Moikom Zeqo në një rrëfim për librat e zemrës/ Kam jë libër në frëngjisht me titull “Le chauvinisme lingistique“, pa emër autori, botuar në Paris, në 1935- me shënime të bëra më laps nëpër faqe nga vetë Migjeni- këtë libër të bibliotekës së Migjenit ma ka dhuruar drejtori i Bibliotekës së Universitetit të Tiranës shkrimtari dhe përkthyesi Mihal Hanxhari, para vdekjes së tij.
Alda Bardhyli
“Letërsia nuk është aspak lineariteti i një ngjarjeje…”. Moikom Zeqo lë pas kohët jo të mira të kësaj fillimvjeshte me shëndetin, për të udhëtuar përmes Leteraturës në një rrugëtim, në librat e zemrës…
Aktualisht, cilët libra keni më për zemër?
Janë shumë libra që më pëlqejnë-ndonëse jam distancuar pak nga leximi i romaneve dhe subjektet letrare- lexoj, ose me saktë rilexoj librat e mëdhenj të shekujve, të cilët nuk janë një numër i pakufishëm,-përkundrazi mund të jenë të vetëmjaftueshëm në pak emra; Homeri, Platoni, Herakliti i Efesit, Dantja, Servantesi, Jonathan Sëifti, padyshim shkrimtari më i madh i njerëzimit Shekspiri, filozofë si Stjuart Mill, Erazmi i Roterdamit, Spinoza, Marksi dhe Bernard Rasellin. Letërsia e vërtetë dhe e madhe nuk varet farë nga numri i infinitshëm i botimeve, nuk është aq e shumtë, përkundrazi!
Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?
Për mua është “Udhëtimet e Guliverit “ të Sëiftit!
Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?
Tregimet Nikollaj Gogolit të Petërburgut, ato të Hofmanit dhe tregimet e shkurta ë Franc Kafkës.
Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?
Në Shqipëri, apo në botë? Në Shqipëri është e vështirë të flasësh për shkrimtarë të vërtetë, ka autorë që shkruajnë ngjarje-letërsia nuk është aspak lineariteti i një ngjarjeje-ky është një keqkuptim fatal,-çdo subjekt i letërsisë së madhe është një strukturë dhe renditje simbolesh të brendshme dhe universale sa nuk mund t’i quash “ngjarje“.
Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?
Më pëlqejnë librat e historive të artit, dhe filozofët- p.sh. librat për filozofinë e mesjetës të ri zbuluar nga Jacques le Gof.
Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?
Shumë libra p.sh. një Bibël në latinisht me gravura e shekullit të XVII- kam një koleksion të madh të Biblave në gjuhë të ndryshme të globit- një libër në frëngjisht me titull “Le chauvinisme lingistique“, pa emër autori, botuar në Paris, në 1935- me shënime të bëra më laps nëpër faqe nga vetë Migjeni- këtë libër të bibliotekës së Migjenit ma ka dhuruar drejtori i Bibliotekës së Universitetit të Tiranës shkrimtari dhe përkthyesi Mihal Hanxhari, para vdekjes së tij.
Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?
-Padyshim Don Kishoti, që është mbiquajtur edhe si Krishti i Ungjillit të Pamundësive, por dhe ëndrrave të mëdha.
Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?
Tani që isha për dy muaj e gjysmë në spital për shkak të një krize të rëndë të leucemisë për shumë kohë nuk mund të lexoja- vajza ime e vogël Kleitia, që kujdesej më kërkon të më lexonte diçka-një libër. Po, i thashë të lutem më lexo “Lizën në Botën e Çudirave“- që mbase gjatë jetës e kam lexuar shumë herë-ky libër është më i rëndësishëm se dhjetëra mira libra që botohen me “ngjarje“ idiote,- biseda rreth tryezës së Lizës me Lepurin dhe Kapelabërësin e Çmendur ka një modernitet të prozës që i paraprin edhe “Uliksit“ të Xhojsit.
A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?
-Jo- në Bibliotekën Kombëtare kam lexuar çdo libër që më ka interesuar-librat e “ndaluar“ janë edhe sot, por nuk i lexon njeri. Librat që kam porositur p.sh. nga George Steiner dhe Harold Bloom m’i kanë sjellë miqtë, ose i kam blerë vetë.
Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë kjo që jeni sot, cili do të ishte ai?
Janë shumë libra që kam lexuar në vitin 1970, që i reflektoj në ditarët e mi si dhe në librin tim “Laboratori i Ëndrrës“-që ta dhurova edhe juve Alda.
Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?
Ndoshta libri im më i parapëlqyer është “Grishja e Florimontit “, subjekt i një romani poetik me mijëra vargje në frëngjishten e vjetër, shkruar në shekullin e XII nga Amon De Varanez,- të cilin libër ja dërgova dhe Presidentit të Francës Zhak Shirak me një letër dhe kam marrë përgjigje shumë të ngrohta prej Tij.
Po qe se do t’i kërkonit Kryeministrit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?
-Asnjë kryeministri në botë- absolutisht asnjërit nuk do të doja të më lexonte ndonjë nga librat e mi.
Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?
-Asnjë nga shkrimtarët e gjallë- por të vdekurit e pavdekshëm po, p.sh. me Saramagon, Kamynë dhe Migjenin( ose Konicën )
Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?
Libri që nuk kam mbyllur është një romanm me titullin “Biblioteka e Don Kishotit “-por kam mbaruar në dorëshkrim librin me proza “Centauri i Fundit “ si dhe një tjetër libër “Skinaksarët e Bizantit “
Kush do të donit ta shkruante historinë e jetës suaj?
Askush. Nuk më pëlqejnë fare librat që shkruajnë kinse për jetët e shkrimtarëve- ashtu siç nuk më pëlqejnë kur shkrimtarët shkruajnë Kujtimet e tyre.
Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?
Kryesisht tek klasikët, por jo tek ata të letërsisë baroke.
Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?
Nuk besoj se ka ende shumë libra që të ndihesh keq se ende nuk i ke lexuar- besoj se letërsia e madhe e ka thënë gjithçka me letër kredencialet universale të shpirtit njerëzor.
Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?
Nuk e di. Sapo lexova ne frëngjisht romanin “Platforma“ të vitit 2019 të Michel Houellebecq,- që nuk më pëlqeu- ky shkrimtar më i njohuri në Francë operon mes banalitetit të jetës borgjeze ( siç e quan ai) me një cinizëm therës, shpesh të lemeritshëm. Epo Balzaku nuk lind në secilin shekull- nuk përsëritet më!/Gazeta Liberale