Sot është 89-vjetori i munguar i Ismail Kadaresë. Shkrimtari u nda nga jeta më 1 korrik të 2024-ës. Pavarësisht ikjes fizike ai la pas një emër dhe një trashëgimi të pavdekshme për botën letrare shqipe dhe më gjerë.
Gazetarja Eni Vasili ka treguar pengun e saj, në këtë përvjetor pa praninë e shkrimtarit të madh, i konsideruar gjeniu i letërsisë shqipe dhe pena që njohu Shqipërinë në botë në vitet e izolimit të regjimit dhe më tej. Ikja nga kjo jetë e Kadaresë preu në mes planet për të realizuar intervistën me rrëfimet për fazën e fundit të krijimtarisë dhe mënyrën se si lexohej imazhi dhe vepra nga brezi i ri.
“E lamë disa herë por nuk e realizuam dot intervistën e pestë me Kadarenë”, thotë Vasili me keqardhje, duke sqaruar se pandemia dhe më vonë arsyet shëndetësore e pamundësuan këtë takim.
Vasili është e vetmja gazetare, shqiptare apo e huaj, që ka intervistuar më tepër Kadarenë. Gjatë 20 viteve ajo ka realizuar katër të tilla, nga 2008-ta në 2017-ën, të cilat i solli në ditëlindjen e 88-të të shkrimtarit të përmbledhura në librin “Kadare në studio”, botim i UET Press.
Promovimi u zhvillua në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës dhe pak muaj më vonë, në prill të 2024-ës, në ambientet e COD, Kryeministria. Në këto takime që mblodhën figura të politikës, medias, letërsisë e më gjerë, ishte e pranishme shoqja e jetës së shkrimtarit, e cila ndër të tjera tregoi marrëdhënien e Kadaresë me median dhe gazetarët.
Moderatorja e “Open” rrëfeu frikën, sikletin, mendimet e mundimshme gjatë fazës përgatitore për intervistën e parë të 2008-ës. “Ajo pamje e tij prej gjirokastriti të mençur, pak i rëndë, më bënte të ndjehesha vulnerabël... Kadare, shumë hapur, shumë thjesht, ndryshe nga sa e prisja, më tregoi çdo gjë që e pyeta.”
Në intervistat me Eni Vasilin Kadare ka folur si kurrë më parë për disa nga çështjet, ngjarjet, akuzat ndoshta më të rënda të jetës së tij, duke sqaruar me qetësinë e vet çdo gjë që ia kishin vendosur barrë ndër vite. “Shkrimtari, arti, artisti, filozofi shkruajnë për “popullin tjetër” që do të vijë, kështu natyrshëm vepra e tyre krijon keqkuptime... Nganjëherë do ta duan më shumë, nganjëherë më pak, nganjëherë do të bëjnë sikur s’e duan dhe e duan, nganjëherë do të bezdisen .....”
Pavarësisht se intervistat janë bërë afro një dekadë më parë, Kadare rrëfente se nuk e trembte vdekja pasi vetë letërsia është një art që një pjesë të trupit të saj e ka në vdekje, apo në mosjetë siç ai preferonte ta quante.
“Me sa duket te shkrimtari, meqë letërsia është jetëgjatë, është natyrale kjo ndjenjë. Ata kanë një raport me vdekjen të relativizuar, të zbehur. Kanë bindjen donkishoteske që do të jetojnë shumë vite; unë jam një nga ata, donkishoteskë ose jo, e kam këtë besim, që vepra do të jetojë një kohë, nuk e di sa.”