RUBRIKA DITORE E LIBRIT E PËRZGJEDHUR NGA LIBERALE.AL
Titulli: Manjola
Autor: Erjeta Kici
Kolana: Autorë Shqiptarë
Gjinia: Roman
Viti I Botimit: 2023
Çmimi: 1000 Lekë
Botues: Dudaj
Numri i faqeve: 232
Mbi librin:
Vila “Fisher”, e ndërtuar në një zonë të qetë të Bavarisë, fshehur syve të kaltra të liqenit të Shtarnbergut, ishte dhurata martesore e kontit Gustav Fisher për të shoqen e tij, të dytën, me origjinë italiane. E njohur nga të gjithë si “diamanti i fshatit” për shkak të pishinës në formë diamanti që stoliste oborrin madhështor, vila ishte pikë referimi për pushimet verore të një prej dinastive më të vjetra vjeneze. Ngritur në një hapësirë të bollshme plot hijeshi e gjallëri, me dy kate, shtëpia rrethohej nga disa shkallë që përcillnin harmoninë dhe fshehtësinë e netëve verore, kur hëna lozte me yjet e sillej rrotull një ballkoni që bashkonte cepat e ndërtesës.
Parku madhështor, i ndarë në dy oborre të vogla, i ndërtuar plot kujdes nga mjeshtërit e gërshërës, krijonte vend çlodhës nën hijen e pemëve shekullore që përshëndetnin statujat e shumta të shpërndara nëpër lulishte. E verdhë, e veshur antike nga ai që ëndërronte të bëhej pjesë e asaj familjeje, arkitekti Vilhem Kuper, shtëpia e trishtuar shikonte e palodhur statujën dhe një pallua që, edhe pse e dinte që po e vëzhgonin, nuk e ktheu kurrë kokën të shikonte shoqen e saj të fëmijërisë, edhe në ditët kur pati pikëllime në zemër e ndërhyrje kirurgjikale në trup.
I vetmi ngushëllim që i kishte mbetur ishin degët e “Manjolës”, pema që prej vitesh arriti të mbante pranë vetes, duke i folur fjalë të ngrohta netëve të ftohta të dimrit e duke e përkëdhelur si fëmijë netëve të gjata të verës. Në krahët e saj, ajo shtëpi kaq e dhembshur harronte vuajtjet e tërë kohërave të jetuara midis dritës dhe errësirës, lotit dhe gëzimit, midis mirësisë dhe ligësisë. Deri në vitin 1991, kur trashëgimtarja e fundit e dinastisë, kontesha Amalia Fisher, ishte në jetë, vila ishte e njohur me emrin vila “Fisher-Grant”, por pas vdekjes së saj (trupi i së cilës nuk u gjet kurrë, por u deklarua e vdekur vite më pas për shkak të ndërresave që Starnbergu solli në breg), vila i kaloi me ligj e rregull djalit të vetëm të bashkëshortit të saj, Filip Grantit. Mjeku që banon sot në atë vend, i ndërroi emrin dhe shtëpia i tregohet botës me emrin “dr. Filip Grant”.
Pak nga jeta e autorit:
Erjeta Kici ka lindur në vitin 1978 në qytetin e Kavajës në një familje arsimtarësh. Në vendlindje mori dhe mësimet e para dhe shkollën e muzikës. Shkollën e mesme e kreu në Tiranë.
Që në moshë të vogël kishte pasion për librat e lexonte vazhdimisht , duke jetuar në botën e tyre të magjishme . Erjeta ka shkruar tregime dhe poezi, pergatiti dhe botoi romanin "Për një fjalë më shumë" në vitin 2005, botim i shtypshkronjës Guttenberg. Në vitin 2008 boton romanin "Zemra e fundit" Botim i shtëpisë botuese Emal Tiranë. Pritet romani i saj i tretë " Një jetë në kërkim" pret të botoje librin poetik : " UNE KAM LINDUR POEZI !". Aktualisht, Erjeta jeton në Itali. Poezitë janë shkëputur nga libri poetik.