Letërsi

“Kosovo, Sovereignity vs Integrity”, UET Press/ Besnik Mustafaj: Një studim përfshirës që duhet të jetë në bibliotekat tona

Shkruar nga Liberale
“Kosovo, Sovereignity vs Integrity”, UET Press/ Besnik Mustafaj:

Fjala e shkrimtarit dhe përkthyesit, ish-ministrit të Jashtëm Besnik Mustafaj gjatë promovimit të librit “Kosovo, Sovereignity vs Integrity” me autor Arben Çejkun, sjellë në anglisht nga shtëpia botuese UET PRESS.

Unë jam një nga lexuesit e parë në dorëshkrim të punimit të Arben Çejkut. Atëherë i thashë se do të pranoj ta lexoj si mik, por nuk jam i detyruar ta pëlqej. Në qoftë se libri më pëlqen unë do të jem shoqërues, aq sa mund të jetë një lexues shoqërues i librit. U impresionova nga cilësia e punës që kishte bërë Arben Çejku. Ishte një punë dhe një qasje që unë nuk ia njihja. Çejkun e njoh prej 30-vjetësh, pak më shumë. Kisha lexuar shkrimet e tij në gazetë, kisha lexuar relacionet që më çonte kur isha ministër i Jashtëm dhe ai ishte me misionin tonë në Kosovë, por thellimi me këtë punim nuk e lejonte as gazetarin të ishte gazetar dhe as diplomatin të ishte raportues diplomatik i një historie shumë të komplikuar, shumë të pasur, shumë të rëndësishme, në radhë të parë për Kosovën dhe Serbinë, por po aq të rëndësishme në njëfarë mënyre për të gjithë shqiptarët, dhe më gjerë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Në thelb, Çejku kishte gjetur këndin që i duhej një punimi të tillë për të qenë i pasur me informacion, duke shfrytëzuar mundësinë që ka pasur gjatë 10 viteve si diplomat i nivelit të lartë, qoftë në Kosovë, qoftë në Maqedoninë e Veriut, për të marrë informacione konfidenciale, për të marrë edhe njohje të drejtpërdrejtë në terren të problematikave dhe profesionistëve, të udhëheqësve të proceseve, për t’i pasuruar këto me lexime dhe për të gjetur këndin. Ashtu si në muzikë që vihen në krye të pentagramit çelësat muzikorë, ashtu edhe në një punim të tillë ka rëndësi qasja. Kjo përcakton jo vetëm ritmin, por edhe dritën që hedh autori mbi informacionin, mbi opinionet, mbi bindjet, mbi hipotezat, tezat dhe konkluzionet, përfundimet që ai nxjerr.

Duke shfrytëzuar edhe përvojën e gazetarit për të shkruar me një gjuhë të zhdërvjellët dhe të qartë, edhe përvojën e diplomatit për t’i vënë tashmë në shërbim publikut informacione dhe qasje interesante, Çejku ka bërë një punë, do të thosha pa hezitim, shumë të mirë, që meriton vëmendjen e publikut dhe të atyre që merren drejtpërdrejtë më çështjen e Kosovës dhe me rajonin tonë në përgjithësi.

Autori e lajmëron që në titull se shqyrtimi përfshin vitet 2005-2020. Në të vërtetë, duke pasur një koncept të qartë se historia nuk fillon në 2005 dhe duke pasur një koncept të qartë se pa e treguar gjenezën, nuk mund të jenë të kuptueshme shtjellimet mbi aktualitetin, Çejku në këtë libër e hedh vështrimin që në fundin e viteve ’80-’90, kur fillon dhe qartësohet një pavarësim perspektiv të Kosovës. Kjo bën që në librin e tij, si në asnjë punim tjetër nga ata që kam lexuar unë lidhur me Kosovën, ne e gjejmë të portretizuar në mënyrë sintetike elitat që e kanë udhëhequr këtë proces, që nga zanafilla postkomuniste deri në pavarësi dhe që pastaj janë të njëjtat elita që kanë udhëhequr periudhën më të komplikuar të shpalljes së pavarësimit dhe të rifillimit të  procesit të shtetformimit në Kosovë.

