Jus/Justicia

RECENCË nga Juelda Lamçe për librin "Inter Gentes 2": Reflektime dhe analizë mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut

Shkruar nga Juelda Lamçe

RECENCË nga Juelda Lamçe për librin "Inter Gentes 2":

* Prof. Asoc. Dr. Juelda Lamçe

*RECENCË nga Juelda Lamçe për librin e Prof. Dr. Xhezair Zaganjorit, "Inter Gentes 2", botim i UET PRESS.

“Inter Gentes 2” i Profesor Zaganjorit, vijon reflektimet mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe analizën jurisprudenciale mbi të drejtat e njeriut të numrit të parë “Inter Gentes”. Në cilësinë e tij si ish diplomat, ish Kryetari i Gjykatës së Lartë, dhe ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Autori sjell këtë kontribut të rëndësishëm për botën akademike, profesionistët, hartuesit dhe zbatuesit e ligjit. Ky botim është veçanërisht i dobishëm për studentët dhe doktorantët e Fakultetit të Drejtësisë, Shkencave Politike, Marrëdhënieve Ndërkombëtare, studentët e Shkollës së Magjistaturës, avokatët, gjyqtarët, por jo vetëm. Përvoja e tij praktike shumëvjeçare, si gjyqtar i shquar i niveleve më të larta, pasuron debatin doktrinar në auditor dhe apasionon të rinjtë në rrugëtimin e tyre profesional.

Lexuesit i ofrohet një përmbledhje e përzgjedhur reflektimesh, rrjedhojë e një eksperience të pasur e të pazevendësueshme, të ndërthurur me një analizë të jurisprudencës së gjykatave të Strasburgut, Luksemburgut apo e Gjykatave Kushtetuese. Ky botim pasuron dhe përditëson literaturën e kurrikulave në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut. Ai inverton binomin metodologjik teori-praktikë në formësimin e profesionistëve të rinj, duke ofruar një skemë shpjegimi më të thjeshtë dhe lehtësisht të përvetësueshme nga studentët si dhe duke i bërë ata protagonistë të analizës kritike të kazuseve të përzgjedhura. Në stilin e të shkruarit të bën përshtpypje harmonizimi i elementëve teknikë me ndjeshmërinë e një eksperti të vëmendshëm ndaj detajeve.  

“Inter Gentes 2” vjen si një ndërthurje e reflektimeve të natyrës jo vetëm teknikisht juridike, por në një rrafsh më të gjerë, historik, filozofik e ndërdisiplinor. Roli dhe funksioni i ligjit, marrëdhëniet mes pushteteve, domosdoshmëria e bashkëpunimit efektiv mes shteteve, garantimi efektiv i të drejtave të njeriut, përvijohen nga analiza e detajuar përmes rasteve nga praktika gjyqësore të tematikave më sensitive dhe bashkëkohore. Ndër të tjera, Profesor Zaganjori sjell në vëmendje dallimin mes drejtësisë legjislative ose formale dhe drejtësisë gjyqësore ose materiale, duke theksuar rolin e gjykatës në ruajtjen e balancave në varësi të situatave politike e sociale të një vendi. Autori është i vëmendshëm të reflektojë në këtë botim edhe mbi kritikën e recensuesit të pjesës së parë “Inter Gentes” – reçensë e Profesor Enver Hoxhaj, ish Kryetari i Gjkyatës së Lartë në Kosovë - duke analizuar edhe jurisprudencën mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Nga pikëpamja e strukturimit, botimi ndjek linjën logjike të kalimit nga marrëdhëniet ndërkombëtare, tek e drejta ndërkombëtare, ajo europiane e më pas vendase, për ta përmbyllur me mbrojtjen ndërkombëtare të këtyre drejtave. Ndër çështjet e trajtuara evidentohen: roli i institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare nën dritën e ngjarjeve më të fundit që cënojnë ose rrezikojnë të cënojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, marrëdhënia mes politikës dhe ligjit, balancimi i pushteteve, raporti mes Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, roli i gjyqësorit në mbrojtjen e vlerave demokratike, ndërlidhja me fusha të tjera të së drejtës private dhe publike si e drejta tregtare, familjare, çështja e detit, cështjet klimatike, juridiksioni dhe përgjegjësia e shteteve, por edhe ato më sfiduese të lidhura me zhvillimet tekonologjike, siç janë mediat sociale apo inteligjenca artificiale e më gjerë.

