Letërsi

Kur rastësia tejkalon kufijtë e të zakonshmes

Shkruar nga Liberale

(Përsiatje mbi librin me poezi “Të rastësishme”, të autorit Pano Ceka, botime 2M, 2021)

Fatmir Minguli

Botimi për herë të parë, nuk është se përbën një fenomen të rrallë, por është një rast, një konfirmim, një realizim i pritur ndoshta me vite nga autori. Këtë mund ta kuptojnë ndoshta vetëm botuesit, të cilët ndeshen me kërkesat herë të justifikuara e herë të çuditshme, që shpesh dalin jashtë normave dhe rregullave të botimit të një libri.

Në këtë ndalesë nuk dua të merrem me emocionet e botimit për herë të parë, por ka një simbiozë që dallohet mes autorit edhe botuesit, ndërsa libri pret të dalë në ajrin e botës dhe të shkojë në duart e lexuesve. Ky libër e trupëzon këtë simbiozë. Botimi merr vlera akoma më të mëdha kur autori ka një moshë shumë të re, ndërsa teksti reflekton pjekuri.

Atëherë, të vijmë te konceptimi i titullit të këtij shkrimi mbi rastësinë.

Gjithçka ka lidhje me librin e Pano Cekës me titullin “Të rastësishme”, një libër që jo vetëm më ka bërë përshtypje mua si redaktor, por dhe për faktin se këto poezi janë superfluente, herë-herë të botës absurde, e herë-herë të fluturimit emocional që çon në krijimin e poezive “të rastësishme”, dhe ti ndjehesh në rrugët plot gjelbërim apo buzë detit në shëtitoren “Taulantia”,  aty ku poeti Pano Ceka shfaqet në kopertinën e këtij libri.

E tani, le të ndalemi tek libri.

Të shkruash poezi për herë të parë në moshë të re, është privilegj për njeriun, sa edhe barrë. Kur ndodh në Shqipëri, në këtë kohë gri ku nuk dallohet e kuqja nga bluja dhe nga e gjelbërta, është një “ngjarje” jo vetëm për poetët.

Pano Ceka ka tejkaluar çdo cak të pritshëm dhe ka bërë poezi dhe shkrime që dalin nga shpirti i tij djaloshar. Duke marrë parasysh dhe angazhimet e tij shoqërore, artistike dhe të tjera preokupime, them se krijimet e tij janë jo vetëm shpërthime emocionale, por dhe mesazhe për të rinjtë e kohës sonë.

Duke qenë drejtues i një shoqate rinore “Rinia në progres”, ai i “pjek” idetë e tij duke harmonizuar ekuilibrat mes jetës praktike dhe teorive më të sofistikuara të kohës sonë.

Ajo që e dallon krijimtarinë e Pano Cekës është freskia e subjektit, metafora e bazuar në metafizikë, abstraktja që triumfon mbi konkreten. Ja si shkruan në poezinë “ Humbje shpirti”:

 

Midis avullit dhe tymit,

disa fjalë më erdhën

me trenin në fund.

Stoike qëndronin e të pacënueshme,

si bust poeti që shpirtin humb.

 Nëse Pano Ceka do të shkruante poezi të mbështetura në një rrugë  ku ecin shumë kalimtarë, ku rrjedha e lëvizjes është lineare dhe tejet e njohur, ai nuk do të ishte poet dhe shkrimtar i ditëve tona.

Poezia e tij është avangarde, sepse i paraprin çdo rruge të zakonshme duke zgjedhur të mos ecë në to, dhe ia arrin qëllimit. Ai, veç shtigjeve të pazakonshme, kërkon dhe shpirtra të pazakonshëm duke na sjellë imazhe të ekzistencialistëve budistë e deri te metamorfozat e Franc Kafkës.

Ja pasazhi  i poezisë  “Abstrakt”

 

Midis kohës dhe hapësirës

Ku unikja e qënies tënde jeton,

Dhe në ato dimensione paralele

ku lirshëm shpirti yt vallëzon,

lind nevoja për ndërmjetësim

midis një tempulli dhe një shpirti.

I sinqertë në kufijtë e një fëmije, i saktë si një filozof i ri, ai e ka filluar krijimtarinë e tij me këtë vëllim si padashje, por me kërshërinë e një poeti për të parë idetë e tij në fletët e bardha të një libri modest, modest si vetë autori.

Poezitë e Pano Cekës, patjetër që do ngjallin debate mes lexuesve, por sa më shumë debate që të ketë, e shpresoj që të ketë, ato do përcjellin emocione, për shumë arsye.

Nuk është thjesht turbulenca e subjekteve dhe shpërthimet e vazhdueshme që përjashtojnë metrikat e zakonshme, ajo që e bën vëllimin “Të rastësishme” të jetë i veçantë dhe befasues.

[caption id="attachment_1204367" align="alignnone" width="1149"] Pano Ceka dhe fotografi i kopertinës Griseld Hoxha[/caption]

Edhe kur shkruan për religjionin, për perënditë, ai është tejet transparent, tejet i sinqertë dhe dhuron shpirtin. Kur shkruan për studentët, shkruan edhe për profesorët, shkruan edhe për problemet e arsimit shqiptar në disonancë ndryshimesh abstrakte. Ai është student i përhershëm dhe poeti i së sotmes, ku abstrakja navigon mbi konkreten, në një luftë të përhershme.

Poeti Pano Ceka duket se do të ketë një vazhdueshmëri në krijimtarinë e tij poetike. Dhe jo vetëm poetike. Ai është i prirur për nga trajtimi edhe i prozës poetike apo esesë së shkurtër, duke arritur që të krijojë amalgamën poetike mes vargjeve të zakonshme dhe prozës elegante me pak rreshta.

Libri i tij i parë premton për këto hamendësime të një letërsie të ardhme, një letërsi e cila do të sjellë freski në sallat e bibliotekave, në duart e të rinjve dhe të kritikëve të letërsisë, në raftet e librarive.

Vlen të theksohet se, ky libër është rezultat i një pune të vazhdueshme që poeti Pano Ceka ka bërë në vite. Eshtë fakt që poezitë “Hesht”, “Çdo të bëhet me ne” dhe disa proza poetike, janë botuar në blogje të ndryshme elektronike, sidomos në vitin 2017. I çuditshëm është shkrimi i botuar në “blogspot” me titullin “Ku është rinia sot?”, me qëmtime për botën e sotme shqiptare, për jetën e rinisë studentore sot, për rrethanat ku rritet kjo rini. E të mos harrojmë se, ky traktat është shkruar në vitin 2017. Mes të tjerave, të bën përshtypje ky fragment i shkëputur nga ky shkrim: “Një student duhet të kujtojë të drejtat dhe detyrimet e tij; faji më i pafalshëm i një studenti në Shqipëri është se ndikohet nga rethanat. Eshtë një sëmundje komplekse ego + pavendosje…”

Le t’i urojmë udhëtim të mbarë autorit me librin “ Të rastësishme”!

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH