Alush Shima është një ndër piktorët më të vlerësuar shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Për nga stili që përdor, mund të quhet piktori i natyrës dhe i luleve.
Shima me veprën e tij piktorike, që arrin në mbi 1500 tablo në vaj, ka shpalosur në vazhdimësi një talent të jashtëzakonshëm, ku evidentohet veçanërisht aftësia e tij si një kolorist i lindur, aftësia mjeshtërore e organizimit të objekteve dhe figurave, realizimi i një dekorativiteti krejtësisht origjinal e të papritur.
Alush Shima ka lindur në Tiranë më 21 tetor 1942, në gjirin e një familjeje nga Kuçi i Labërisë. Ai është piktor shqiptar dhe ka qenë drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve ndër vitet 1994 - 1998. Vlerësohet gjerësisht si ndër piktorët më të mirë bashkëkohorë.
Kreu shkollën më 1955 dhe ndoqi liceun artistik "Jordan Misja" ku i dhanë mësim Sadik Kaceli, Abdurrahim Buza dhe Nexhmedin Zajmi.
Prej 1965 nisi studimet në Institutin e Lartë të Arteve dhe më 1967 nisi punë piktor dhe kostumograf në Kinostudio. Më 1973, me arrestimin e mikut të tij Ali Oseku, policia i prishi mbi 150 vepra sepse ndjeheshin se mbartnin tendenca dekadente.
Ka qenë drejtor i Galerisë Kombëtare dhe ndër më të zëshmit antikomunistë të Partisë Demokratike gjatë viteve '90.
Më 31 dhjetor 2012, iu dha Urdhri “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.