Endri Shabani, kryetari i Nismës Thurje, u shpreh se ndjen keqardhje sepse ka humbur një mik, duke iu referuar Adriatik Lapajt.
“Kishim komunikim me zotin Lapaj dhe krejt papritur pashë që më kishte akuzuar publikisht. Në këtë presion që po më bëhej, reagova në mënyrë më të ashpër sesa do të kisha dashur unë të reagoja. Duke iu përgjigjur unë njësoj, i dhamë njerëzve një imazh që mund t’ia kishim kursyer. Keqardhja është që unë kam humbur një mik. Adriatik Lapajn e njoh që kur ishte student dhe më vjen keq që nuk mund të kemi më miqësi pas asaj që ka ndodhur”, tha Shabani në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
“Para një ore kam komunikuar me të dhe po përpiqemi që të gjejmë një zgjidhje, që mos të jetë avantazhuese as për mua, as për të. Mesa kuptoj, ne do të shkojmë drejt një kandidateje grua, që do të vijë nga Shqipëria Bëhet. Kleana Xhuveli do të bëjë një punë po aq të mirë sepse ne jemi ekip. Nëse Kleana Xhuveli, e cila e ka revokuar dorëheqjen, ka dakordësinë e të gjithëve, të shkojë ajo në Parlament. Është vajzë e re, juriste dhe po aq e mirë sa Endrit Shabani dhe Adriatik Lapaj. Ajo përfaqëson “Shqipëria bëhet”. Nuk ka pasur kurrë pretendim nga Nisma Thurje për të marrë mandat”, deklaroi Shabani.
“Ku ka demokraci, ka tension. Pas kësaj që ndodhi, jemi të gjithë shumë të dëshpëruar pasi vite të tëra punë janë dëmtuar dhe na duhet shumë kohë për të rifituar besimin e publikut. Doja që debatin mos ta kishim bërë në publik, pasi edhe medias i ka shërbyer pasi ka hequr vëmendjen nga çështje më të mëdha në vend, siç është Thethi. Është telenovelë e shëmtuar, do doja ta kishim shmangur këtë”, tha Shabani.
Endri Shabani foli edhe për kërcënimet që ka marrë daja i tij, Zeqir Kordhoni. Sipas tij, Adriatik Lapaj duhet të mbante fjalën.
“Politika e vjetër këtë punë ka bërë 34 vjet. Premtime para zgjedhjeve që nuk mbaheshin pas zgjedhjeve”, theksoi Shabani.
“Zoti Zeqir Kordhoni është ndjerë i përdorur. Ai ka thënë që nuk mund të talleni me mua. Ai është aktivist që në vitin 2023. Ka mbledhur firma, ka shpërndarë fletëpalosje… Në irritim e sipër, ai tha “unë jam burrë, jo politikan”. Ai është ndjerë se Adriatiku nuk është treguar serioz me të. Unë jam përpjekur ta bind, por kur kanë nisur kërcënimet unë nuk e bind dot më, kam humbur mundësinë për të komunikuar dhe e fundit, nuk e di a është e drejtë që ta bind. Unë kam luftuar me modelet e dhunës dhe nuk e pranoj dot si normale që në një konflikt politik, zgjidhja të jetë dhuna, kërcënimi i fëmijëve, gruas, familjes… Nuk dua të hyj në detaje, por ka marrë kërcënime me jetë”, tha Shabani.
Më tej, ai iu kthye kërcënimeve ndaj dajës së tij: “Nuk e kemi as moralin tani që t’i themi një njeriu që i është kërcënuar familja “tërhiqu ti se bënë shaka këta që të kërcënuan fëmijët”. Edhe dje një personazh publik i thonte që “publiku do t’i pështyjë fëmijët e tu kur të dalin në rrugë”. Në një situatë të tillë, zgjidhja është ligjore. Ne mund t’i kërkojmë KQZ-së që të njohë dorëheqjet e dorëzuara në 11 maj. Listën e mbyllur e mbushëm me njerëz që nuk kishin synim për t’u bërë deputet. 6500 njerëz kanë votuar për Adriatikun dhe 3100 për mua. Në asnjë rrethanë nuk ndodh që të gjithë dëshirat e votuesve të përfaqësohen në Parlament”.