Aleksandër Biberaj
Dje politika dhe shoqëria shqiptare, familjet, ne të gjithë humbën dy përfaqësues tepër dinjitoz të politikës dhe qytetarisë shqiptare, Marko Bellon dhe Engjëll Daklin. Me Markon përveç aktiviteteve politike, kam ndarë disa vite pune akademike ne Maqedoni, ku bashke edhe me të nderuarin, Profesor Luan Hajdaraga, jemi përpjekur për të dhënë një kontribut modest në forcimin dhe konsolidimin e mësim-dhënies në gjuhën shqipe në universitetet në Maqedoni.
Kanë qene kohë të bukura dhe kemi kaluar shumë mirë, dhe sot u hidhërova pa masë kur në mëngjes mora vesh lajmin për ndarjen e tij nga jeta. Marko ishte një përfaqësues i denje i qytetarisë beratase, një politikan tepër i moderuar, përfaqësues tipik i një social-demokracie të kulluar, diplomat karriere i shkëlqyer, profesor i jashtëzakonshëm, familjar shembullor dhe mbi të gjitha një njeri tepër dinjitoz, me karakter të fortë, që kurrë nuk bëri kompromise me të keqen por u ndesh, kurrë nuk i hapi rrugë të keqes dhe nuk u pajtua me të. Dhe për atë që Marko ishte dhe përfaqësonte, ai pagoi një kosto të jashtëzakonshme politike, pasi xhahili Edi Rama e përzuri me dhunë nga PS.
Koha tregoi se Edi e kishte strategjinë që PS-në ta zëvendësonte me sektin pervers të rilindjes, si dhe Markot dhe Luanët ne parlament t’i zëvendësonte me horrat, hajdutët, banditët, kriminelët e rilindjes. E la xhahili rrugëve Markon pa pune, por natyrisht Marko ishte profesionist dhe i zoti dhe nuk kishte dhe as pranonte lëmoshat e Edi Ramës, gjithsesi Edi nuk i ofroi asgjë as Markos dhe as Luanit, pavarësisht se ishin themelues të PS-së, kontribuues të jashtëzakonshëm të demokracisë sonë të brishtë, dhe vlera kombëtarë e padiskutueshme. Kulmi i hipokrizisë është kur kryeministri bën sikur “qan” me lot krokodili apo bën statuse “ngushëlluese” në rrjetet sociale për ata që i zhduku barbarisht, pa burrërisht, padrejtësisht dhe pabesisht nga politika, sit ë mos ishin, sit ë mos kishin ekzistuar kurrë.
Me Engjëll Daklin më ka bashkuar karriera politike dhe administrative gjate viteve të para të demokracisë, kohë gjatë së cilës Engjëlli shërbeu si model i zyrtarit në pozicione Ministri, Deputeti dhe Kryetar Bashkie në Elbasan. Qytetar dinjitoz i qytetarisë elbasanase, intelektual i mirëfilltë, menaxher i përsosur, njeri shumë i thjeshtë dhe shumë popullore. Pavarësisht se Marko ishte majtas dhe Engjëlli ishte djathtas, ata që të dy kishin të njëjtin kostum politikani, të njëjtin stil, të njëjtin model politik, ai i politikanit profesionist, të ndershëm, të përkushtuar, intelektual, patriot që e don popullin dhe vendin e vet, që hyn në politikë për t’i dhënë dhe jo për t’i marrë si këta hajdutët që kemi sot që s’kanë të ngopur së vjedhuri.
Fatkeqësisht me ikjen fizike të këtij brezi qytetarie, të kësaj gjenerate idealistësh, të cilët çdo ditë e më shumë ngjanë si “racë në zhdukje”, po ikën edhe modeli i tyre politik, model që po shuhet gradualisht. U prehshi në paqe miqtë e mi Marko dhe Engjëll, ju e bëtë detyrën tuaj ndaj kombit, parajsa qoftë shtëpia juaj e fundit! Ngushëllime familjeve të tyre të mrekullueshme si dhe të gjithë shokëve dhe miqve, të cilëve do t’iu mungoni shumë. Ne do ta vazhdojmë luftën me të keqen e madhe që ka pllakosur vendin, deri sa ta zhdukim këtë të keqe të tmerrshme, dhe do ta zhdukim pa diskutim!/Gazeta Liberale