Marrë nga libri “Në kërkim të zgjedhjeve të humbura”, botim i UET Press 2012
(vijon nga numri djeshëm )
Nga Preç Zogaj
Lajmin e parë për një vrasje ma dërgoj me sms Mero Baze. “Më duket e vranë njërin”. Këto fjalë shuan pamëshirshëm shijen e shakave që kishim shkëmbyer disa minuta më parë. I shikoja në ekran dhe më bëhej se celulari që mbaja në dorë ishte rënduar papritur. Unë kisha një mandatë në celularin tim. Çuditërisht në shtabin e PS-së nuk kishin asnjë lajm për vrasje. Rreth orës 16.40, në një deklaratë për mediat në hollin e selisë rozë Rama thejsht denoncoi përdorimin e armëve të zjarrit nga Garda. Njëkohësisht me deklaratën e tij, apo kur sapo e kishte lexuar në titrat e televizionit News 24 dolën njoftimet e para për të vrarë dhe të plagosur, që po asistoheshin në spitalin ushtarak. S’kaluan as dy-tre minuta dhe ja, gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë, shefi i urgjencës së spitalit, Sami Koçeku, konfirmoi se kishte për momentin dy qytetarë të vrarë dhe disa të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë. Duke përshkruar plagët e të vrarëve, ky mjek shtoi se armët që i kishin shkaktuar “duhet të jenë armë të një fuqie të vogël; do të thotë se janë qëlluar nga afër me pistoleta të vogla”. Dalja e tij në rolin e një eksperti armësh binte erë të keqe. Duhej pritur për të kuptuar në çfarë roli ishte dhe kujt ia kishte hedhur topin drejt e nga spitali.
Ekranet i kishte pushtuar hutimi dhe zija. Dukej sikur me të vrarët e demostratës ishte vrarë edhe fjala. Por fjala doli furishëm pikërisht prej andej nga s’pritej tëdilte në atë moment. Nga kryeministria. Sali Berisha u shfaq para mediave me një pamje të sertë e të pezmatuar. Bulevardi para selisë së qeverisë ishte larënme gjak për herë të parë gjatë njëzet vjetëve të hapjes demokratike të Shqipërisë. Ai kishte qenë në zyrë kur poshtë xhamit të dritares së tij ishin vrarë demostrues opzitarë. Për shkak të postit dhe vendndodhjes, ai nuk mund të hiqej dorëjashtë për vrasjet. Edhe po të ishte vërtetë dorëjashtë. Nuk mund ta ndante fatin e tij nga jetët e shuara me plumb në një tip demonstrate popullore që vetë ai e kishte modeluar e frymëzuar sa e sa herë kur kishte qenë në opozitë. E mendoja të tronditur dhe të alivanosur në karrigen e tij, mbështjellë me vellon hijerëndë të dhimbjes, remordit dhe zisë për të vrarët që ishin nënshtetas të vendit të tij. Ndoshta nuk kam gabuar qysh prej fillimit me përfytyrimet e mia. Ndoshta Sali Berisha ishte shokuar vërtetë kur ishte informuar për të vrarët. Por pastaj, në vrulllin e shvlerësimit të çdo gjëje përpara karriges dhe karrierës, kishte marrë vendimin e mohimit të vrasjeve nga oborri i selisë kryeministrore.
Akuzoi opozitën se kishte organizuar “një skenar puçist, skenarin tunizian” dhe tha: “Të dhënat paraprake të ekspertëve dhe mjekëve të reanimacionitj anë se ata janë gjuajtur me armë të lehta. Por kjo do të faktohet shumë thjesht sepse në të gjitha rastet plumbi nxirret, ka qenë aq i dobët sa nuk i ka përshkuar dot shtresat. Madje thuhet, por do të shohim, se janë me silenciatorë. Këto janë të dhënat e deritanishme që akuzojnë direkt skenaristët…”.
U muar vesh kujt ia kishte hedhur apo kthyer topin shefi i urgjencës së spitalit ushtarak. I doli koka intrigës. Të vrarët dhe të plagosurit ishin qëlluar pra nga brënda demostratës, me armë të vogla dhe silenciatorë, nga killer të paguar, sipas një skenari makabër të organizatorëve të protestës, me qëllim që të akuzonin kryeministrin si gjakderdhës për të justifikuar eliminimin e tij.
Të luante mendja ta dëgjoje. Vetëm një kryeministër në lëmshin tokësor ia lejonte vetes të fliste para popullit të tij, në një mbrëmje të përgjakshme të historisë, me “thuhet” dhe këto që “thuheshin” t’i konsideronte “të dhëna”. Po bënte të skandalizuarin, të indinjuarin dhe të tërbuarin që ishte sulmuar në ndërtesën e tij, që ishte mbajtur në rrethim. “Për pesë orë”, tha.
Po shkonte ora shtatëmbëdhjetë. Demostrata kishte filluar në orën 14.20. Vrasjet ishin kryer rreth orës 16.00. Demostrata ishte shpërndarë rreth orës 16.30. E vërteta nuk e ndihmonte të ndërtonte gënjeshtrën dhe revanshin që kishte në mendje. Vetëm fantazia e ndihmonte.
Me këto mendime celulari që mbaja në xhep u drodh. Në gjithë trupin tim vërshoi parandjenja e një lajmi të keq. E pashë numrin e atij që po merrte. E hapa celularin dhe në vend të pyetjes “ku je?” aparati im i markës “Nokia” shkarkoi në veshët e mi një të qarë të rëndë burri. Salvator Kaçaj, ish futbollisti i kombëtares, më njoftoi mes të qarave plagosjen për vdekje të djalit të vetëm të Ndue Nikës nga Lezha, Aleksit.
U nisëm menjëherë me Spartak Ngjelën drejt spitalit ushtarak. Nuk flisnim asnjëri, por merreshim vesh mirë për atë që po bluanim në mendje. Spitali ziente nga ecejaket. Policia dhe mediat kishin zënë hyrjen kryesore. Ne kaluam para kamerave me hap të shpejtësi para një përbindshi me shumë sy. Disa nga kamerat na ndoqën deri thellë në koridorin e brendshëm të spitalit. Ishim personat e parë mediatikë nga bota e politikës që po vizitonim spitalin. Brenda ishte rrëmujë e madhe. Dhjetra civilë shkonin e vinin si të tromaksur duke kërkuar të dinin, të dinin, të dinin. Mjekët, infermierët dhe çdo fytyrë e njohur ishin gjahu i rrallë i atij kërkimi. Se kush pyeste për dikë. Shumica ishin të afërm dhe shokë të të vrarëve dhe të plagosurve. Kishte edhe viktima të lajmeve kontradiktore, që kishin ardhur në spitalin e gabuar në kërkim të dikujt që ndoshta po merrrte ndihmën e parë diku tjetër, ose nuk kishte pësuar gjë por ashtu kishin dalë fjalët.
Unë isha bashkuar ndërkaq me Salvadorin dhe me një grup djemsh nga Lezha. Salvadori kishte ende në sy shenjat e lotëve. Një zemërim i madh ia kishte terur fytyrën. Po më printe nëpër një koridor të gjerë e gjatë drejt repartit ku dergjej Aleks Nika. Kaçaj më tregoi se si i kishin gjetur të vrarët dhe të plagosurit, përfshirë Aleksin, të hedhur në dysheme, siç i kishin sjellë me makina të rastit njerëz të rastit. Askush nuk ishte afruar për t’i marrë, për t’u dhënë ndihmën e parë.
- Nuk do ta kisha besuar po të mos e kisha parë me sy, - tha ai. - S’kam për ta harruar kurrë.
Në laboratorin e radiolologjisë pashë skanerin e plagës që kishte marrë në kokë Aleks Nika. Një mjek i përkushtuar me tregoi vendin ku ishte goditur - pak centimetra mbi vetullën e majtë - dhe më shpjegoi me hollësi dëmtimet që kishte pësuar i plagosuri në tru përpara se plumbi të ndalonte në pjesën e prapme t ëkokës. Në përgjigje të pyetjes kryesore që bën gjithkush në raste të tilla- sa shanse kishte për të shpëtuar? - mu përgjigj me çiltërsi dhe keqardhje:
- Ka shumë pak shanse për të jetuar. Dhe nuk ka asnjë shans për t’u kthyer në gjendjen normale.
-Që do të thotë…?
- Që do të thotë se edhe po të ndodhë mrekullia të jetojë, ai do të mbetet gjysëm njeriu.
Përmendja e fjalës “mrekulli” u pasuan nga një si heshtje liturgjike, e cila me sa duket i shërbeu doktorit të hidhte vështrimin përtej caqeve të dijes, në mbretërinë amorfe të besimit dhe të shtonte:
-Zoti nganjëherë bën mrekullira që nuk i rrok mendja jonë.
E falenderova dhe dola. Në koridor më zunë rrugën pesë-gjashtë burra në moshë të re. Ishin të tronditur. Njëri prej tyre i kishte sytë plot me lot. Më tha se nuk dinin ç’po ndodhte me vëllanë e tyre, dikush thoshte se kishte vdekur, dikush thoshte se ishte gjallë, askush nuk po u tregonte ku ishte shtruar, kudo ku kishin trokitur ua kishin mbyllur derën…
- Të lutemi shumë, na ndihmo të gjejmë vëllanë, të marrim vesh të vërtetën.
Ishin vellëzërit dhe kushërinjtë e Hekuran Dedës. Nuk e kisha mësuar ende emrin e Hekuranit dhe s’mund ta dija atë çast se ishte njëri prej dy demostrusve që kishin mbërritur të vdekur në spitalin ushtarak. Mbeta pa fjalë përballë të përloturit dhe të tjerëve që ishin me të. Dikush nga shpura që më vinte prapa këputi një të sharë kundër autoriteteve të spitalit. Figura e një grushti të mbedhur u valvit sërish si zgjidhje mbi kokat e njerëzve rreth e rrotull meje. Kuptohet, nuk mund të isha dakord me një revoltë të tillë. Spitali ngjante i pushtuar, rregullat ishin prishur, s’kishte më as komunikim publik, as zëdhënie të rregullt. Vetë mjekët nuk e kishin të lehtë në ato rrethana të përballeshin me dëshpërimin dhe zemërimin e njerëzve.
Me ndihmën e një infermieri gjeta repartin ku ndodhej Hekuran Deda. U thashë vëllezërve të tij të prisnin pak në korridor sa të sigurohesha, në fakt doja të bisedoja paraprakisht me ndonjë mjek brënda, që të mos i vija në vështirësi. Nuk gjeta një, por tre mjekë. Më pritën me respekt, me dëgjuan. Njëri prej tyre me tërhoqi pak mënjanë dhe më tha: “Ai është i mbaruar, ta dish. E kanë qëlluar në kokë”.
- Ku është?- pyeta unë. Mjeku më tregoi një shtrat-ambulancë në qendër të një salle të madhe, gjysëm të ndriçuar. Të vrarin e kishin mbuluar me batanije deri afër mjekrës. Tubat dhe kordonët e aparaturave të krijonin iluzionin se ishte akoma në jetë dhe po merrte oksigjen e serume. Iu luta mjekut t’i lejonte dy vellezërit që po prinin në koridor të shihnin vëllanë. Tha “po”, por shtoi se nuk mund të qëndronte për të dhënë shpjegime si dhe qysh. Nuk e bënte dot. “Jo, nuk po të kërkoj ketë”, i thashë. Atëherë ai urdhëroi një infermiere të merrte dhe të shoqëronte dy vellëzërit Deda pranë vëllajt të tyre. “Ta shohin! Asgjë më shumë”! i tha infermieres. Më përshëndeti mua dhe iu drejtua dhomës ku kishte lënë kolegët e tij.
Unë prita pak në këmbë derisa u afruan dy vëllezërit e Hekuranit. Infermierja që u printe qëndroi para shtratit. U bëri shenjë më dorë se nuk mund të afroheshin më shumë. Vellëzërit u ndalën. Një copëherë vështruan të hutuar në drejtim të vëllajt të shtrirë, që dukej sikur ishte në koma. Sakaq njëri prej tyre u shkreh në vaj, tjetrit i rrodhën lotët çurgë nëpër faqe, por u përpoq ta mbante veten. Më pyeti mua a është gjallë. Mjekra i dridhej. Unë e tërhoqa pak nga vetja dhe i fola instiktivisht me zë të ulët sikur nuk doja të na dëgjonte Hekurani. “Zoti e di”.
Ai më pa mua, pa nga shtrati, më pa përsëri dhe më kërkoi të bëja çmos, çmos, çmos për ta shpëtuar. Pastaj tërhoqi ngadalë vëllanë e tij, që vazhdonte të qante e të shihte me habi rreth e rrotull si të ishte në ëndërr. Infermierja i përcolli në koridor. Mua më vinte çudi përse nuk ua njoftonin zyrtarisht vdekjen e Hekuranit të afërmëve të tij. Çështje procedurash? Apo ndonjë puls i mbetur jete vazhdonte të rrihte për inerci në trupin e atij të mjerit dhe për këtë shkak mjekët nuk kishin të drejtë të deklaronin zyrtarisht vdekjen e tij? Kush e merrte vesh?
Grupe të tjera njerezish shkëmbeheshin andej këndej, duke kërkuar si gjithnjë të dinin, të dinin, të dinin. Sa më shumë shkonin sekondat, aq më inkandeshente dhe shpërthyese bëhej atmosfera, sa të dukej se kishim përfunduar të gjithë, me pacientë, mjekë, vizitorë, policë, të vrarë e të plagosur brenda një bombe, shpërthimi i së cilës do të vuloste fatin tonë të përbashkët.
Në thellësi të koridorit pashë Spartakun që po vinte drejt meje. I vrullshëm si gjithnjë, por edhe i irrituar më tha se kishte folur jashtë para mediave.
- Masakër, kjo është masakër. Duhet t’u ngremë moralin njerëzve. Berisha duhet të japë dorëheqjen!
Nuk ma tha atbotë “skupin” për vrasjen e trembëdhjetëmijë vetëve, me të cilin do të spekullonin gjatë qeveria dhe mediat e saj.
“Edhe trembëdhjetë mijë janë gati të vriten për t’i thënë stop këtij rregjimi”, kishte thënë Spartaku kur kishte fulur për tre të vrarët e asaj dite. Qeveria do të përpiqej ta trajtonte si plan dhe jo si deklaratë politike këtë shprehje.
Një gazetar i “News 24” më tha se mediat jashtë po më prisnin edhe mua për të folur. Situata ishte kaq delikate. Por meqë ishin thënë gënjeshtra për vrasjet, ishte detyrimi im të thosha ç’po shihja me sy në spital. U konsultova edhe një herë me radiologun për plagën e Aleks Nikës, vajta dhe e pashë sërish në sallën e reanimacionit, bisedova me mjekë, takova motrat e tij dhe të afërt të tij , që kishin ardhur ndërkohë nga Lezha. Të gjithë ishin të tronditur, por tek kishin marrë vesh se kishte edhe të vrarë, kishin një arsye të falenderonin zotin që të dashurit të tyre i rrihte ende zemra dhe t’i luteshin të njëjtit zot t’i hapte sytë dhe ta kthente në jetë me zërin dhe buzeqeshjen që kishte pasur. Kishin shpresë, sepse vetëm shpresa i mbante të mos rrëzoheshin, sepse shpresën ia kishin detyrim Aleksit. Kur nuk të merr me të tjerët, vdekja ka menduar diçka tjetër, do të më thoshte nëna ime pak ditë më vonë për Aleksin.
Unë dija prognozën e mjekëve dhe se si më vinte. Fillova të mendoj se i kisha edhe unë një detyrim atij njeriu, që as jepte, as merrte, që nuk ishte as në këtë botë, as në botën tjetër, por diku në mes, hije këndej dhe hije andej, mashtrues i pafajshëm i dy pritjeve - i pritjes së të gjallëve këndej dhe i pritjes së të vrarëve andej. I kisha borxh një fjalë për plagosjen e tij, më saktë për vrasjen e tij, sepse nuk kishte shanse të përmendej e të ngrihej më. Fati e kishte ndaluar pak ditë në boshin e humnerës, si Dafi Dok-un e famshëm, por vazhdimi i këtij numri të fatit ishte rënia, jo kthimi. Nuk ka mrekulli aty ku duhet të ketë.
I kisha detyrim të vërtëtën, njëlloj si atij të mjerit tjetër, Hekuran Dedës, të cilin e kishin rrethuar me tubanë shtratin e lartë në një si mizanskenë çmendurake: të luante të gjallin, duke qenë i vdekur. Ua kisha detyrim edhe dy të vrarëve të tjerë, Ziverit dhe Faikut, emrat e të cilëve nuk i kisha mësuar akoma por më kishin thënë se kufoma e të parit ndodhej në morg, ndërsa e të dytit po udhëtonte drejt vendlindjes në Fier. Mjeku që më kishte çuar te Hekuran Deda më kishte rrëfyer para se të ndaheshim edhe një gjë tjetër: Të vrarët dhe të plagosurit nuk kishin shenja djegieje rreth plagëve. Pra nuk ishin qëlluar nga shumë afër, siç kishte thënë drejtori politik i urgjencës dhe menjëherë pas tij edhe kryeministri i vendit. Më troç akoma, nuk ishin qëlluar nga killer të maskuar si demostrues, nuk ishin vrarë në pabesi nga forca politike që i kishte thirrur në demostratë, por…por…Ishin qëlluar nga brenda rrethimit të kryeministrisë; ishin qëlluar nga forcat mbrojtëse të kryeministrisë, nga policia, garda apo civilët e armatosur atje, të cilët, në konfigurimin e masakrës në bulevard rezultonin të mos ishin forca mbrojtëse, por forca sulmuese, forca vrastare. Nuk kisha parë në atë moment asgjë nga filmimet live të vrasjes së Ziver Vezit dhe Hekuran Dedës, nuk kisha parë asnjë prej pamjeve që do të bënin xhiron e botës qysh atë mbrëmje, duke treguar një si Tien An Men në mes të Europës. Por kisha parë Aleksin në koma dhe Hekuranin të vdekur. Duhej të flisja për të nxjerrë në pah, në dritën e plagëve të tyre, të vërtetën. Atë të vërtetë që nuk njihte, nuk donte ta njihte ose donte ta trasformonte kryeministri i vendit, Sali Berisha. Shorti më kishte rënë ta përgenjështroja nga spitali ushtarak në një fushë për momentin të zbrazur nga personazhet e tjerë.
Nuk është e vertetë se janë qëlluar nga afër. Aleks Nika ka një plagë snaiperi në kokë. Hekuran Deda gjithashtu.
Pasi fola para kamerave që trasmetonin live, kalova edhe njëhërë, para se të largohesha, nga salla e reanimacionit ku ishte shtruar Aleks Nika. Dy-tre burra dhe një grua po rrinin në koridor. Dukeshin të mpirë e të prerë si të gjithë ata që presin lajme prapa dyerve të spitaleve.
-Pse na vratë, o Preç Zogaj?- mu drejtua gruaja, me një ton midis dëshpërimit dhe kërkesës së llogarisë. Ndalova në vend i habitur. Nga theksi e kuptova menjëherë se ishte tropojane. Për një çast mendova se mos më kujtonte akoma deputet të PD-së.Takoja plot njerëz në Shqipëri që nuk shihnin më lajme. Mu duk banale ta sqarohesha me të në rrethanën ku ndodheshim.
E pyeta kë kishte të vrarë? Nuk m’u përgjigj menjëherë, ndërkohë që burrat që ishin me të e tërhoqën ngadalë nga vetja e tyre.
-Vëllanë kam!- tha sertë. Mbeta pa fjalë. Një infermiere që po na shikonte u afrua dhe më shpjegoj se bëhëj fjalë për një polic të plagosur me mjete te forta, por që ishte jashtë rrezikut për jetën. Saora e kuptova si ishte puna. I thashë gruas “ të shkuara vëllajt”, e luta të qetësohej sepse në atë spital kishte të vrarë të vërtetë, ndërkohë që djali i një mikut tim ishte plagosur për vdekje. Mirësjellja e acaroi me shumë. Përshendeta instiktivisht me kokë dhe mora të largohesha. Shoqëruesit e mi të rastit dhe kushërinjtë e Aleks Nikës erdhen pas meje. Në të ikur dëgjova gruan që lëshoi të fundit: “Dhe keni fytyrë të vini në spital”. Tani e kishte tepruar pernjimend, sado të madhe ta kishte dhimbjen. Njëri prej shoqëruesve të mi u kthye dhe i tha: “Nuk vinë për ty, moj motër! Vinë për atë që ka marrë plumbin në ballë nga policët e Sali Berishës”. Nuk foli më njeri. Të afërmit e Aleksit më përcollën deri jashtë. U ktheva në qytet.
Ja, kjo ishte e gjitha. Motra e një polici të plagosur me gurë ishte legjitimisht e zemëruar atë mbrëmje. Aq dinte. Si gjithkujt i dhimbsej para së gjithash vëllaj i saj, i cili për fat të mirë, ndryshe nga shoku i tij i pavionit, Aleksi, do të shërohej shpejt e do të dilte shëndosh e mirë nga spitali. Më gjeti mua për të shkarkuar zemërimin e saj. Kaq.
Por “sistemi”, vetë gruaja apo ndonjë prej burrave që ishin me të kishin lajmëruar kryeministrin për këtë episod pa rëndësi. Ngjarja, që nuk kishte ekzistuar deri në atë çast, fillon në momentin kur Berisha mori mesazhin. Ai hapi fjalën në media dhe kudo ku gjendeshin zëdhënësit e tij se motra e të plagosurit Aleks Nika i kishte thënë Preç Zogajt “më vrave vëllanë, mos eja më këtu”. Në komunikimet e tij të shpeshta me mediat kapet fort pas këtij trillimi. Nganjëherë e zëvendëson emrin tim me emrin e Spartak Ngjelës. Nganjëherë nuk përmend asnjë emër por flet në përgjithësi “ua tha, po, po, ua tha ajo motra nga Lezha: më vratë”.
Unë kam qenë në spital, kam parë të vrarë dhe të plagosur, kam takuar të afërmit e tyre, kam kaluar përmes zemërimit dhe zisë, kurse Sali Berisha, ngujuar në pallatet e tij, gjen kurajo dhe kohë të marrrë ca fjalë këtu e t’i çojë atje, t’ja heqë nga goja motrës së policit të plagosur dhe t’i vendosë duke i ashpërsuar në gojën e motrës së të vrarit prej gardës tij dhe t’u shpifet kësisoj dy njerëzve që së paku kanë guxuar të shkelin në fushën e minuar të tragjedisë. Dhe, më e rënda, gjen kurajo dhe kohë t’i shpifet njërës prej katër motrave të Aleks Nikës, s’ka rëndësi, të parës, të dytës, të tretës apo të katërtës, që vetëm qajnë dhe vetëm lutën për vallanë dhe as që dinë fare ç’po bëhet e ç’po thuhet përtej asaj salle spitali ku luhet fati i jetës së Aleksit.
Kam një pengim t’u kërkoj Nikajve të bëjnë një përgenjështrim. Ku halli i tyre e ku cicmicet e politikës. Madje kam një mungesë dëshirë t’u përgjigjem në studion e emisionit Opininon papagajve të Berishës në shkallimin e tyre sipëror: “analistë” që venë në një plan gurët dhe plumbat, një grua ministre duke treguar me gisht në ekran një demostrues me çadër dhe duke thirrur me një zë dhe me ca gjeste që do ta kishin tmerruar filozofin e klasit femëror, zotin Prudon: “ Ja, ja ky e vret , ky me çadër e vret”.
Rreth orës 23.00 të asaj nate gazetari investigativ i televizionit “News 24”, Artan Hoxha, trasmetoi filmimin e vrasjes me automatik të Ziver Veizit nga shefi i shtabit të njësisë speciale, Agim Llupo, duke rrëzuar kësisoj pa fjalë dhe pa apelim variantin berishian të vrasjes së demostruesve nga njëri- tjetri dhe duke përcjellë, po ashtu pa fjalë, shtëpi me shtëpi, tmerrin e ekzekutimit me egërsi të një njeriu që po vështronte me habi, me duart me xhepa, që nga bulevardi, ndërtesën e kryeministrisë. Të gjitha televizionet shqiptare i morën dhe i ritrasmetuan menjëherë ato pamje.
Pas mesnate, i shokuar nga pamjet e ekzekutimit të Ziver Veizit, Edi Rama doli në një konferencë shtypi. E mendonte të kapur me presh në duar kryeministrin, ndaj i bëri thirrje disa herë të dilte dhe të përballej me vrasjet e qytetarëve të pafajshëm. “Dil Sali Berisha”! Berisha nuk do të dilte menjëherë atje ku e thërriste rivali i tij kryesor. Filmimet e vrasjeve e kishin gozhduar. Nuk mund ta mohonte më se efektivat e Gardës kishin hapur zjarr nga oborri i kryeministrisë. Le të rridhte nata, le të prisnin sa të zbardhte dita akuzat dhe thirrjet ngadhnjimtare të Edi Ramës. Fundja, le të gëzohej i vetëm në ring për disa orë ky Edvini!
Nata ishte akoma e gjatë, kishin dalë në skenë emergjenca të tjera. Duheshin zhdukur prova, duhej pastruar sa të ishte e mundur teatri i plojës nga produktet e veprave penale. Njerëzit e kupolës kryeministrore vendosën të kopjojnë dhe të fshijnë nga serveri qëndror i kryeministrisë pamjet e filmuara nga kamerat e saj të jashtme e të brendshme gjatë kohës së demostratës. Sipas ekspertizës së mëvonshme të FBI-së, ky operacion tinzar dhe kriminal do të fillonte pak pas mesnate dhe do të mbyllej rreth orës pesë të mengjesit. I akuzuari i vetëm nga Prokuroria do të ishte përgjegjësi i IT-së në kryeministri, A. Kasaj, të cilin gjykata do ta shpallte të pafajshëm me argumentin se zyra e serverit kishte qenë nën mbikqyrjen e Gardës dhe vetë i pandehuri kishte qenë në shtëpinë e tij gjatë orëve të operacionit.
Të nesërmen në mëgjes Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, nxori një urdhër ndalimi për gjashtë oficerë të Gardës së Republikës. Me një kundërurdhërverbal të kryeministrit Sali Berisha, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Burgaj, refuzoi ekzekutimin e urdhërave të kryeprokurores me pretekstin se kishin lapsuse në të shkruar. Furtuna që ngriti pranë trupit diplomatik ky refuzim e fshiu furishëm pretekstin e lapsuseve. Berisha mori përsipër autorësinë e aktit pa precedent. Oficerët e akuzuar dhe armët e tyre u strehuan si në një bunker në godinën e kryeministrisë. Ambasadorët e SHBA-së, OSBE-sëdhe BE-së kishin një çështje bazike për të sqaruar. Një ditë më parë ishin vrarë njerëz në demostratën e opozitës. Si mund të pengohej Prokuroria të ndalonte të dyshuarit? Berisha u përgjigj se gjashtë oficerët e dyshuar përfaqësonin zinxhirin komandues të Gardës. Sipas tij, Prokurorja e Përgjithshme kërkonte t’i hiqte atij mbrojtjen për t’i mundësuar opozitës dhe Presidentit të Republikës rifillimin e puçit aty ku e kishin lënë një ditë më parë. Ky ishte një shpjegim allaballa, që e ndante në copa ndërarmiqësore konstruktin e shtetit shqiptar dhe e shumëzonte me zero gjithë investimin shumëvjeçar të ndërkombëtarëve për konsolidimin e intitucioneve të reja demokratike në Shqipëri. Nuk kishte asnjë bazë për t’u besuar. Berisha hiqej se ishte i rrezikuar. Megjithatë, mirësjellja dhe etika u sugjeronte ambasadorëve të mos paragjykonin asgjë, por të kërkonin nga kryeministri të dhëna më konkrete e më të detajuara për puçin, duke i premtuar izolimin ndërkombëtar të Edi Ramës dhe Bamir Topit nëse të dhënat konfirmoheshin nga drejtësia. Më tej, falë respektit për detyrën e lartë të zotit Berisha, kryeministër i një vendi mik me vendet e tyre, ata donin të sqaroheshin më mirë përse binte mbrojtja e tij nëse ndaloheshin gjashtë oficerë të dyshuar për shkelje të ligjit? A nuk kishte organika e gardës shumëfishin e gjashtë oficerëve të dyshuar dhe a nuk ishte edhe Policia e Shtetit, me njësitë e saj speciale, një forcë mbrojtëse e kryeministrisë dhe institucioneve të tjera shtetërore e private? Këta që bënin pyetje të tilla ishin si me thënë më të butët, më të maturit, më diplomatët. Se ishin ca të tjerë, që përfaqësonin vende pa interesa ekonomike apo gjeostrategjike në Shqipëri, ato nordike dhe të Beneluksit kryesisht, që po bënin puf e po turfullonin “si është e mundur, si është e mundur”. Nuk ishte dëgjuar ndonjëherë që kyeministri i një vendi të Aleancës së Atllantikut tëVeriut të urdhëronte Policinë të mos zbatonte udhër-ndalimet e Prokurorit të Përgjithshëm.
Kur të hiqej pjesë-pjesë falë ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, por para së gjithash falë përmbushjes së qëllimit për të cilin ishte vendosur, do të kuptohej edhe më qartë se embargoja e hetimit të gardistëve, e përkohshme sigurisht, u kishte dhënë kohë përsonave të dyshuar të prishnin një pjesë të rëndësishme të provave dhe të rregullonin alibitë. Siç shënuam më lart, ekpertiza e FBI-së amerikanë do të provonte se gjatë natës së njëzet e një janarit duke u gdhirë njëzet e dyshi u fshinë filmimet e kamerave të kryeministrisë. FBI do të zbulonte në laboratorët e saj se pistoleta e komandatit të Gardës, Andrea Prendi, kishte qëlluar njëmbëdhejtë herë në turmë. Të nesërmen apo të pasnesermen, për të zhdukur gjurmët e të shtënave, tyta e armës së komandantit ishte zëvendësuar me tytën e armës së shoferit të tij.
(Vijon në publikimin e nesërm)