Ekspertizë

EKSPERTIZË nga Aladin Stafa: Edhe njëherë për Ukrainën

Shkruar nga Liberale

EKSPERTIZË nga Aladin Stafa: Edhe njëherë për Ukrainën

Nga Aladin Stafa *

Tre ditët e lëna pas kanë qenë një eufori kolektive gati në të gjithë Europën atje ku sytë janë drejtuar drejt Gjermanisë, ku po zhvillohet kampionati europian i futbollit.

E ndërsa gara vijon, sot është radha e Ukrainës për të luajtur ndeshjen e saj të parë pikërisht përballë Rumanisë. Ndonëse për fansat, kjo është një ndeshje jo shumë interesante duke mos ofruar emra të mëdhenj nga arena futbollistike, kurioziteti pritet të jetë kombëtarja e saj.

Siç e dimë, Ukraina gjendet nën agresionin rus prej më shumë se dy vitesh duke humbur shumë territore në pjesën lindore të saj, duke sjellë mijëra viktima dhe duke kolapsuar një vend të tërë.

Por si mund të performojë një kombëtare në kushte të tilla?

Për të marrë pjesë në kompeticione kaq të rëndësishme jo vetëm që nevojitet një shumë e madhe parash, që mesa duket është siguruar nga vetë UEFA, lojtarët bashkë me stafin psikologjikisht do duhet të demonstrojnë një forcë fizike e mentale për të treguar se janë aty.

Edhe pse nga pala ruse një armëpushim duket larg në horizont, lojtarët e Ukrainës janë të detyruar më shumë se kurrë për ta perfaqsuar vendin e tyre me dinjitet dhe jo vetëm.

Duke qenë se futbolli është sporti më i ndjekur në planet, ai është përdorur gjithashtu si një platforme për të përçuar mesazhe dhe për të ndërgjegjësuar turmat. Nga ana tjetër policia gjermane ka marrë masat e duhura për te eliminuar çdo simbol që ka të bëjë me Rusinë apo që mund t’i afrohet sado pak asaj. Pjesëmarrja e Ukrainës në këtë kompeticion tregon jo vetëm për vlerën futbollistike të tyre, por njëkohësisht dëshmon ndër të tjera edhe për vëmendjen e njerëzve të cilët duket se e kanë harruar që po zhvillohet një lufte në kontinentin ku ata jetojnë dhe se nga momenti në moment, rreziku është fare pranë për një përhapje të saj.

Edhe pse Ukraina vjen e dërrmuar nga ana psiko-ekonomike, kontigjenti që përmban skuadra ka një përgatitje të mirë teknike e fizike me lojtarë që kanë performuar mbi mesataren vitet e fundit.

Por a do të jenë ata të aftë për të treguar vlerat e tyre? Mos ndoshta fanella e vendit në këto kohë është më e rëndë seç duhet për ta ?

Të jesh profesionist nuk do të thotë vetëm që të kesh njohuri tekniko-taktike, por gjithashtu psikologjikisht të jesh i fortë dhe të luftosh jo vetëm për rezultatin por edhe për një motiv, që në këtë rast është burimi i shpresës së një vendi që duket sikur e ka humbur atë.

Populli ukrainas do t’i ketë sytë sot në Mynih, aty ku në ndeshjen e tyre të parë do të kenë mundësi për të kënduar himnin e tyre, për të valëvitur flamurin dhe për t’i treguar Europës që janë akoma aty, në vijën e parë të frontit, të lodhur, të harruar por jo të dorëzuar.

E njëjta grintë parashikohet të shihet edhe tek lojtarët në fushën e lojës, që ndërsa për ne është thjesht një ndeshje futbolli, për ata do të jetë skena e një lufte ku patriotizmi dhe kombi do t’i kaloje 100 m e fushës se blertë. Nëse protestat, thirrjet publike apo konferencat politike ishin shumë pak për të pasur vëmendjen e Europës, shpresojmë që futbolli edhe njëherë të bëjë heroin e kësaj dekade kaotike.

*Student në Krems University për Economy- Finance, specializim viti i tretë

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH