Aktualitet

Libri i ri në UETPRESS: 'Jetët paralele'- jo të Plutarkut, por sipas Natasha Lakos

Shkruar nga Liberale

“Njeriu si një tjetër” është libri më i fundit i poetes së njohur Natasha Lako, e cila kësaj here vjen me një përmbledhje esesh, disa prej të cilave të botuara më parë në shtypin e shkruar.

Libri, i cili mundësohet nga UET Press, është pjesë e kolanës “Scripta Manent”.

Ai vjen i plotë, me 230 faqe dhe bën bashkë esè të shkruara prej vitit 1996, të cilat lidhen me autorë dhe shkrimtarë të ndryshëm shqiptarë e të huaj, e po ashtu vihen në nivele krahasuese dhe analizuese për nga stilistika, rrethanat “në hapësirë, kohë” dhe mënyra se si lexohen nga publiku.

Lako vë bashkë emra si Walt Whitman dhe Naim Frashëri, të cilët të dy i këndojnë natyrës, Heraklitin dhe Bogdanin, për vargjet dramatike, James Joyce dhe De Rada, për botën shpirtërore, Jan Sibelius dhe Ndre Mjeda për vijën melodike apo Fatos Lubonja dhe Jan Myrdal për bindjet demaskuese të lëngatave shoqërore.

“Natasha ka qenë e preferuara ime në vitet 70’ [...] poezitë e saj janë moderne, të thella deri në filozofi. Në vargjet e saj dallon menjëherë notat femërore, teksa vepra e saj është bërë gjithmonë e më shumë filozofike,” – vlerësoi gjatë promovimit ish-gazetarja e Zërit të Amerikës, Laura Konda, teksa kujtoi punën e saj si përkthyese në anglisht e veprave të Lakos.

Esetë e shkruara nga Lako përpiqen të nxisin rileximin e veprave të shkuara të shkrimtarëve të huaj dhe shqiptarë. Nëse mund të quhet lakomani, mënyra për të bashkuar, në dukje të pamundurat, “Njeriu si një tjetër”, është shembulli i mirë për të treguar se asgjë nuk është e pamundur dhe as e largët, në kohë apo hapësirë.

“Kur poetët shkruajnë për poezinë apo njëri-tjetrin hapet një mendim ndryshe dhe kjo barazohet me kritikun, intelektualin duke formuar koncepte të drejta për letërsinë dhe kjo është për t’u vlerësuar, sidomos për një vend si Shqipëria që nuk ka debat për letërsinë,” – tha Preç Zogaj, drejtues i Institutit Liberal Pashko.

“Ka qenë një përgjegjësi më vete, sepse ka shumë emra shkrimtarësh në këtë libër [...] ka qenë si të thuash një labirint për udhëtime të mistershme dhe me takime emocionale. [...] Titulli ka qenë më i vështiri për t’u gjetur, pasi bën bashkë dhe vendos mendime të ndryshme në hapësirë dhe kohë.”

Natasha Lako konsiderohet si një ndër poetet e para të letërsisë moderne shqiptare. Së bashku me Musine Kokalarin, Diana Çulin dhe Helena Kadarenë, ajo është një nga të paktat gra, të cilat dalluan me veprimtarinë e tyre para, gjatë dhe pas periudhës së diktaturës.

UET Press është në diskutime, që në bashkëpunim me Natasha Lakon, të sjellë në mënyrë të përzgjedhur një kolanë të plejadës së shkrimtarëve shqiptarë që i kanë rezistuar kohës.

Përveç poezisë Lako ka dalluar edhe si përkthyese dhe skenariste duke kontribuuar në kinematografinë shqiptare me filma të paharrueshëm si për shembull filmi “Mësënjtorja”, i cili së fundmi është mundur të restaurohet dhe të sillet në cilësinë më të lartë përmes një projekti të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH