Vetëvrasja e Hamid Badoui, një maroken 42-vjeçar që kishte jetuar mbi 10 vite në Itali, ka shkaktuar reagime të forta. Ai e kreu vetëvrasjen në burgun e Torinos, pasi kishte qëndruar për rreth një muaj në kampin e Gjadrit në Shqipëri. Sipas avokatit të tij, Hamidi kishte thënë: “Më mirë në burg në Itali, sesa në Shqipëri.”
Organizata Amnesty International reagoi menjëherë, duke e quajtur këtë ngjarje një pasojë të drejtpërdrejtë të politikave të ashpra ndaj emigrantëve. Amnesty kërkon që menjëherë të ndalen transfertat e emigrantëve drejt Shqipërisë dhe të nisë një hetim i pavarur për këtë rast.
Sipas tyre, kampet si ato në Itali (CPR) dhe ato të reja në Shqipëri janë vende ku njerëzit vuajnë, nuk kanë akses në kujdes shëndetësor, ndihen të braktisur dhe shpesh reagojnë me vetëlëndime apo vetëvrasje. Ata thonë se këto qendra nuk janë zgjidhje, por përkeqësojnë situatën dhe shkaktojnë vuajtje.
Amnesty thotë se modeli që po ndjek qeveria italiane – duke dërguar emigrantët në Shqipëri – është më shumë propagandë sesa zgjidhje e drejtë. Ata kërkojnë që Italia dhe Bashkimi Europian të gjejnë mënyra më njerëzore dhe më të drejta për të trajtuar emigracionin.