“Bota po shkon drejt asaj që ne e kemi përgojuar dhe anatemuar. Po shkon drejt fortifikimeve, ngritjes së transheve dhe qendrave të zjarrit.” Ishte ky paralajmërimi i pedagogut të Universitetit Europian të Tiranës, prof. dr. Kristaq Xaro, gjatë promovimit të revistës shkencore të Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, “Jus&Justicia” 19 nr.1.
Prof. Xaro e cilësoi si kohën më të mirë për të sjellë këtë botim dedikuar kërcënimeve të reja të sigurisë kombëtare. Përtej zhvillimeve globale të tre viteve të fundit, me luftën në Ukrainë dhe sulmet në Rripin e Gazës, retorika, vendimet dhe qëndrimi i administratës Trump kanë kthyer çështjet e sigurisë në agjendë e ditës evropiane, por edhe rajonale. Më 18 mars Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Shqipëria, sa i përket kapaciteteve të mbrojtjes, ndodhet në kufijtë minimalë të saj dhe memorandumi është një formë zgjimi dhe reagimi”, tha prof. Xaro, i cili në këtë numër të revistës, në bashkëpunim me Dokt. Ilir Xhebexhia dhe Msc. Joana Ramaj, sjellin artikullin me temë “Evoluimi i konceptit të sigurisë kombëtare në Shqipëri”. “Është koha që të gjithë të mendojnë për sigurinë, përpara se të mendojnë për problemet e tjera. Siç e thotë edhe Clausewitz: “Paqja nuk është gjë tjetër veçse periudha mes dy luftërave”, përfundoi eksperti i sigurisë.
Për prof. asoc. dr. Blendi Lami Shqipëria dhe Kosova duhet të mendojnë për një Smart Defencë (mbrojtje e zgjuar), një term i futur në NATO që në 2011-ën kur president i SHBA-së ishte Barack Obama dhe kur u vendos që anëtarët e aleancës të investonin në mbrojtje ushtarake 2% të GDT-së.
Duke folur për fillesat e këtij termi, prof. Lami tha se tre objektivat kryesore të Smart Defence (adresimi i kufizimeve buxhetore; rritja e sigurisë kolektive; promovimi i bashkëpunimit shumëkombësh), janë vënë në rrezik.
“Bazuar në këto shqetësime unë dhe koloneli Dokt. Pëllumb Hidri morëm iniciativën për të realizuar këtë studim”, shpjegoi ai, referuar artikullit në “Jus&Justicia” me titull “Mbrojtja e zgjuar: Një model bashkëkohor për sigurinë e përbashkët të Shqipërisë dhe të Kosovës”.
Sipas prof. Lamit, ndryshimet globale vënë në rrezik Shqipërinë e Kosovën, të cilave u mungon infrastruktura e mbrojtjes së NATO-s, e garantuar nga SHBA-ja. Në këtë logjikë, ai propozon bashkë me kolonelin, që midis dy vendeve të ndërtohen ura bashkëpunimi për t’iu rezistuar rreziqeve.
“Ne duhet të zhvendosemi nga mbrojtja tradicionale te mbrojtjen e zgjuar që nënkupton sa më shumë partneritete. Të ketë strategji bashkëpunuese brenda një arkitekture mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe investime në teknologjitë e reja të mbrojtjes.”
Studime dhe rekomandime për sigurinë kombëtare
Gjatë promovimit të revistës, dekani i Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, prof. asoc. dr. Ervis Iljazaj, tha se punimet e këtij numri fokusohen te disa prej problematikave kryesore që prekin fushën e sigurisë kombëtare, për të shpërfaqur dhe sjellë në vëmendje ndikimin e tyre në vijimësinë e institucioneve aktuale.
“Mjedisi i sotëm i sigurisë kërkon një kuptim më të gjerë të rreziqeve të ndërlikuara që vijnë si nga aktorët shtetërorë dhe jo shtetërore, ashtu edhe nga fusha të reja si lufta kibernetike, degradimi mjedisor dhe krizat globale shëndetësore”, theksoi Iljazaj.
Duke vlerësuar punën dhe kontributin e pedagogëve dhe studentëve, por edhe ekspertëve të fushës që zgjedhin revistat shkencore të UET-it, zv. rektori për Shkencën dhe Inovacionin, prof. dr. Kreshnik Bello, foli për trendet e fundit të zhvillimit në fushën e kërkimit shkencor. Ai pohoi se shkencëtarët e hulumtuesit botërorë bien dakord që sot janë tre tende të tilla që orientojnë punën e tyre: Trendi i parë është zhvillimi i teknologjive shumë të avancuara dhe përdorimi i tyre; I dyti është një koncept relativisht i ri, shkenca e hapur, bazuar në një komandim të UNESCO-s të vitit 2021; Trendi i tretë është shkenca me impakt social.
Bello tha më tej se UET është pjesë e transformimit, duke përqafuar këto zhvillime më se të nevojshme për një institucion ndërkombëtar të arsimit të lartë.
Edicioni i parë i numrit të nëntëmbëdhjetë të revistës “Jus&Justicia” vijon të ruajë traditën e mirë të përfshirjes së kërkimeve nga studentët, pedagogët e brendshëm, por edhe nga universitetet partnere dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Kështu, përveç shkrimeve të prof. Kristaq Xaro me Dokt. Ilir Xhebexhia e Msc. Joana Ramaj dhe artikullit tjetër të prof. Bledi Lami me Dokt. Pëllumb Hidri, vijnë e një sërë kërkimesh të dobishme.
Dy doktorantët, Dokt. Aderaldo Mema dhe Dokt. Prishila Hysa, analizojnë ndikimin e korrupsionit në sferën e sigurisë kombëtare në Shqipëri, duke e parë atë në një periudhë 2 vjeçare, 2018-2020.
Entela Kadriu sjell artikullin me temë “Progresi, sfidat dhe vështrimet krahasuese në lidhje me zbatimi i legjislacionit për dhunën në familje në Shqipëri”. Revista vijon me një tjetër analizë nga Reald Keta të fokusuar në transpozimin e acquis communautaire (legjislacioni i BE-së) në tregun e vetëm në Bashkimin Evropian.
Dr. Abla Xhaferi trajton rolin e shtetit në sigurinë kombëtare, duke e parë atë si një organizatë politike të veçantë që dallohet nga organizatat e tjera politike në shoqëri.