Ajo çka bie në sy është përmbledhja në një shprehje sintetike e të gjithë kësaj problematike në boshtin sovranitet-integritet. Kemi të bëjmë me paraqitjen analitike të këtyre elitave që thashë dhe që Çejku i paraqet qartë. Në qoftë se deri në ’99 në kohën e luftës, kishin një pikësynim të përbashkët këto elita, kishin divergjenca, dallime shumë të theksuara për rrugën se si mund të arrihej te pavarësia.

Kemi koherentin e Rugovës, LDK-së me rezistencën e tyre paqësore, kemi koherentin e UÇK-së, dhe të formacioneve të tyre politike që ishin drejtpërdrejtë për luftën e armatosur. Ky është një bashkim, jo për t’i kompromentuar, sesa për t’i paraqitur të dy, duke i dhënë një pamje të qartë lexuesit dhe kujtdo tjetër që interesohet për vështirësitë por edhe për pasurinë e ideve dhe të praktikave politike që e kanë shoqëruar qysh në zanafillë këtë proces. Kjo më duket mua e rëndësishme.

Po ashtu, Çejku e sheh problemin e sovranitetit, pra të shtetformimit të Kosovës, si një proces i lidhur në mënyrë të pashmangshme për zgjidhjen e pajtimit me Serbinë, përmes dialogut me diplomacinë ndërkombëtare, posaçërisht me diplomacinë euroatlantike. Çejku e shpjegon në mënyrë të pasuruar, sepse niset nga përvoja e një shteti të ri, i cili në perceptimin e parë nevojën e ka për sovranitet, duke e shpjeguar brenda modelit të logjikës dhe hapjes që ka sovraniteti te vendet që kanë arritur integrimin. Nuk sheh një sovranitet nacionalist, kundërshtues, refuzues, por një sovranitet që e fuqizon si faktor integrimin e republikës së Kosovës dhe jo si faktor destabiliteti për fqinjët e tjerë.

Mua më duket se me këtë punim, Arben Çejku, megjithëse është i pari i këtij lloji, ka arritur të na japë një rezultat që e bën jo vetëm të përligjur karrierën e tij në diplomaci, por na bën të bindemi se kalimi në diplomaci, dhe në këtë kuptim është një lloj shembulli unik deri tani, ka zgjuar te ky personalitet pasionin dhe përgjegjësinë për t’i dhënë përvojës së tij një dobi publike, një dobi kombëtare. Ka shumë ish-ambasadorë sot, në moshën e Arben Çejkut, më të rinj apo më të moshuar se ai, të cilët i shohim në rastin më të mirë të shkruajnë ndonjë libër kujtimesh. Sigurisht që këta libra kanë rëndësinë e tyre, por përvoja që ata kanë marrë duke i shërbyer shtetit është e rëndësishme edhe për rëndësinë publike.

Më duket se ky libër ka mbushur një boshllëk në studimet tona sot. Kemi me mijëra artikuj të shkruar nga gazetarë apo jo gazetarë, mbi zhvillimet në Kosovë, mbi dialogun Prishtinë-Beograd, mbi problematikat që ka ky dialog, mbi rolin e europianëve, amerikanëve, apo rolin e rusëve, por janë opinione të shpërndara. Nuk kam parë shumë, ose kam parë shumë pak, për të mos thënë fare, një studim të tillë përfshirës, i cili të jetë në bibliotekat tona dhe jo vetëm, për çdo elitë që interesohet ta kuptojë së çfarë ka ndodhur, çfarë po ndodh dhe ku rrezikohet të shkohet e ku synohet të shkohet. Janë dy gjëra të ndryshme rreziku për të shkuar në një rrugë dhe pikësynimi për të shkuar në një rrugë tjetër. Për përkthimin e tij në anglisht e përgëzoj Universitetin Europian të Tiranës, sepse ky libër merr një rëndësi shumë të veçantë. Unë duke qenë një veteran, kam 5-6 herë në vit njerëz nga universitetet nga më të ndryshmet europiane apo amerikane, që më shkruajnë se po bëjnë një punim masteri apo një punim doktorature, që më gjejnë nëpërmjet rrjeteve sociale ose nëpërmjet botuesve të mi dhe që më kërkojnë rekomandime për literaturë për Kosovën.

Kosova ka hyrë në studimet universitare, qoftë në ato që studiojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, qoftë në ato që studiojnë problematikat e rajonit tonë, apo ndërhyrjet e NATO-s në Europë, ku Kosova është rast unik. Të gjitha këto tregojnë se çështja e Kosovës, shtetformimi i saj, e tashmja dhe e ardhmja, janë një problem që meriton vëmendjen e studiueseve universitarë, qofshin studiuesit e ardhshëm, doktorantët apo magjistratët. Unë nuk gjej shumë gjëra që mund t’iu rekomandoj.

Ky libër në anglisht është një ndihmë për të dhënë një pikëpamje të caktuar, e cila sigurisht që është pikëpamja e Arbe Çejkut, por është një pikëpamje që vlen për të kuptuar gjerësinë dhe ndërlikimin që ka ky problem.

Sot ka një evolucion të diplomacisë euroatlantike në qëndrimin ndaj Kosovës, nga refuzimi në vitet ’90 për ta pranuar se ekziston si çështje, nuk u përfshi as në negociatat me Jugosllavinë. Unë kam qenë në atë kohë ambasador në Francë dhe më kujtohet lufta shumë më e madhe diplomatike që bëhej në mbledhje, për të kaluar nga minoriteti shqiptar, te popullsia shqiptare në Jugosllavia. Brenda 17 viteve, nga ky lloj refuzimi i diplomacisë u kalua jo vetëm në një qëndrim proaktiv, që çoi në ndërhyrjen e NATO-s në ’99.

Pas luftës ka një çinteresim të diplomacisë ndërkombëtare. Unë nuk kam statistika, por jam i bindur se në të gjitha kancelaritë e botës nuk ka më shumë se 100 veta që merren me Kosovën. Këta 100 diplomatë, nga Japonia, në Kanada e Australi janë njerëz me mendimet, analizat, sugjerimet e tyre përcaktojnë qëndrimin e politikanëve vendimmarrës të vendeve të tyre. Këta që njerëz që merren me çështjen e Kosovës, edhe në DASH, të cilët unë i kam takuar në vitet e fundit, kanë një njohje shumë të thjeshtëzuar, çka i bën që të shkojnë me propozime shumë të thjeshtëzuara dhe jo realiste, lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe çështjet e mbetura të pazgjidhura deri tani. Ky libër duhet të shkojnë në  duart e atyre njerëzve, që të kenë mundësinë ta kuptojnë gravitetin dhe thellësinë e këtij problemi. Është shumë e vështirë të kuptohet nga të huajt problematika e një vendi.

Po ju tregoj një episod që më ka ndodhur kur isha në Ministrinë e Jashtme. Në fillim të prillit 2007 do të mblidhje Këshilli i Sigurimit për të diskutuar raportin e Ahtisaarit dhe sugjerimet e tij për zgjidhjen përfundimtare. Shkova unë me dy bashkëpunëtorët e mi në New York, për të bërë lobim, për të takuar anëtarët e përhershme dhe ambasadorët e tyre, por edhe anëtarët jo të përhershëm të Këshillit Sigurimit. 

Takoj ministrin e Jashtëm të një vendi të Amerikës Latine, i cili kishte votë njësoj si të tjerët. Fjala e parë që tha: “Ministër e pashë atë dosjen (që kishin përgatitur shërbimet e mia). Çfarë është për 10 mijë km2? Për 10 mijë km2 ne kemi një fermë. Për 10 mijë km2 e bëni veten?”

I thashë se nuk është një problematikë që matet me km2. Ai nuk hynte dot në këtë lloj logjike, sepse në Ande vërtet një fermë ishte 10 mijë km2. Në këtë kuptim, libri i ambasador Çejkut ndihmon shumë për të kaluar nga një njësi matëse, në një njësi tjetër matëse të këtyre problematikave, për ata që kanë vullnet të mirë për ta bërë këtë kapërcim. Unë shpresoj se libri anglisht do të qarkullojë edhe më shumë se libri shqip. Më vjen mirë që libri ka shkuar në duart e Gabril Escobarit, do të isha i lumtur të shkonte edhe në duart e pasardhësit të tij, të ndihmësve, edhe në Bruksel dhe  vende të tjera europiane, në Londër, madje edhe në Moskë po të ishte e mundur.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH