Arif Lushi, autoportreti i tij
Librazhdi, një qytet i vogël buzë Shkumbinit, i ka të rrallë artistët. Ngaqë janë të rrallë edhe lidhja e artistëve me qytetin e Librazhdit është më e fortë. Ashtu sikurse është e tillë edhe mirënjohja dhe vlerësimi i qytetit për artistët e tij. Të tillë janë çifti i bashkëshortëve, piktori Arif Lushi dhe këngëtarja, Harixhe Lushi, të cilët u nderuan këtë javë me titullin e merituar "Qytetar Nderi" të Librazhdit.
Librazhdi vlerëson bijtë e tij
Bashkia e Librazhdit iu dha titullin “Qytetar Nderi” çiftit të artistëve të mirënjohur librazhdas, Hatixhe dhe Arif Lushi. Ceremonia e dhënies së titullit çiftit të artistëve u organizua në Pallatin e Kulturës “Sadi Halili” të qytetit të Librazhdit ku merrnin pjesë intelektualë të fushave të ndryshme si edhe artistë e qytetarë të shumtë. Kryebashkiaku Mariglen Disha duke përshëndetur të pranishnit gjatë dorëzimit të titullit “Qytetar Nderi” ,dy artistëve e ka cilësuar atë më se të merituar për ta.
“Jemi krenarë që nderojmë me këtë titull të lartë dy figura të shquara librazhdase të artit e skenës. Çifti Hatixhe dhe Arif Lushi të cilëve ju akordua me vendim të këshillit bashkiak titulli “Qytetar Nderi” pasi ata kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë në fushën e artit e skenës dhe Librazhdi krenohet me ta” - tha Disha.
Arif Lushi është një piktor i mirënjohur i cili ka përjetësuar në telajo bukuritë jo vetëm të Librazhdit por të gjithë vendit tonë përmes penelit të tij prej një artisti të talentuar.
Fjala e Ksenofon Dilo, për Arif Lushin
Artisti dhe piktori i mirënjohur Ksenofon Dilo për shkak të moshës nuk ishte i pranishëm në dhënien e titullit. Përmes një videomesazhi që u transmetua në ceremoninë e organizuar nga bashkia Librazhd, ai tha se Arif Lushi mori nga qyteti i vendlindjes së tij si shpërblim mirënjohjejen për gjithçka ka dhënë në mbi 30 vite karrierë artistike.
“Urimet më të mira për nderin e bërë nga bashkia për titullin e merituar, “Qytetar Nderi” dhënë nga bashikia e Librazhdit. Është merita juaj e veprimtarisë së pandërprerë artistike kushtuar qytetit, njerëzve dhe rrethinave piktoreske të Librazhdit” theksoi Ksenofon Dilo.
Në pamundësi për të qenë i pranishëm, ai ka kujtuar veprimtarinë artistike ndër vite të Arif Lushit, i frymëzuar nga bukuritë e natyrës në vendlindjen e tij, Librazhd, me të cilën vazhdon të jetë ngushtësisht i lidhur.
Një zë të veçantë dhe talentuar në artet tona figurative e ka cilësuar Dilo veprën e Arif Lushit. “Shprehje të ngrohta të natyrës dhe shpirtin shqiptar, siç shprehet edhe artistja, Tixhja jote, gjithmonë e qeshur dhe frymëzuese ashtu siç është dhe mbetet e tërë krijimtaria juaj” u shpreh ai.
Veprimtaria artistike e Arif Lushit
Arif Lushi ka lindur në qytetin e Librazhdit më 15 qershor të vitit 1959. Shkollën e cilkit të ulët (8-vjeçar) e ka kryer në qytetin e tij të lindjes. Në vitin 1978 dipllomohet në degën “Pikturë-Skenografi”, pranë Liceut Artistik “Jordan Misja”. Në vitin 1979 Arif Lushi konkuroi në Institutin e Lartë të Arteve dhe e fitoi. U profilizua si “Piktor grafist”.
Pas diplomimit Arif Lushi ka punuar fillimisht si mësues vizatimi në shkollën 8-vjeçare në Librazhd. Përgjatë viteve 1988, 1995 dhe 2005, kryeu një sërë kualifikimesh dhe trajnimesh profesionale, si në pikturë dhe pedagogji. Në vitin 1990 ishte përgjegjës i Galerisë së Arteve Figurative të Librazhdit deri në vitin 1992, kur u mbyll galeria. Në vitet 1992-1994 ka punuar si skenograf pranë Qendrës Kulturore, në vitet 1994-1997 emërohet shef i Seksionit të Kulturës të Këshillit të Rrethit, për të vijuar më pas (në vitet 1997-2006), si instruktor në Qendrën Kulturore të Fëmijëve .
Në vitet 2006-2009 emërohet pedagog dhe shef i Departamentit të Artit Figurativ pranë Shkollës Artistike “Onufri” në Elbasan. Në vitin 2009 transferohet në Tiranë dhe emërohet ‘Piktor’ pranë Qendrës Kulturore të “Qytetit Studenti” (Tiranë, 2009-2013). Në vitin 2013 emrohet “Këshilltar” dhe “Studiues” pranë Sektorit të Ekspozitave dhe Sektorit të Edukimit në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë (2013-2018). Prej vitit 2018 është në krijimtari të lirë, i angazhuar në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare.
Piktori Arif Lushi ka mbi 35 vjet përvojë në fushën e artit pamor (pikturë). Për punën e tij është vlerësuar për kontributin në fushën e kulturës dhe artit në vend dhe jashtë tij. Ai është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1984, në Ekspozitën Kombëtare të Arteve figurative, e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, mori “Çmimin e Parë” në pikturë me portretin “Punëtori”; Në vitin 2005 mori Çmimin “Të shohësh dhe të të shohin”, për interpretim të jashtëzakonshëm artistik mbi tematikën e ekspozitës (vlerësim ndërkombëtar në artin shqiptar) nga Bordi i Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë; Në vitin 2010 mori: “Çmimi Mio”, në Konkursin Ndërkombëtar nga Galeria “Guri Madhi”, Korçë. Në vitin 2020 Bashkia Librazhd e nderoi me titullin: “Mirënjohje” nga vendlindja etj. Në vitin 2024 nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Librazhdit.
"Dimri blu", peisazh i Arif Lushit në vendlindjen e tij, Librazhd
Krijimtaria e piktorit Arif Lushi i përket dy periudhave, periudhës së realizmit socialist të para viteve ’90 dhe periudhës së lirisë krijuese të pas 90-s. Ai ka treguar një maturi dhe vetëpërmbajtje të lavdërueshme në krijimtarinë e tij artistike, duke kaluar gradulisht nga periudha e ndrydhjes dhe e dogmave në kohën e lirisë krijuese.
Shumica e peisazheve të Arif Lushit kanë si motiv kryesor vendlindjen e tij. Në ciklet e peizazheve të Lushit ndjehet prirja e tij drejt një tabloje ku motivi kryesor është imazhi i fshatit dhe i peisazhit shqiptar të zonës, motiv ky mjaft i dashur për piktorin. Malet, lumi dhe lugina mahnitëse e Shkumbinit, mullarët, shtëpitë e thjeshta, janë imazhet që Lushi i pikturon dhe ripikturon sërish duke dashur të sjellë dhe risjellë gjithmonë emocione e qëndrime artistike të reja.
Piktura e Arif Lushit vlerësohet për emocione të forta estetike që ajo përcjell. Piktori Arif Lushi i është kushtuar tërërisht gjinisë së peizazhit, të cilën e eksploron me shumë sukses. Ai jo më kot është konsideruar si “Piktor i natyrës shqiptare”.
/Liberale.al/