Letërsi

Viktor Canosinaj shkëlqen tek “Hija e mbretit”

Shkruar nga Liberale

Teuta Dhima

Autori Viktor Canosinaj vjen përpara lexuesit të rritur me romanin e tij “Hija e mbretit”.

Nisja e rrëfimit me një kronikë, na lë të kuptojmë që kemi të bëjmë me një temë historike. Personazhi kryesor në roman është quajtur me emrin Dan, Dielli që Shkëlqen. Koha dhe vendi në roman nuk janë përcaktuar. Nëse autori do të shpjegonte çdo detaj, do të përcaktonte vendin e saktë dhe kohën, rrëfimi do të zhvishej disi nga tisi interesant dhe do të ishte thjesht një fazë e historisë, e treguar në rrjedhë kronologjike, pa zhvendosje në boshtin kohor. Në këtë mënyrë Canosinaj lë një shteg të hapur për fantazinë e lexuesit, e cila varion në përmasa të ndryshme nga njëri tek tjetri.

Janë bëmat e personazhit, emri i mbretërisë Mankshu, perëndia Mon, mjedisi dhe koha e veshur me mjegull, referimi në histori, që na lënë të kuptojmë se autori për romanin e tij është frymëzuar nga njëri prej perandorëve të Kinës, i quajtur Qin Shi Huangdi. Ky perandor ishte i pari që bashkoi Kinën e copëtuar dhe ndërtoi Murin e Madh kinez.

Historinë e Kinës, shkruar nga Zhang Qizhi, epoka e dinastisë Qing, shihet si një  nga periudhat më të errëta dhe më të korruptuara politike të këtij vendi. Në sektorin kulturor, politika e kohës ishte ajo e shpërblimit dhe e dënimit për të nxitur sjellje të caktuara. Masa të rrepta shfrytëzoheshin për të kontrolluar mendësitë e njerëzve. Kjo politikë e dyerve të mbyllura dhe e vetëkënaqësisë, ishte tipari themelor i politikës së jashtme të dinastisë Qing, siç dukej nga kushtet bazë të politikës, ekonomisë dhe kulturës.

“Hija e mbretit” është një roman fiksional. Të vërtetat dhe faktet reale, janë vetëm një shkëndijë që ka ndezur imagjinatën e autorit; të tjerat janë fantazi, trill dhe subjekt i ndërtuar mbi disa pika zhvillimi.

Kompozicioni në roman është ndërtuar në mënyrë metodike. Mes njëzet e shtatë kapitujve të tij, janë ndërthur tetë kronika.

- Kronika e parë na komunikon ardhjen në fuqi të mbretit Dan, i cili nuk mbajti mbiemrin e të atit, Kadahar, por mbiemrin Diellor. Nuk do të kishte më histori të shkruar dhe as heronj. Bibliotekat dhe muzetë do të mbylleshin dhe bibliotekat familjare do të pastroheshin nga çdo libër ku flitej për të shkuarën. Në periudhën e sundimit të Qin Shi-së, gjithmonë duke iu referuar historisë, u dogjën shumë libra dhe u varrosën të gjallë shumë shkrimtarë që nuk pranuan të bashkëpunonin dhe të shkruanin për perandorin.

- Kronika e dytë komunikon maskarën e madhe dhe vrasjen e gjithë gjeneralëve që i kishin qëndruar besnik mbretit të vjetër.

- Kronika e tretë: Në vitin e parë të mbretërimit të Diellit që Shkëlqen, u vranë dijetarët më të shquar të kombit, rreth 50 vetë, mes tyre poetë dhe shkrimtarë me emër, autorë kanunesh dhe traktatesh filozofike.

- Kronika e katërt: Vala e shfarosjeve të papiruseve, librave dhe dorëshkrimeve do të përfshinte edhe tregimtarët gojorë dhe lahutarët e mbretërisë. Ata ndëshkoheshin me prerjen e gjuhës, gjë që solli braktisjen e vjetër të tregimtarit gojor.

- Kronika e pestë: Djegia e plotë e librave dhe shfarosja e tyre, përfundoi pas dy vjetësh sundim të Diellit që Shkëlqen.

- Kronika e gjashtë: Në ditët tona, gjatë gërmimeve u zbulua Gjykata e Librave të Vjetër dhe me sa u kuptua nga shkresat e nxjerra nga poshtë tokës, dënimet kanë qenë nga më të egrat, nga prerja e kokës, deri tek zierja e fajtorit për së gjalli.

- Kronika e shtatë: tregon për numrin e madh të të vdekurve me punë të detyruar, për ndërtimin e Murit të Madh. Jo pak herë ata muroseshin ose digjeshin të gjallë për të evituar sëmundjet. Gjithashtu, mendohet se gjatë kohës së pikut të punimeve diellore, numri i punëtorëve të tredhur arriti në 700 000.

Këto kronika shërbejnë si një skelet për të mbajtur në këmbë subjektin në mënyrë metodike. Kapitujt brenda tyre janë zgjerime të rrëfimit, përshkrim dhe shpjegim i situatave të ndryshme që ndodhin në roman. Karakteristikë  e rrëfimit në kapituj është se ai  ka disa degëzime: herë tregon autori në vetën e tretë, herë disa nga personazhet kryesorë të romanit. Po ta shohim nga ana e paraqitjes grafike, në rastet kur fillon rrëfimi në vetën e parë i secilit nga personazhet, vihet re vendosja e gërmës së parë të emrit të tij p.sh.:

G- Genari babai i mbretit Dan

U- Ujvara, mbretëresha e re

B- Barbaçe, miku i fëmijërisë, gati vëlla i mbretit.

Në roman ka fakte reale, madje të gjitha historitë e çuditshme të mbretërve shkruar në pergamena dhe paraqitur me shkrim korsiv në libër, janë të vërteta. Ato janë futur në mënyrë strategjike dhe janë veshur me rrëfim artistik për t’iu servirur lexuesit. Përmendim këtu: historinë e mbretit vigan që krijoi një popull të ri, pasi ai që e rrethonte ishte shtatshkurtër, i trashë dhe frikacak. Ai nxori një ligj që të gjitha vajzat para se të martoheshin, duhet të vinin në pallatin e tij dhe të ngjiznin fëmijë; Historia e mbretëreshës së çmendur që qëndroi në fron për njëzet vjet duke e çuar popullin e saj një shekull prapa; Historinë e mbretit Diodan, që urrente shkronjat. Dëshira e tij ishte që asnjë njeri nga mbretëria e tij të mos dinte të shkruante dhe të lexonte ndaj të gjithë librat u dogjën; historia e mbretit që ishte i etur për hapësira dhe si rezultat i kësaj, shkriu gjithë thesarin e tij për të  bërë luftra pushtuese etj., etj. Canosinaj me të vërtetë që është frymëzuar dhe ngacmuar nga perandori famëkeq i Kinës, por në çdo vend e cep të botës, dhe mbi të gjitha në çdo kohë, do të gjesh njerëz që duke pasur privilegjin që të jenë në krye, do të shfaqin kapriçot dhe dallditë e tyre si dhe etjen për pasuri dhe hapësira.

Pyetja e shtruar prej autorëve Theveau & Lecomte në ”Komentin letrar” se, ç’ndodh në ato raste aq të rëndësishme të shprehjes artistike, kur nuk është vetë autori ai që shprehet drejtpërdrejt, por është një qenie e trilluar, siç janë të gjithë personazhet e veprave artistike dhe që ndërmjetësojnë mes tij dhe neve, merr përgjigje duke iu drejtuar personazheve të romanit tonë dhe zhvillimeve që pësojnë ata në rrjedhën e situatave. Janë pikërisht këto situata që i dritësojnë, i përforcojnë dhe nxjerrin në pah tipare dhe karakteristika të tyre.

Sipas Shkurtajt, kemi dy grupe shkrimtarësh: disa që emrat e personazheve i kanë të parëndësishme dhe i vënë si t’u vijë, pa ndonjë kriter dhe, një pjesë tjetër, që përbëjnë grupin më të madh, të cilët gjakojnë të thonë shumçka edhe me vetë emrat që u vënë personazheve. Emrat e personazheve në romanin tonë  janë jo të zakonshëm apo të ndeshur rëndom në përditshmëri. Ata na vijnë si personazhe përrallash duke hedhur një tis të hollë mbi realitetin e ngjarjeve në roman. Ujvara, Krahora, Genari,  Dielli, Barbaçe, Lulebora, Vala, Lulebliri, Hënëplota etj, krijojnë një botë më vete, të shkëputur nga e zakonshmja, një botë ku fantazia dhe imagjinata e autorit ka arritur majat më të larta.

