TIRANË – Java Kulturore Izraelite u mbajt në Tiranë nga data 9 deri më 12 qershor, duke ofruar një program të larmishëm aktivitetesh që pasqyrojnë krijimtarinë dhe trashëgiminë artistike izraelite. Aktivitetet janë pjesë e “Javëve Ndërkombëtare Kulturore”, të organizuara nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.Festivali u hap me shfaqjen shumë të vlerësuar “Kur çdo gjë ishte e gjelbër” nga artistët Dikla Katz dhe Avi Zlicha në Teatrin e Kukullave. Shfaqja, që rrëfehet pa fjalë dhe përdor libra të ricikluar për të përçuar një mesazh të fuqishëm mbi fëmijërinë dhe jetën urbane, ka fituar 16 çmime ndërkombëtare dhe është shfaqur në mbi 30 shtete.
Më 11 qershor, në instalacionin “Reja”, performoi grupi legjendar izraelit Orphaned Land, i njohur për kombinimin e metalit të rëndë me mesazhe paqeje dhe dialogu kulturor. Grupi ka një bazë të gjerë fansash në Lindjen e Mesme, Evropë dhe SHBA dhe është propozuar edhe për çmimin Nobel për Paqe.Java përmbyllet sot, më 12 qershor, me shfaqjen moderne të vallëzimit “Unë mbaj, ti më përkrah” në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Kjo vepër e koreografuar nga Olivia Court Mesa dhe Yochai Ginton eksploron dinamikat gjinore përmes një dialogu fizik të thellë emocional.
Paraprakisht, ekspozita “Nga Bohemia në Përjetësi” në COD solli në Tiranë emra të mëdhenj të artit si Modigliani, Matisse, Degas, Lempicka dhe van Dongen, duke tërhequr mbi 3,000 vizitorë.Pas Izraelit, stafeta kulturore do t’i kalojë Suedisë më 13 qershor, duke vazhduar me sukses kalendarin e ngjeshur të kulturës ndërkombëtare në Shqipëri.
/S.B/Liberale.al/