“Njeriu që qesh", romani i Victor Hugo, i botuar fillimisht në prill 1869, trajton jetën e vështirë në Anglinë e fundit të shekullit të 17-të ku ndërthuren elementë të fiksionit gotik me një eksplorim të thellë të padrejtësive sociale dhe natyrës njerëzore.
Kryevepra romantike e Hugoit mbyllet tragjikisht. Ajo nis me historinë e një djali të mitur, i quajtur Gwynplaine, i cili shpërfytyrohet nga një grup që organizonin shfaqje - por më tepër sesa organizatorë eventesh kulturore ishin abuzues e madje kriminelë që ndryshonin pamjen e fëmijëve për t'i bërë ata që të dukeshin sa më argëtues për të pasurit. Ata i ‘gdhendin’ fytyrën dhe i japin Gwynplaine një buzëqeshje të përhershme, gjë që çon në pamjen e tij groteske.
E braktisur dhe e gjendur në të ftohtë në një nate dimri, Gwynplaine shpëton një vajzë të verbër, me emrin Dea. Ata merren dhe strehohen nga Ursus, ‘showman’-i zemërmirë dhe një njeri i dhimbsur pas të varfërve e të dobtëve.
Gwynplaine duke u rritur bëhet një interpretues i shkëlqyer i skenës për shkak të shpërfytyrimit, me audiencën sa e tmerruar nga pamja, po aq edhe e kënaqur nga buzëqeshja e tij. Pavarësisht famës që fitoi, ai shfaqet shpesh i përhumbur nga e kaluara dhe natyra e ekzistencës së tij. Dea dhe Gwynplaine krijojnë një lidhje të fortë dhe të thellë ndaj njëri-tjetrit. Verbëria e pengon Dean të shohë shpërfytyrimin e Gwynplaine çka i jep më tepër mundësi ta dojë atë gjithnjë e më shumë.
Romani merr një kthesë dramatike kur Gwynplaine zbulon se është djali i një fisniku që u tradhtua nga mbreti James II. Titulli dhe pronat e tij i ishin hequr padrejtësisht nga familja, duke çuar në gjymtimin dhe vdekjen e babait. Gwynplaine i rifiton ato dhe më pas rikthehet në pozitat e tij të ligjshme, në Dhomën e Lordëve. Por aty e sheh botën e aristokracisë si të cekët dhe të korruptuar, një kontrast i fortë me jetën e ndershme që kishte kaluar me Ursus dhe Dean e tij të shtrenjtë.
Gwynplaine është i dyzuar mes dashurisë për Dean dhe detyrave të tij si fisnik, si dhe dëshirës për të pranuar pozicionin dhe statusin e ri që do ta pengonte disi për të folur kundër padrejtësive që ai shihte dhe konstatonte çdo ditë.
Në fund të fundit, Gwynplaine refuzon titullin e lartë dhe kthehet te Dea, për të zbuluar nëse tronditja dhe stresi i përvojave të tij kanë ndikuar në shëndetin e saj.
Romani përfundon me një fund prekës dhe tragjik, pasi Gwynplaine vendos ti japë fund jetës kur mësoi se Dea kishte vdekur. Ai hidhet në det, duke zgjedhur të ribashkohet me të në vdekje, zgjedhje më e mirë kjo, sipas gjykimit të tij, sesa të jetonte në një botë të mbushur plot me mizori dhe hipokrizi.
"Njeriu që qesh" vjen si një kritikë e thellë ndaj sistemeve shoqërore dhe politike që krijojnë dhe përjetësojnë pabarazi dhe vuajtje ndaj njerëzve të thjeshtë. Hugo e përdor shpërfytyrimin e Gwynplaine me një mjeshtëri të rrallë, si një simbol të mënyrës se si shoqëria i trajton ata që janë të ndryshëm ose në disavantazh karshi të tjerëve me status dhe pushtet.
Romani vjen si një denoncim i fuqishëm ndaj një bote që vlerëson pamjen e jashtme dhe statusin shoqëror, në vend të vlerave të vërteta njerëzore dhe integritetit moral. Rrëfimi i pasur si të ishte shkruar me germa të arta dhe personazhet e gjalla të Hugo-s e bëjnë "Njeriu që qesh" një vepër bindëse dhe domethënëse duke zënë një vend të rëndësishëm në panteonin e letërsisë klasike.
Victor Hugo lindi më 26 shkurt 1802. Konsiderohet një nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë franceze dhe asaj botërore. Ishin romanet Notre-Dame de Paris (Katedralja e Parisit 1831) dhe Les Misérables (Të Mjerët 1862) që i dhanë atij reputacion botëror. Ai gjithashtu prodhoi një bollëk veprash të tjera poetike dhe lirike. Hugo u shqua po aq edhe si dramaturg teksa zhvilloi teorinë e dramës romantike. Gjeniu i letrave vdiq më 22 maj 1885 në moshën tetëdhjetë e tre vjeçare. Edhe pse e la amanet që ti bëhej një varrim modest, mbi 3 milionë spektatorë e ndoqën kortezhin e tij në Panteon, ku u varros mes njerëzve të mëdhenj të historisë së Francës.