Në pjesën e parë, mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, autori përcjell përmes mendimit të rafinuar ngjarje të rëndësishme që kanë shënuar momente historike, me një fokus drejt demokracisë dhe diplomacisë amerikane dhe gjermane, ndikim ky i fundit i diktuar më së shumti nga eksperinca e tij e vyer si diplomat në Gjermani.

Pjesa e dytë analizon të drejtën europiane dhe kushtetuese, duke u ndalur veçanërisht tek vlerat e përbashkëta të rendit ligjor të BE-së; në analizën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese Gjermame mbi reformën e drejtësisë gjermane dhe rëndësinë e parimit të sigurisë juridike në raport me drejtësinë substanciale apo materiale; në zhvillime të rëndësishme në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GjEDNj.); në rolin dhe ndërveprimin e kësaj të fundit me Gjykatën e Luksemburgut si një garanci e shtuar për individin, në kushtetuetshmërinë e ligjeve; në kritikat mbi kohën e shkurtër në procesin e hartimin e ligjeve në Shqipëri si dhe rolin e gjyqësorit në respektimin e vlerave demokratike.

Pjesa e tretë, mbi të drejtën ndërkombëtare fokusohet kryesisht në cështje të detit, klimës dhe terrorizmit. Në mënyrë specifike, analizohet agresioni rus ndaj Ukrainës – i cilësuar si moment historik i një “ndryshimi epokal” - siguria efektive e së cilës argumentohet mes dështimit të diplomacisë dhe të së drejtës ndërkombëtare; raporti mes vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Gjykatës së Lartë. Lidhur me këtë të fundit, Autori referon në rastin shqiptar, duke theksuar nëvojën e referimit në “jurisprudencën dinamike të GjEDNj”.

Pjesa e katërt i dedikohet mbrojtjes ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Në gamën e gjerë të vendimeve të gjykatave më të larta, autori përzgjedh me kujdes më domethënësen dhe inovatoren. Ndër çështjet e trajtuara spikasin liria e shtypit, krimet e rënda, jeta private dhe shërbimet sekrete, lidhja e të drejtave të njeriut me pushtetin vendor, e drejta për pagë të barabartë, vlefshmëria e parimit ne bis in idem edhe për dënimet në praktikat tregatre etj. Disa raste janë të ndjeshme e të debatueshme juridikisht, etikisht, moralisht. E tillë është kërkesa e Shoqatës Ndërkombëtare të Federatës së Atletikës për uljen e testosteroneve të një atleteje kampione, në një nivel të caktuar në mënyrë që ajo të mund të garojë me kategorinë e femrave. Sportistja pretendon ndër të tjera diskiminm për shkak të seksit dhe Gjykata e Strasburgut e ka pranuar këtë kërkesë e cila ka ngjallur mjaft reagime në botën e sportit dhe atë mediatike.

Sikundër eksperienca dhe përvoja e Autorit dëshmojnë, reflektimi dhe analiza e çështjeve të debatueshme orientojnë më shumë drejt ku dhe si, sesa çfarë të lexosh. Si një nga zërat më autoritarë e të spikatur në fushë ka dhënë dhe jep një kontribut shumë të çmuar në mjedisin akademik dhe profesional, vendas dhe ndërkombëtar.

Me këtë rast, e falënderoj përzemërisht për rolin aktiv dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me përkushtim e pasion në rritjen e standardeve në kërkimin shkencor, mësimdhënien, ndërkombëtarizimin e më gjerë. Ndër to, vlerësoj veçanërisht rolin e Prof. Zaganjorit si Kryeredaktor i Revistës “Jus & Justicia”, si mentor i temave të doktoraturës dhe katalizator i ndërveprimit mes grupeve kërkimore shkencore, si kontribues me ide inovatore në identifikimin, përzgjedhjen e tematikave dhe organizmin e leksioneve të hapura, forumeve, tryezave të rrumbullakëta, gjyqeve imituese, si ideues i projekteve vendase dhe ndërkombëtare.

*Dekane e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare,

Universiteti Europian i Tiranës

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH