
Çfarë është Dita e Verës? Është dita kur stërgjyshërit tanë, shumë kohë përpara se të lindte Krishtërimi, kremtonin bashkë me Romakët dhe Grekët e vjetër festën e perëndive të luleve, shelgjeve dhe krojeve.
Kur dimri tërhiqet dhe vera afrohet me buzëqeshjen e saj të hollë e të gjatë, si në një pikturë të Botticellit, zemra e njeriut çlirohet nga një barrë dhe shijon një qetësi e lumturi të ëmbël.
Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin detyrimin t’u falënderoheshin perëndive që sillnin këto mirësi. Kështu lindi festa e hijshme që sot e quajmë Ditën e Verës.
Pas pak ditësh, në Shqipëri, ata që kanë ruajtur besnikërinë e fundit ndaj paganizmit – ndoshta pa dashur dhe pa e ditur – do të zbukurojnë dyert e shtëpive dhe oborret me degë të njoma thanash, dafine dhe shelgu, duke vijuar një traditë të lashtë.
Nuk duhet t’i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Ato nuk i bëjnë dëm askujt; përkundrazi, sjellin një gëzim të pastër në shtëpitë tona.
Në një vend ku jeta e të varfërve është aq e trishtë, të rinjtë gjejnë një rast të rrallë për të festuar. Për mendjet më të ndjeshme, Dita e Verës ka një hijeshi poetike të hollë dhe të veçantë.
Teksti i mësipërm është shkruar nga Faik Konica, eruditi shqiptar i lindur më 15 mars 1875, i cili ndërroi jetë në SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore me amanetin që të prehej në atdhe.
Megjithatë, ky amanet nuk u përmbush gjatë regjimit komunist, i cili e cilësoi Konicën si një “shkrimtar reaksionar” që “hodhi baltë mbi letërsinë shqiptare”, duke e karakterizuar publicistikën e tij si “cinike dhe banale” – siç dokumentohet edhe në dosjen e përndjekjes së shkrimtarit Skënder Luarasi.
Eshtrat e Faik Konicës u kthyen në atdhe në maj të vitit 1995 dhe sot prehen në Parkun e Tiranës, pranë vëllezërve Frashëri.
Burimi: Autoriteti i Dosjeve