Njëqind vjet pasi gjyshi i tij shkroi historinë si presidenti i parë i Republikës së Shqipërisë, Princ Leka thotë, se edhe pse mund të duket pak ironike për shkak të origjinës, Ahmet Zogu kishte vizionin për ta bërë Shqipërinë europiane.
Promovimin e librit të publicistit Roland Qafoku, botuar nga shtëpia botuese UET Press, Princ Leka e quajti një aktivitet të çmuar që kujton të kaluarën, sakrificat dhe luftrat që janë bërë për të pasur institucionet që kemi sot.
“Mund të jetë pak ironike se si një trashëgimtar i krahinës matjane të jetë pjesë e krijimit të shtetit dhe Republikës së parë shqiptare. Duhet kujtuar se mbreti Zogu ka pasur vizionin e tij, në harmoni me vizonin e Napoleonit III të Francës. Është krejtësisht e natyrshme që Shqipëria për të lindur kishte nevojë të sigurojë një ndarje nga Princ Vidi, duke kaluar në Republikë me një mision që të ribashkohej në frymën europiane. Prandaj këtë aktivitet e ndiej krejtësisht të çmuar, duke përkujtuar një moment historik, momentet e para të themelimit të shtetit e Republikës.
Është një ndjesi e veçantë që ne të reflektojmë, të kujtojmë se çfarë institucionesh kemi trashëguar ndër vite, vijnë me shumë sakrificë, me luftëra, për një Shqipëri të pavarur me një vizion krejtësisht evropian.”
Më tej Princ Leka, i cili ka qenë edhe këshilltar politik i ish-presidentit Bujar Nishani gjatë viteve 2012-2013, tha se libri do të ngjallë diskutime por kjo është pjesë e demokracisë.
"Nëse nuk kemi mundësi të shohim historinë në të gjitha anët, pozitive dhe negative të saj, është e vështirë të ecet e para."