"Sizifianë" është një kompozim filozofik i piktorit të mirënjohur, Aleksandër Filipi, e realizuar në vitin 2015.
Kjo pikturë ndodhet në një koleksion privat në Shqipëri, ku artisti simbolizon një cikël të pafund të mundit dhe shpresës së njeriut.
Aleksandër Filipi ka lindur në Berat dhe ka kryer Akademinë e Arteve, dega pikturë. Ka qenë pjesëmarrës në shumë ekspozita dhe konkurse të ndryshme, ku është vlerësuar edhe me çmime. Në ekspozitën Kombëtare në gjininë monumentale për veprën mozaik “Shqipëria” ka fituar çmimin e parë.
Duke filluar nga viti 1977 me diplomimin e tij në Institutin e Lartë të Arteve nëTiranë, Filipi ka qenë gjithmonë i prirur në realizimin e tablove kompozicionale, duke realizuar tema historike, legjenda shqiptare dhe motive nga jeta e përditëshme.
Gjithmonë i figurshëm e me mjete komunikuese, Filipi në vazhdimësi mbetet një piktor i rëndësishëm bashkëkohor i tablosë kompozicionale në Shqipëri, ku vendin kryesor e zë figura njerëzore.
Veprat e artistit Filipi janë ekspozuar brenda dhe jashtë Shqipërisë, e janë gjithashtu pjesë e koleksioneve private në Shqipëri, Kosovë, Gjermani, Greqi, Itali, Francë, Venezuelë, Spanjë dhe SHBA.
Vepra me titull “Deklarimi i Aktit të Pavarësisë”, ndodhet në selinë e Kuvendit të Shqipërisë.