Ka shkuar në 9 numri i viktimave nga protestat në Iran pas vdekjes së Mahsa Amini, 22-vjeçares që vdiq pasi u arrestua nga policia morale në Teheran për mosmbajtjen e duhur të mbulesës.
Protestuesit protestuan gjatë natës në 15 qytete iraniane, duke bllokuar trafikun, duke u vënë flakën kazanëve dhe automjeteve të policisë, duke hedhur gurë ndaj forcave të sigurisë dhe duke brohoritur parulla kundër qeverisë. Policia përdori gaz lotsjellës dhe bëri arrestime për të shpërndarë turmën, shkruan agjencia e lajmeve Irna.
Burra dhe gra, shumë prej të cilave kishin hequr mbulesat e tyre, u mblodhën në Teheran dhe qytete të tjera të mëdha, duke përfshirë Mashhad (veri-lindje), Tabriz (veri-perëndim), Rasht (në veri), Isfahan (në qendër) dhe Kish (në jug) . Në disa raste, gratë hoqën hixhabet e tyre dhe e dogjën atë për të protestuar ndaj ligjit të detyrueshëm të shamisë në vend, dhe videot u postuan në internet.
Presidenti amerikan Joe Biden, duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të 77-të të OKB-së, shprehu gjithashtu solidaritet me gratë iraniane. "Ne nuk do të lejojmë që Irani të ketë bombën bërthamore", tha ai. "Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të grave të guximshme iraniane'.
Në protestat e djeshme, pesë persona u vranë nga forcat e sigurisë në rajonin kurd të Iranit gjatë protestave të dhunshme. Viktimat, sipas grupit kurd të të drejtave të njeriut Hengaw, me bazë në Norvegji, thuhet se u qëlluan për vdekje në Kurdistan (rajoni i origjinës Mahsa), ku policia qëlloi mbi burra, gra dhe fëmijë që dolën në rrugë. Zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut thotë gjithashtu se "dy deri në pesë persona" kanë humbur jetën./Liberale.al