Letërsi

RECENSË nga Remzi Lani për "Koli i Bardhës shkon në Afrikë", botim i UETPRESS: Një udhëtim në kërkim të vetvetes

Shkruar nga Liberale

RECENSË nga Remzi Lani për "Koli i Bardhës shkon në

Nga Remzi Lani

Sokol Ballën e kam njohur kur ai kishte gjysmën e moshës sime, unë 30 dhe ai 15. Në shtëpinë e tij, diku afër ambasadës polake, ku unë shkoja herë pas here për të qepur ndonjë palë pantallona te Luli, babai i tij, i cili përveçse një mjeshtër i pashoq i kamerës në televizionin shqiptar, ishte edhe një rrobaqepës elegant, jashtë prerjeve të mërzitshme të kohës. Më pas, një ditë Luli e solli deri te dera e redaksisë së Zërit të Rinisë, që unë drejtoja, dhe Koli më vuri në tryezë krijimet e tij. Ishte me pantallona të shkurtra, veshje jo fort e përshtatshme për ndërtesën ku ishte vendosur redaksia, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Më thërriste xhaxhi, nuk e di ngaqë i dukesha i vjetër, apo se po të më thërriste me emër do të përbënte një shkelje të etikës së kohës. (Dhe në të vërtetë, me humor, Sokoli vazhdon të më thërrasë xhaxhi edhe sot, si për të kujtuar hapat e tij të parë në gazetari).

Kur Sokoli më kërkoi të shkruaja dy fjalë për librin e tij të radhës me titullin "Koli i Bardhës shkon në Afrikë" duke më dërguar fillimisht kopertinën i thashë po, pa pritur të shihja të gjithë tekstin. Nuk e di nëse kjo ndodhi për shkak të Kolit apo për shkak të Afrikës, kontinentit magjepsës, me atë tërheqjen e fshehtë dhe të pa rezistueshme, që quhet "sindroma e Afrikës, dhe që kush ka udhëtuar atje, ose së paku ka lexuar Kaputchinsk-in, mund ta kuptojë çfarë është. Sipas kësaj sindrome mund të refuzosh një udhëtim në Berlin apo Paris, por kurrsesi një udhëtim në Maputo apo në Windhoek, mund të shmangësh një shëtitje në Oxford Street, por jo një safari në shkretëtirën e Kalaharit.

Libri i ri i Sokol Balles është, siç e thotë edhe vetë, “një udhëtim nga Etosha Park, në qetësinë e Botës si lindi, në Groenlandë, në qetësinë e Botës që po ikën. Janë shënimet, përshtypjet, reflektimet e një udhëtari të paepur, për të cilin të udhëtosh do të thotë të jetosh. "To Travel is to Live", thoshte përrallëtari i famshëm danez Hans Christian Andersen. Dhe nuk e di se kush thoshte "udhëto sa më larg, që të gjesh vetveten.

Në një kuptim, udhëtimi i Ballës nga Kepi i Shpresës së Mirë në Groenlandën ku po shkrin jo vetëm akulli, por me sa duket edhe shpresa; nga stadiumi i Erevanit ku kombëtarja jonë një herë fiton dhe një herë pëson disfatë në rrugët e rrezikshme të Tiraspolit, ku ariu rus nuk ka ndërmend të largohet; nga viti 1385 në Teheranin e jetëve paralele, në 6 janarin 2021 në shkallët e Kapitolit kur bota ka ndryshuar për keq më shumë nga ç'mendohet, pra në një kuptim është një rrugëtim në kërkim të vetvetes në botën e djeshme dhe të sotme.

Nëse do të duhej që me një fjali të përmblidhja se çfarë është ky libër do të thosha: Gjeografi, Histori, por edhe pak Politikë dhe Futboll. Asnjëra nga këto nuk i shpëton interesit dhe pasionit të autorit, domethënë të udhëtarit.
Në kohën e rikthimit të gjeografisë si faktor përcaktues në zhvillimet e botës së sotme, kur hartat janë vënë përsëri në tryezë për t'u rivizatuar, Sokol Balla lëviz sa nga një kontinent në tjetrin, nga hapësira post-sovjetike (në fakt ende shumë sovjetike) në ngushticat post-koloniale, nga Perëndimi i afërt në Lindjen e largët, i shtyrë jo vetëm nga kureshtja njerëzore, por më shumë nga pasioni i gazetarit, gjëja e parë, por jo e fundit që ai di të bëjë mirë. Dhe bashkë me gjeografinë, historia është ajo që e tërheq gazetarin, nga Egjipti i lashtë te Piana degli Albanesi në Sicili, nga Asmara në Eritrea te Krimea në Ukrainë.

Balla shkel në librin e tij në teatrot kryesorë të gjeopolitikës së sotme dhe krahas nënshtresave politike dhe historike, ai nuk mënon të cekë edhe faktorët kulturorë dhe fetarë, duke ofruar kontekste interesante. Pasioni i tij prej tifozi të vërtetë futbolli jo vetëm që e çon nga një stadium në tjetrin, nga Allianz Arena e Mynihut e idhullit të tij Franz Bekenbauer te JNA Stadion (Jugoslovenske Narodni Armije) i Beogradit ku një shqiptar që të gjithë ia dinë emrin ngriti dronin e famshëm që çoi në atë që është e njohur për të gjithë tashmë, por e detyron ta shohë botën edhe nga prizmi i topit të rrumbullakët, ose nga i vetmi variant i pakontestuar i nacionalizmit që mbetet futbolli, sipas Borges-it.

Nëse dikur, në mënyrë provokuese, Balla e pat quajtur kolonën e tij të përjavshme në revistën Java si "Antishqiptari", në faqet e këtij libri ai shfaqet si "Antiprovinciali", pra jo tamam një kozmopolit, një kostum që duket se nuk e ka qejf, por asnjëherë si provincial, shqiptar, apo ballkanas, një sëmundje që shpesh të kap pa e kuptuar. Të udhëtosh me mendje të hapur, jo gjithmonë është e lehtë, por Balla e bën këtë lehtësisht. Dhe e bën duke shmangur korrektesën e lodhshme dhe të mërzitshme politike, domethënë censurimin e vetvetes.

I shkruar me elegancë, herë me një bird's eye nga larg, herë me lupën e një detajisti skrupuloz, herë me ironi dhe herë me skepticizëm, libri i Sokol Ballës është një sprovë sui generis. Siç e thamë në fillim, në kërkim të vetvetes.

*Parathënia e librit të gazetarit Sokol Balla, "Koli i Bardhës shkon në Afrikë" botuar nga UETPREES

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH