Këngëtarja Ronela Hajati ndau një nga çmenduritë e saj. Me guximin dhe origjinalitetin që e karakterizon, ajo zbuloi se në vitin 2010 kishte planifikuar të ngjitej në skenën e “Këngës Magjike” brenda një arkivoli të zbukuruar me gurë, një skenografi simbolike për të përcjellë mesazhin e rilindjes artistike, një metaforë e kthimit në jetë përmes artit.
E vendosur dhe vetëm 20 vjeç, Ronela kishte shkuar në një shtëpi funerale për të marrë arkivolin “me qira”, pa e ditur se pas gjithë përpjekjeve të saj, do të përballej me një ndalim të papritur, një vendim i marrë pas një bisede të heshtur e të sinqertë midis babait të saj dhe Ardit Gjebreas.
Babai i këngëtares, i shqetësuar dhe emocional, kishte kërkuar personalisht që ajo të mos shfaqej në publik në atë mënyrë, duke e quajtur atë skenë “gjënë e fundit që do të donte të shihte në jetë”.
Ardit Gjebrea: Cili ka qenë viti kur ke dashur që të dalësh me arkivol në skenë?
Ronela Hajati: Viti 2010. Doja që të bëja një gjë që të dilja në finale dhe shkoj e kërkoj arkivol me qira, nëpër shtëpi funerale. Shkoj atje, kam qenë 20 vjeç, i thashë atij: “Dua një arkivol, por do të ta kthej.” Dëgjo, tha ai, “këtu çfarë merret nuk kthehet më.” “Jo, do të ta kthej”, i thashë, “do të ta marr me qira, më thuaj vetëm sa lekë bën.” Do ta merrja, do ta vishja me gurë, me zor i kisha gjetur ato lekë. Thashë: e gjetëm arkivolin. Ai më tha: “Merre e bëji çfarë të duash, vetëm ma sill siç është”, se u habit.
Unë e kam shumë qejf mistiken, misteriozen, më pëlqen shumë kjo botë edhe në libra, t’i lexoj. Doja që të sillja diçka që unë edhe nga e keqja dhe nga vdekja ringrihem. Vdekjen duhet që ta bënim në kuptimin e parë të fjalës dhe e solla, çdo gjë ishte në rregull. Pastaj ndodhi një gjë që e kam marrë vesh shumë më vonë. Mua, vetëm kur më thotë Arditi një ditë, a dy ditë para, nuk e mbaj mend…
Ardit Gjebrea: Ti doje të dilje në skenë me arkivol?
Ronela Hajati: Po, do dilja në skenë me arkivol unë, do thyeja arkivolin, do bëja hatanë. Në fillim më thotë: “Mirë, e pranojmë si ide.” Vetëm kur më vjen një ditë para, më thotë: “Ronela, nuk ka arkivol.” Si do ves, unë thashë tani?!
Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi? Marr një telefonatë nga babai i Ronelës dhe më thotë: “A mund të takohemi pak?” Takohemi, e pashë shumë të shqetësuar. “Kam një problem,” tha. “Unë gjithmonë e kam përkrahur Ronelën në çdo gjë që ka bërë, por këtë herë jo. Nuk mund ta shikoj vajzën time me arkivol në skenë. Prandaj, të lutem, ma evito. Është gjëja e fundit që do të doja të shihja në jetë. Të lutem, evitoje.” Dhe kështu u bë.
Ronela Hajati: Unë këtë e kam marrë vesh pasi babi ndërroi jetë. Ronela Hajati ishte e ftuar sot më puntatën e tretë të spektaklit “25 vite Kënga Magjike”, në emisionin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ku edhe tregoi historinë e saj.