Letërsi

Krisja Kadareane, një “ëndërr mashtruese”

Shkruar nga Liberale

(Nga studimi kritik “Leximet e pafundme të Kadaresë” i autorit Ballsor Hoxha, botim i UETPRES 2021)

Ballsor Hoxha

Ka një fjalë që përsëritet shpesh në rrëfimet e Kadaresë: krisja, të cilën vetë Kadare e sheh dhe e trillon si letërsi, ndërsa e shpjegon nëpër tërë kanonin e tij letrar.

Në hyrjen e veprës “Eskili ky humbës i madh”, Kadare e hap “mëkimin” e një dhembjeje të njerëzimit si ajo e Eskilit, që përsëritet në përhershmëri,  duke e “kadareizuar” përafërsisht kështu:

“Eskili ishte krisja e njeriut në të cilin vetuan të gjitha forcat pushtetare, ideologjike dhe fizike.” (Temë mbi të cilën filozofi Michel Foucault, krijon një filozofi të tërë).

Është gjë që përsëritet në tërë historinë e njerëzimit dhe megjithatë, ende tremb; tmerron dhe kris Publiken, vetëdijen publike dhe profecitë vetpërmbushëse të njerëzimit, kur, në atë që Jaspers e quan Encompassing (Qarkimi i Horizonitit tonë), krisin individë autentikë si Ismail Kadare.

Krijohen mosmarrëveshje, himnizime, legjenda, krime ndaj figurës/ave të tyre, dhe sidomos, politika rreth saj/tyre, si në atdheun e vet, ashtu edhe jashtë tij. Në të vërtetë, individë si Kadare krijojnë fragmentet (Blanchot) e gjuhës së njeriut, pas krisjes. Fragmente të nxënë, të nxjerrë, të shpërfaqur në tërë rënien dhe asgjësimin e gjuhës, në Publike asgjësuese, si asgjësim të së ndryshmes, autentikes, të pandryshueshmes së fatit të njeriut. Njëlloj sikurse njeriu nuk mund të jetë thjesht një individ, që sheh përpara e përballon një kolektiv të tërë. (lexo: një njerëzim të tërë!).

Kadare, në intervistat e tij, sidomos në librin “Ftesë në studio”, flet për “Plaku dhe deti” të Hemingway, flet për tërë atë që kap shkrimtari, e që në breg i mbetet vetëm një skelet i së tërës. Në “Eskili ky humbës i madh”, ai shpreh të njëjtën me atë që Blanchot e quan “pamundësi e gjuhës”, pamundësinë e bërjes të së thënshmes të pathënshme, e që Heidegger e shpreh si: “letërsia në  krijim (përgatitje) të së thënshmes, që gjithnjë përmban në vete edhe të pathënshmen”. Atë, që po i njëjti filozof, e huazon nga grekët e vjetër si “alethea”, e vërteta, si hapje e së njohurës dhe të panjohurës.

Ndoshta kjo është krisja  Kadareane - e vërteta, “alethea”, e cila shfaqet hapur duke përmbajtur në sinqeritetin më të madh, të njohurën dhe të panjohurën e saj. Ndoshta, pikërisht këta shembuj dhe përvoja e tyre, na mësojnë se nuk mund ta bëjmë të mbarëditur Publiken, se megjithatë, ka gjëra që nuk i dimë (lexo: përsëriten). Apo, thënë shkurt e shqip: në diskursin Kadarean nëntoka shpërfaqet në të “tokshmen”!

Tregimi i Kadaresë “Ëndërr mashtruese”, e shpreh këtë më së miri. Letërsia/ëndrra është një ëndërr që shfaqet në trurin e njeriut dhe pastaj tërhiqet dhe e le shkrimtarin të vetëm me përjetimin, pa gjuhën që e shpreh atë. Hap krisjen dhe e lë njeriun të vetëm përballë Publikes, e cila ka kaluar në vijë të drejtë tërë jetën, në një asgjë të përsëritshme, duke e bërë të pavërejtshëm edhe ankthin, edhe vdekjen, të cilat e përcollën Kadarenë në tërë punën e tij nën regjimin e Enver Hoxhës.

Si është ky tregim: paradigmë e njeriut Kadare, shkrimtarit Kadare, dhe/apo individit autentik Kadare? Në 85 -vjetorin e jetës, ai është i mirënjohur me të gjitha shpërblimet më të mëdha botërore;  është i mirënjohur për tërë “shpjegimin” që vuri në funksion; pastaj është quajtur Shekspir, Kafka e Orwell, etj. Për nga mirënjohja, në rajon dhe në botë është figurë e krahasueshme me Skënderbeun dhe Shën Terezën, figurë e cila, njëlloj si dy të tjerët, tërë mbretërinë, mirënjohjen e veprës së tij e ka krijuar individualisht. Në fund të fundit, është figurë e cila “krijoi një maskë” për exit, për kthim (lexo: pendim) prej fajit të pakthyeshëm, për dalje nga dhuna e krimi i pazgjidhshëm i njërit prej regjimeve më të egra dhe më të rrezikshme të njohura në njerëzim. Dhe për më tepër, në tërë veprimtarinë e tij, Kadare bëri më shumë për çështjen shqiptare, se gjithë Publikja shqiptare.

Megjithë pamohueshmërinë e tërë kësaj, ai mbetet i frikshëm, i tmerrshëm dhe i ankthshëm. Shkrimtar “me emër mysliman, i cili shkruan kundër Islamit”, “nacionalist, i cili bart rrezikun e acarimeve” dhe aq më shumë, “si i përkëdhelur nga bishat komuniste të regjimit të Enver Hoxhës”. Janë pikërisht këto paranoja apo profeci vetë-përmbushëse që, drejtpërdrejtë shprehin krisjen që shkakton Kadare në të gjitha shtresat e shfaqjes së tij, nga atdheu e deri në Botë! Është një individ që përmbys konstelacionet e Publikes globale. Në sinqeritetin dhe “alethean” e veprës së tij, njeriu kalon nëpër autentiken individuale, si në një “ëndërr mashtruese”.

Çka nënkupton kjo? “Çmimi Nobel” për të cilin (ishim) jemi të interesuar të gjithë  - si Çmim që duhet a nuk duhet t’i jepet Kadaresë, jo për tjetër, por si njohje dhe mirënjohje ndaj shqiptarëve në tërësi, gjë e tejkaluar nga vetë ai - është në të vërtetë pikërisht Publikja dhe Encompassing e horizontit global ku bëjnë pjesë të gjithë, njihen dhe arrijnë mirënjohjen. Kjo Publike është aq thellë e mishëruar në vetëdijen dhe në aktin njerëzor, saqë është bërë edhe peshore e shqiptares rreth mendimit dhe të thënshmes e të pathënshmes Kadareane; qoftë në periferitë e mendimit shqiptar, po ashtu dhe në mendimin ekstremist shqiptar, të cilët e gjykojnë, e himnizojnë dhe e anatemojnë në të njëjtën kohë, në vetë atdheun e tij.

Kjo Publike e këtij Çmimi, në të vërtetë, është vetë asgjëja (Heidegger) dhe asgjësimi i “përkujtimit” të Temporales dhe të të përballurit të saj edhe me të, sikurse edhe e njerëzimit me Diskursin e tij; dhe Diskursi i Encompassing të këtij Horizonti, është vetë politika e ndërtuar në një qorrsokak (fjalë Otomane) të shtirjes së kërkimit të vetë individit, shkrimtarit dhe njeriut autentik. Por, asnjëherë me guximin e shpërfaqjes së vetë politikave të mirëqena dhe të mbrujtura përbrenda tyre dhe përbrenda vetë saj. Politika që e asgjësojnë dhe e harrojnë autentiken, shqiptaren, siç është ajo e përballjes së vdekjes në “Prillin e Thyer” të Kadaresë. Jo si racizëm apo padrejtësi, apo qoftë edhe si “Case i Kadaresë” i dyshimtë; pikërisht, se Publikja nuk duron dhe as nuk mund të bartë brenda saj të pavarurën, “Ëndrrën” dhe shpërfaqjen e saj në Publike. Nuk arrin ta besojë këtë “ëndërr mashtruese”.

Në veprat e filozofëve Maurice Blanchot, Levinas, Roland Barthes, është farkëtuar shprehja “vdekja e autorit”, të cilën shumë lexues e marrin për të mirëqenë dhe të padyshimtë. Duke anashkaluar faktin që  tërë vepra e tyre është e bazuar në shkrimtarë dhe jo në përmbajtjen e punës së tyre, Blanchot flet për negativitetin e dyfishtë (marrë nga Hegel, sipas tij) të gjuhës. Mohimin e gjëfjalës brenda gjuhës, pra kalimin e fjalës Enver Hoxha, në fjalën Parti Mëmë, dhe mëpastaj, në negativitetin e radhës, të kalimit të fjalës Enver Hoxha në infinit të konotimeve në letërsi, e me këtë, kalimin e letërsisë në asgjësim të gjuhës, apo gjuha duke “rënë” në asgjë të dyfishtë. Kështu, shkrimtari qëndron duke humbur dheun ndër këmbë, duke u bërë pré e fatit të komunikimit (lexo: aftësisë së komunikimit) të veprës së tij, dhe aq më shumë, të pavarësimit të po të njëjtës vepër në çdo gjë të mundshme që Publikja e merr për shpjegim të vetin.

Por Kadare, në krisjen që i bën kodit të ideologjisë, pushtetit të “Natës së ndërmjetme”, “Natës së midistë” (Romani “Pasardhësi”), krijon “alethean” e shenjës Enver Hoxha, apo thënë më saktë, pushtetit apo siç ka dëshirë të thotë ai, “dehjes prej pushtetit”; e hap atë me tërë vdekjen përbrenda. Kadare lë të hapur, atë që Blanchot e quan, asgjësim i gjuhës brenda letërsisë. Kadare dhe jeta e tij, ishte përtej imagjinatës së Blanchot (e njëjta gjë vlen edhe për shumë shkrimtarë që jetuan nën regjimin e Enver Hoxhës). Jeta e Kadaresë qëndronte përbri dhe ai e kishte nën lëkurën e tij “Bishën e zezë” të Enver Hoxhës.

Kadare jetoi atë që Blanchot e përkufizon si “pamundësi e mundësisë”, e që është vdekje e përhershme e njeriut në mundësinë e jetës; kjo thënie, si kundërvënie ndaj vetë paraardhësit të tij Heidegger, që e merrte këtë si “mundësi e pamundësisë” - jetë që shkon kah vdekja. Kadare është një shenjë e përbotshme, për të cilën vetëm kritikë të mirënjohur si John Updike,  guxuan të flasin me afirmim, por dhe me kujdesin më të madh për jetën e tij. (Derisa John Updike shkruan për “Kronikë në gur”, është e pamundur të mos ndjehet dhembja e njeriut për njeriun e zënë nën “Bishën e zezë” të Enver Hoxhës. Kjo duket në kufizimet e qëllimshme të Updike për të mbrojtur jetën e Kadaresë, për tërë atë që kishte shtjelluar ai në “Kronikë në gur”).

Prandaj krisjaKadare është vepër e panjohur! Është “ëndërr mashtruese” për njerëzimin! E panjohur për afërsinë me vdekjen, për të jetuarit i vdekur, për të jetuarit me vdekjen nën lëkurë, gjë që nuk arrin as si imagjinatë e, as si reale. Ajo që është e “pathënshme” mbetet shumë larg sot, prej gjithë asaj që është vepra e Kadaresë.

Kadare vë në dyshim (lexo: kris) shumë nga teoritë dhe përkufizimet filozofike – letrare, sepse ishte përtej imagjinatës, në një realitet që kishte çarë të qenit në botë, deri në humnerat e Hadesit. Gjë që, Kadare e krijoi në gjuhën e tij në një dyzim dhe identifikim të përsëritjes së kodit të dhunës brenda kodit të ideologjisë.

Andaj Kadare, në Publiken tonë, të atdheut tonë dhe të përbotshmes - derisa asgjësojmë vdekjen, ankthin e kohësisë sonë, derisa jetojmë të pamundshmen e të mundshmes, - në çdo vepër dhe në çdo hap të tij, tërheq nën vete (me tërë mallkimin e “ëndrrës mashtruese” dhe me tërë mallkimin e të qenit fokus i forcave pushtetare politike dhe ideologjike), ankthin e të vërtetës së hapur ndaj Hadesit, ferrit dhe vdekjes. Në afërsinë tonë, na e përkujton atë me këtë krisë dhe na e hap të vërtetën, në tërë mundësinë e potencialit njerëzor brenda Kohësisë.

85- vjetori i tij dhe tërë vepra, e thëna e Kadaresë, krisja që shkaktoi dhe shkakton kontraversën më të madhe të përbotshme të Publikes globale (lexo: si arritje shqiptare), janë si një “ëndërr mashtruese”. Njeriu e përjeton, e ndien, e jetëson dhe megjithatë, ka frikë nga po e njëjta gjë, krisja Kadareane. Krisja, që të përkujton e të përball me asgjënë që po e jetojmë. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Bashkia e Tiranës mbi 3 muaj pa kryetar! A duhet të shpallë qeveria zgjedhje të reja për kryeqytetin?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH