Irena Lavdari, Doktorante
Valentina Memini, Doktorante
Pavarësia e pushtetit gjyqësor përbën një nga kushtet bazë për ekzistencën e shtetit të së drejtës, si dhe është mjeti i vetëm që garanton mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe zhvillimin e personalitetit të plotë të tij. Për këtë arsye, pavarësia e gjyqësorit, nuk duhet shikuar si një privilegj apo si një e drejtë që u jepet gjyqtarëve gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, por duhet shikuar si një detyrim kushtetues dhe si një e drejtë që kanë qytetarët përballë shtetit. Ekzistencën e një gjyqësori të pavarur, si një e drejtë e qytetarëve dhe jo si një privilegj të gjyqtarëve, e koncepton edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në të cilën përcaktohet e drejta e çdo personi për mbrojtjen interesave të ligjshme të tij, si dhe për akuzat penale që mund të ngrihen ndaj tij, të gjykohet nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme dhe në përputhje me rregullat e përcaktuara në ligj. Rëndësia që ka pavarësia e pushtetit gjyqësor në një shtet të së drejtës, rezulton jo vetëm nga funksioni që realizon ai, por, edhe nga fakti se të gjitha parimet e tjera janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me zbatimin efektiv të këtij parimi. Kështu duke filluar që nga parimi i ligjshmërisë, që përbën themelin e një shteti të së drejtës, ky parim nuk mund të zbatohet dhe të ketë vlerë konkrete, në qoftë se nuk ekziston një pushtet gjyqësor i pavarur, sepse është pikërisht pushteti gjyqësor, ai organ që do të zgjidhë konfliktet dhe mosmarrëveshjet në lidhje me zbatimin e këtij parimi. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për parimin e garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe për shumicën e parimeve që qëndrojnë në themel të shtetit të së drejtës, të cilat nuk do të kishin asnjë vlerë praktike, sepse dihet që i vetmi vend ku qytetarët realizojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre, është pushteti gjyqësor . Sipas nenit 7 të Kushtetutës, sistemi i qeverisjes bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve. Ky parim do të thotë që ligjvënësi, ekzekutivi dhe gjyqësori janë të ndarë, efektivisht të pavarur dhe duhet të ketë një balancë midis tyre. Çdo institucion i një pushteti gëzon kompetencën sipas këtij qëllimi. Përmbajtja konkrete e kësaj kompetence varet nga fakti se cilit pushtet i përket ky institucion, nga vendi i tij midis institucioneve të tjera, nga raportet e fuqive të tij me ato të institucioneve të pushtetit shtetëror. Në përputhje me detyrat që u ka ngarkuar Kushtetuta, secili prej tyre është i pajisur me pushtet të mjaftueshëm, gjë që i jep mundësinë të marrë vendime në mënyrë të lirë e të pavarur. Asnjë organ apo institucion tjetër, në përbërje ose jo të një prej tri pushteteve, nuk mund të ndërhyjë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve, që sipas rastit, do të përbënin objektin qendror të veprimtarisë së organeve apo institucioneve.
Pushteti gjyqësor, sipas nenit 135 të Kushtetutës, ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe nga gjykatat e apelit dhe gjykatat e rrethit. Gjykatat kanë të drejtën ekskluzive për funksionin e dhënies së drejtësisë. Ky funksion i gjykatave përcakton vendin e gjyqësorit në sistemin e institucioneve të pushtetit shtetëror dhe statusin e gjyqtarëve. Në nenin 145/1 parashikohet se: “Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve”. Pavarësia e gjyqtarëve dhe gjykatave është një nga parimet themelore të shtetit demokratik. Roli i gjyqtarit dhe gjykatave në një shtet të tillë është, që ndërsa ushtrojnë funksionin e drejtësisë, ata duhet të sigurojnë zbatimin e normave të shprehura në Kushtetutë, të ligjeve dhe të akteve të tjera ligjore, të garantojnë shtetin e së drejtës dhe të mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Pavarësia e gjyqtarëve dhe gjykatave nuk është një qëllim në vetvete. Respektimi i këtij parimi është një kusht i nevojshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Në paragrafin e dytë të nenit 42 të Kushtetutës parashikohet se: “Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetuese dhe ligjore, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj”. Në këtë kuptim, kjo pavarësi nuk është një privilegj, por një nga detyrat themelore të gjyqtarëve dhe të gjykatës, që rrjedh nga të drejtat e njeriut për të pasur një arbitër të paanshëm në një konflikt, të garantuar nga Kushtetuta. Garantimi i një standardi të tillë përbën dhe kriterin orientues për të vlerësuar pavarësinë e gjyqtarëve dhe të gjykatave. Parimi i pavarësisë, i deklaruar në disa dispozita të Kushtetutës kërkon, në radhë të parë, që gjyqtarët dhe gjykatat, ndërsa japin drejtësi, t’u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Ata duhet të jenë të paanshëm dhe objektivë në gjykimin e çështjeve. Pavarësia e gjyqësorit ka dy komponentë realë të saj që janë: paanshmëria dhe pavarësia e gjyqtarit dhe e gjykatës. Paanshmëria i referohet një qëndrimi subjektiv të gjyqtarit në lidhje me çështjen dhe me palët pjesëmarrëse në të, ndërsa pavarësia, e cila duhet të bazohet në ekzistencën e disa kushteve dhe të garancive objektive nënkupton jo vetëm një qëndrim të caktuar ndaj ushtrimit të funksionit gjyqësor, por dhe një pozitë ose marrëdhënie në raport me të tjerët, veçanërisht me pushtetin ekzekutiv. /Liberale.al
JUS & JUSTICIA / NR.9 / VJESHTË 2014