Intelektual i rrallë, njohës i mirë i politikës së jashtme dhe diplomacisë, kontribuues i paepur për Shqipërinë, si gazetar, ambasador e publicist. Me ndarjen nga jeta në moshën 80- vjeçare, pena dhe mendimi kritik i Shaban Muratit do të lërë një boshllëk në fushën e studimit të marrëdhënieve ndërkombëtare.
I diplomuar për letërsi në Universitetin e Tiranës, vijoi rrugëtimin e tij në akademi dhe media duke mbuluar sektorin e politikës së jashtme. E nisi si analist dhe shef i redaksisë së Evropës Perëndimore, Ballkanit dhe SHBA-së në Radion e Jashtme (1967- 1983), për të vijuar si shef sektori i jashtëm te gazeta “Zëri i Popullit” (1984-1990), zëdhënës dhe drejtor i Drejtorisë së Shtypit, Ministria e Jashtme (1991-1992) dhe korrespondent i parë i Agjencisë ANSA në Tiranë (1991-1993).
Pas viteve të gjata si studiues nisi rrugëtimin në diplomaci, duke përfaqësuar denjësisht me dijet dhe kulturën e gjerë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Maqedoni në vitet 1993-1997 dhe si ambasador në Mbretërinë e Suedisë gjatë viteve 2002-2007. Po në këto vite ka qenë ambasador jorezident në Finlandë, Norvegji, Islandë. E po ashtu, ka qenë i dërguar Special i Shqipërisë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, OIC, si dhe ka mbajtur poste të rëndësishme brenda vendit.
Përtej artikujve dhe kumtesave shkencore, numëron një sërë botimesh e studimesh në fushën e politikës së jashtme të Shqipërisë, të marrëdhënieve me aleatët dhe vendet ballkanike, teksa prek çështjet e ndjeshme historike të politikës dhe sigurisë.
Shaban Murati ka qenë gjithashtu autor i shtëpisë botuese UETPRESS. Në 2009-ën solli botimin me mjaft vlerë për studentët, pedagogët dhe studiuesit, të titulluar “Profile të diplomacisë europiane në Ballkan”, duke analizuar me mjaft kujdes dhe mençuri shumë aktorë dhe faktorë të asaj që kanë formësuar diplomacinë tonë.
Në parathënien e librit, profesor Ksenofon Krisafi thotë se në këtë botim, ashtu si edhe në të tjerët, Murati është fokusuar në tematikën e tij të preferuar, Serbinë, Kosovën, Ballkanin, por është zgjeruar edhe me subjekte të tjera, gjithaq interesante, si vendi dhe roli i Shqipërisë dhe i Kosovës në këtë skakierë zhvillimesh, BE- ja, vende të veçanta anëtare të saj, SHBA- ja, Rusia, vendet islamike, Kina dhe shumë të tjera.
“Shaban Murati, i afirmuar si një nga diplomatët tanë më me përvojë dhe një nga ekspertët më të mirë të problemeve ndërkombëtare e sidomos të Ballkanit, veçanërisht si njohës i spikatur i skenarëve të zhvillimeve ballkanike të Serbisë në këto kohë turbulencash politike, si autor hulumtues i enigmave diplomatike të pavarësisë së Kosovës, vjen para lexuesit me librin "Profile të diplomacisë europiane në Ballkan"...
Që në shfletimin e parë dallohen lehtë se spektri i vështrimit është i gjerë dhe megjithatë i përcaktuar. Autori e ka drejtuar shikimin e vet në skaje diametrale të hapësirës politike evropiane e botërore, nga Kina e largët te SHBA – ja, Rusia, te vendet islamike, nga vendet afrikane dhe latino – amerikane drejt qendrës së Europës, për t'u ndalur te Gadishulli i trazuar Ballkanik.
Në të gjitha këto pika ai gjen elemente, faktorë veprues a ndikues në zhvillimet ballkanike, por sidomos në qëndrimet kapricioze e tekanjoze të Serbisë së sotme. Dhe gjithçka, në fund të fundit, ai e fokuson tek interferencat e tyre në të ardhmen e Kosovës dhe në konfigurimet e rikonfigurimet e mozaikut të brishtë e kaotik ballkanik”, shkruan Krisafi.
Shaban Murati ka qenë gjithashtu subjekt i një tjetër botimi në UETPRESS. Valbona Nathanaili në “Ambasadorët tanë, pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë”, botuar në 2014-ën, sjell profilet e 13 ambasadorëve të Shqipërisë në SHBA, OKB dhe disa vende të rajonit e Evropës. Një pjesë të konsiderueshme zë ambasadori Murati, me jetëshkrimin, veprimtarinë, rrugëtimin dhe kontributin që la pas në vendet që përfaqësoi Shqipërinë.
Me ndarjen nga jeta të Muratit, pena e papërsëritshme e mendimit të ri diplomatik shqiptar nuk do të jetë më angazhuese, por jehona e saj do të mbetet përgjithmonë.