nga koleksioni personal i Mbretëreshës Emma zbukuronte një nga supet e saj, ndërsa pamja kompletohej me vathë të spikatur dhe taka të larta nga Gianvito Rossi.
Në krah të çiftit mbretëror ishte edhe vajza e tyre 21-vjeçare dhe trashëgimtare e fronit, Princesha Catharina-Amalia, në paraqitjen e saj të parë publike pas një aksidenti gjatë kalërimit. Ajo kishte zgjedhur një fustan të gjatë të zi nga Ralph Lauren.
Pas ceremonisë së pritjes, liderët e NATO-s pozuan për fotografinë zyrtare familjare, përpara se të darkonin me çiftin mbretëror në sallën madhështore Oranjezaal të pallatit.