Letërsi

“Unë jam Kosovë”, botim i UETPRESS/ Migjen Kelmendi: Kosova- shtet çikë!

Shkruar nga Liberale

“Unë jam Kosovë”, botim i UETPRESS/ Migjen Kelmendi:

Nga Migjen Kelmendi*

Në sympoziumin e organizuem nga ERSTE Foundation dhe ESI (European Stability Initiative), me titull "Return to Europe - Talking Balkans", përsërita kualifikimin tem për lindjen e shtetit të Kosovës, njashtu si e kisha thanë për Ditarin e RTK, me 18 Fror 2008: Kjo foshnje, ky NEWBORN, që u quejt Kosova, njimend na lindi shtet, por nji - SHTET ÇIKË!

Fillimisht feministet n'auditor reaguen, por shumë shpejt e kuptuen metaforën që e kisha përdorë. Gazetari Michael Martens, i gazetës me renome „Frankfurter Allgemeine Zeitung", mbas panelit ma kërkoi të drejtën me e citue këtë figurë që përdora për Kosovën shtet. Milica Delević, zavendëse e ministrit të jashtëm serb Vuk Jeremić, edhe pse e prekun pak me kualifikimet që ja bana shefit të saj, ma tha në konfidencë se i pëlqeu figura Shtet Çikë. Më tha se i ka 2 çika dhe nuk ju ndahej me telefon tanë kohën tuj i pyet si janë e çka po bajnë. Kisha reagime të shumta për figurën SHTET ÇIKË, edhe gjatë koktejit, dhe kjo më bani me i kushtue pak vend në këte editorial kësaj metafore.

ÇKA DOMETHANË KOSOVA - SHTET ÇIKË?

Njashtu si u mundova me spjegue edhe n'Vjenë, në nji kontekst ballkanik, ku etnonacionalizmi asht rampant dhe arsyeja e krejt luftave të fundit n'Ballkan (Shteti Komb asht pak-a-shume arsyeja finale e historisë kuptue nacionalistash), Kosova, njashtu si u përshkrue n'Deklaratën e Pamvarësisë, përkufizohet si Shtet Qytetar, multietnik, i ndertuem mbi ligjin dhe të drejta. Kjo s'asht kurgja tjetër pos SHTET ÇIKË (sic!), konstatova. Kështu edhe reaguen nacionalistat. Për Ballkanin jo vetëm nacionalist, po edhe maçoist e patriarkal, SHTET DJAL kishte me qenë Shteti Komb, e jo ky far shteti hajgarallëk, ku krejt janë njisoj e të barabartë.

I kujtova reagimet e ultranacionalistave si Kraja e Kurti, të cilët edhe Flamurin e Kosovës, edhe Deklaratën për Pamvarësi, edhe Kushtetutën edhe krejt Shtetin e Kosovës kanë aftësi dhe kapacitet me i pa vetëm si zgjidhje emergjente. Të dhunshme. Te përkohshme. Me e pa Kosovën si Shtet i Tinës (Tina Kaidangw, ambasadorja e SHBA në Kosovë) 50, si e quejnë me pezhorativitet. Bile, Kurti kishte aftësi si askush tjetër, me pa në ngjyrën e kaltërt të Flamurit të Kosovës, ngjyrën serbe(sic!). Imagjinojeni traumën dhe dimensionet e kësaj drame të këtij djali kur, sa here e çon kryet n'qiell shef - qiellin mbushun me serbë e me flamura serbë!

Po, hiq ma pak i traumatizuem dhe i talentuem me pa anmiq në ngjyrën e kaltër nuk ishte as ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremić i cili, me ato piskama e kukatje, "O Zot njimend Kosova u ba shtet dhe po e njofin...çbajeni Kosovën...çnjiheni Kosovës.., na dëshmoi se sa here ky ministër, djal i ri, kqyr n'qiell, e shef qiellin e mbushun me të kaltrën e Kosovës Shtet. Dhe, si po e shifni nga këto reagime, etnonacionalizmi i afron njerëzit, i ban t'afërt, të ngjajshëm. Si Kurtin e Jeremić'in. Si Čosić'in e Qosjen. Krejt çka dijnë këta me thanë asht: hajde ta ndajna. (Serbia me aktet e fundit ka fillu me e realizue planin e saj të ndamjes, n'ambicie me krijue nji "Republika Kosovska".)

Në këte kontekst, KOSOVA - SHTET ÇIKË, na del si zgjidhja ma e mirë dhe shembull i nevojshëm për me i ndihmue shtetet e Ballkanit me dalë e me pshtue nga këto keqkuptime e fatalitete etnonacionaliste. Kosova asht EXIT nga ky pshtjellim që për xhynah na i ka pshtjellue njerëzit e po kanë aftësi e talent që në ngjyrën e Kaltër me pa - Anmiq!

* Shkrimi është shkëputur nga libri i publicistit Migjen Kelmendit "Unë jam Kosovë", botuar nga UETPRESS në 2023-shin. Autori e ka publikuar për herë të parë artikullin në gazetën "JAVA", më 10 prill 2008.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH