Arte

Dy breza, dy piktorë, dy rrëfime/ Guri Madhi dhe Abaz Hado bashkë në një ekspozitë

Shkruar nga Liberale

Dy breza, dy piktorë, dy rrëfime/ Guri Madhi dhe Abaz Hado bashkë

Njëri më realist, tjetri më ekspresionist. Njëri më pranë tokësores, përditshmërisë, njerëzve e portreteve të tyre. Tjetri më abstrakt, më pranë peizazhit, thellësive dhe të pathënave që natyra e njeriu mban. Të dy modernë, plot ngjyra, plot jetë, mesazhe dhe kuptimësi.

Njëri jetoi e krijoi në komunizëm, ku vuajti barrën më të rëndë që mund të vuajë një shpirt krijues: atë të kornizimit, kufizimit dhe imponimit. Tjetri mori nga më të mirët e asaj kohe, zhvilloi, fuqizoi dhe spikati me talentin e vet në pikturë dhe grafikë. Të dy mjeshtra të artit shqiptarë, që pavarësisht epokave, flasin të njëjtën gjuhë universale, atë të pikturës.

Dy breza, dy piktorë, dy rrëfime/ Guri Madhi dhe Abaz Hado bashkë

Pavarësisht kohës, vendit, periudhës, rrymës, ngjyrave, arti dhe piktura emocionojnë njëlloj, komunikojnë njëlloj. Kjo është një ndër arsyet pse piktori dhe pedagogu në Universitetin Europian të Tiranës, Abaz Hado sjell herë pas here ekspozita me piktorin e madh, profesorin e tij Guri Madhi. Emocionojnë dhe mirëpriten si të ishte hera e parë.

“Together” (bashkë) ka zgjedhur Hado ta quajë ekspozitën e radhës, e cila u çel më 25 shkurt në Maritim Hotel Plaza Tirana, në kuadër të shpalljes së Tiranës si “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025”.

Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 15 mars, sjell disa prej punimeve të përzgjedhura të secilit piktor, të cilat, pavarësisht se për nga përmbajtja e kompozimi qëndrojnë në anë të kundërta, ato përplotësojnë të njëjtën tablo.
“Kemi ekspozuar herë pas here bashkë, por sigurisht jo në këtë formë të plotë që përbën një moment shumë të rëndësishme për mua. Në këtë ekspozitë kryesisht kemi zbuluar secili karakteret dhe konceptet e veta, si dy artistë të epokave të ndryshme”, tha profersor Hado.

Dy breza, dy piktorë, dy rrëfime/ Guri Madhi dhe Abaz Hado bashkë

Duke u ndalur krijimet që i ka pranëvendosur me ato të Guri Madhit, Hado tha se nuk janë krijime të drejtpërdrejta të natyrës. “Janë imazhe të cilët unë i marr, i fus në ëndërr i përpunoj dhe i pasqyroj ashtu si i ndiej.”

Dekani i Arteve të Bukura në Universitetin e Tiranës, Artan Peqini e quajti ekspozitën një takim në kohë. Referuar pikturave të Guri Madhit, të përzgjedhura në ekspozitë, tha se ato risjellin në vëmendje ngjarje të rëndësishme dhe histori të një tjetër kohe.

Dy breza, dy piktorë, dy rrëfime/ Guri Madhi dhe Abaz Hado bashkë

Nuk mund të mungonin në këtë ngjarje të veçantë për artin e për piktorin që kujtohet përmes veprës që la pas, familjarët e Guri Madhit, ish-kolegë, piktorë, personalitete të kulturës.

Pavarësisht ndarjes nga jeta në moshën 67-vjeçare, piktori korçar ka lënë një kontribut të çmuar në historinë e pikturës shqiptare dhe një galeri të pasur që shpërfaq dimensionet e një artisti, sa të njohur aq edhe të panjohur, në luftë të përhershme me veten.

Përveç disa ekspozitave me punime të përbashkëta, Abaz Hado ka botuar edhe një monografi të titulluar “Guri Madhi, jeta dhe vepra”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH