Kombëtarja shqiptare do të luajë sot ndaj Letonisë ndeshjen e katërt, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit.
Tekniku kuqezi ka dorëzuar në UEFA, listën me 23 lojtarë që do të jenë të gatshëm për të luajtur.
Në listën zyrtare, rikthehen dy futbollistë, të cilët u lanë jashtë për ndeshjen ndaj Serbisë.
Bëhet fjalë për mbrojtësin Adrian Bajrami dhe mesfushorin Medon Berisha, të cilët sfidën e fundit në Tiranë e ndoqën nga tribuna. Këtë herë, Silvinjo ka lënë jashtë, portierin Mario Dajsinani dhe mesfushorin Adrion Pajaziti.
Ndaj Letonisë do të mungojnë gjithashtu edhe Berat Gjimshiti, për shkak të pezullimit me kartonë dhe mbrojtësi tjetër, Arlind Ajeti, i cili vuan një dëmtim në kofshë.
Ndeshja Letoni-Shqipëri luhet mbrëmjen e kësaj të marte.
Formacioni i mundshëm:
Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj (Balliu), Ismajli, Kumbulla, Mitaj; Asllani, Shehu, Bajrami (Laçi); Hoxha (Muçi), Broja, Manaj (Daku)