Në roman është krijuar një trekëndësh personazhesh që, po të shprehemi në gjuhën gjeometrike, është një trekëndësh dybrinjënjëshëm. Këta janë Ujvara, mbreti Dan dhe Barbaçe. Në qendër të kësaj marrëdhënieje fillimisht qëndronte Ujvara, që ishte edhe dadoja e fëmijëve, dhe ata të dy ishin skajet e trekëndëshit të barasafruar/ larguar nga Ujvara. Ujvara në vetvete është një personazh i krijuar me mjaft fantazi, që krahas hijeshisë femërore kishte edhe një tjetër virtyt: gojëtarinë. Gratë Sheherazade gjthmonë kanë qenë të preferuara, në çdo kohë. Skalitet kjo dhunti e personazhit të Ujvarës dhe shërben për ta tipizuar gjatë gjithë rrjedhës së ngjarjeve në roman. Nëpërmjet figurës së saj, del në pah edhe figura e Danit fëmijë, me mungesën e dashurisë prindërore, mosbesimit dhe pasigurive të tij. Të gjitha këto do të jenë në bazën e themeleve të Danit mbret dhe të kapriçove të tij diktatoriale. Çdo gjë e ka një fillim dhe autori na lë të mendojmë që një fëmijë që nuk është rrethuar me dashuri në fëmijërinë e tij, nuk jetëson tjetër veçse mllef.

Ujvara është krijuesja e djaloshit me emrin Dan, që nga një fëmijë jo i fuqishëm që lagte teshat, ishte kthyer tanimë në një djalosh të dashuruar pas dados së tij. Largimi i Ujvarës nga pallati nuk përbën zgjidhje për asnjë, pasi princi Dan po e kërkon gjithandej nënë-gruan Ujvarë. Po e njëjta gjë ndodh edhe me Barbaçen, po në rastin e tij, tërheqja ndaj teto-Ujvarës duket sikur përbën një trill moshor që me kohën do të kalojë. Kapërcimet gati si në përralla në rrëfim, si ajo e ardhjes së mbretit Diell në fuqi dhe martesa e tij me teto - Ujvarën do të ndryshojnë edhe marrëdhëniet e personazheve tanë, sidomos në treshen: Ujvarë- Mbreti Diell- Miku i fëmijërisë, gati vëlla Barbaçja tani një nga ushtarakët më të zotë.

Në qendër të kësaj marrëdhënieje tani qëndron Mbreti Diell me dy të besuarit e tij, Mbretëresha Ujvarë dhe Barbaçja, që i jepte siguri për çdo sulm që mund të kishte. Dielli që shkëlqen, një nga personazhet bosht të romanit, vjen plot ngjyra në sajë të vëzhgimit psikologjik që zë një vend të dukshëm. Bëmat dhe qëndrimet e tij në situata të caktuara, planet për mbretërinë e re, janë rrënqethëse.

Mbreti Diell si personazh karakterizohet nga deliri i madhështisë. Ai është, një  dhe i vetëm, siç në të vërtetë është dielli për tokën. Njeri që do të mbetet në histori për talentet e tij të shumëanëshme: muzikant, shkrimtar, ndërtues. Autori arrin në një ironi të thellë; Dielli na del edhe luftëtar i shquar dhe në krye të luftës, kur në të vërtetë në luftë shkonte Barbaçja. Arkitekt dhe ndërtues, kur murin madhështor dhe nënmalësen e realizoi arkitekti Bo Kendar. Kompozues operaretash, kur tjetërkush e realizoi atë; shkrimtar, kur librat e tij i shkruanin të tjerët. Sigurisht kjo çmenduri që pllakosi në mbretëri nga dikush duhet të  kundërshtohej dhe në realitet, sipas historisë së Kinës, në këtë periudhë të diktatorit Qin Shi Huangdi, ka pasur edhe luftë ideologjike krahas nënshtrimit të plotë.

Për ta personifikuar këtë rezistencë, në roman janë krijuar figura e shkrimtarit Lisan, arkitektit Bo Kendar dhe Barbaçes. Secili nga këto personazhe i kundërvihet mbretit Diell sipas situatave të krijuara dhe pozicionit që ata kanë në roman.  Shkrimtari Lisan që në fillim jeton disi i veçuar nga të tjerët dhe shkruante romane dashurie, pas të cilëve dalldisin pothuajse të gjitha gratë e mbretërisë, por ardhja në fuqi e mbretit Diell, e bën atë më shumë protagonist. Ai shfaq rezistencë dhe i bindet vetëm muzës së tij dhe askujt tjetër, në dallim nga shkrimtarët e tjerë të cilët plot përdëllim thurnin vargje dhe histori për mbretin Diell. Rezistenca e tij do të kishte një çmim, pavarësisht se talenti nuk e la asnjëherë në baltë dhe ai, do të arrinte të shkruante historitë e vërteta duke u bazuar në tharmet e Ujvarës.

Arkitekti Bo Kendar, fillimisht i binduri i mbretit Diell që e ndiqte atë në çdo hap të tij, kur  u ndesh me realitetin e vërtetë - gjendjen e mjeruar të ndërtuesve të murit, sëmundjet e tyre, murosjen e gjallë të betonuar në këmbët e urës dhe, kur iu desh të largohej nga familja e tij për tekat dhe fantazitë e mbretit - arriti deri aty sa të tentonte ta vriste atë, gjë të cilën nuk e realizoi.

Figura e Barbaçes është një personazh i dashur në roman, pasi ai është simbol i devotshmërisë dhe përkushtimit që mund të ketë një marrëdhënie. Njeriu që i qëndronte pranë mbretit Diell në fëmijëri, kur ai kalonte momente të vështira vetmie dhe frike, është ai që habitet dhe nuk pranon fillimisht zgjedhjen e mbretit Diell që trashëgimtari i mbretërisë të ngjizej prej tij dhe mbretëreshës Ujvarë, pasi ai nuk ishte në gjendje t’i jepte një trashëgimtar kësaj mbretërie. I detyruar, por jo pa dashuri,  ai dhe Ujvara, sjellin në jetë Hënëplotën që do të jetë edhe trashëgimtarja e fronit dhe një mbretëreshë aq e drejtë dhe e rreptë, sa njerëzit do ta besonin verbërisht.

Autori, mund t’i jepte fund jetës së mbretit në disa mënyra, si një atentat, të cilët nuk mungonin së fundmi për mbretin Diell, por, ai zgjedh njerëzit  e tij më të dashur që të jenë pranë tij në momentet e fundit dhe mbi të gjitha të jenë shkatarët e vdekjes së tij. Ato duar që e mbështollën kur kishte frikë nga errësira, e helmuan; në atë preher ku mbështeste kokën herë pas here për të gjetur paqe, dha frymën e fundit. Fundi i mbretit Diell përputhet dhe me atë të personazhit historik, perandorit Qin Shi Huangdi, i cili ndërroi jetë i helmuar me mërkur.

Gjuha e autorit në roman është e spikatur. Një gjuhë e pjekur dhe e sprovuar tanimë në një krijimtari të gjatë, që përmbush më së miri funksionin estetik të gjuhës artistike, pasi edukon shijet estetike të lexuesve me ndjenjën e së bukurës. Kam pasur fatin të lexoj të gjitha romanet për të rritur të autorit dhe përshtypja që më ka lënë është se gjuha e tij në romanin “Hija e mbretit”, qëndron në pikun më të lartë të vlerave për nga bukuria, hijeshia, saktësia, fjalori, frazeologjia. Kjo ka të bëjë edhe me faktin që vetë lloji i romanit, i jep lirinë autorit për të bredhur në qiejt dhe pyjet e fantazisë, pa u limituar nga kornizat që mund të vendosë disi, një tematikë e caktuar.  Canosinaj është autor jo vetëm gjuhëbukur, por edhe gjuhëkrijues dhe gjuhëpërtëritës. Gjuha e tij karakterizohet nga përdorimi i neologjizmave të cilat luajnë rolin e tyre në theksimin e karakteristikave individuale në stilin e autorit. Përmendim këtu disa shembuj: nënmalëse, gatimore, pritar etj. Për epokën ku ka krijuar dhe do të vazhdojë të krijojë, Canosinaj mbetet një simbol i lëvrimit të gjuhës së bukur dhe të pastër shqipe.

Autori ka realizuar një lloj veçantie stilistike në sajë të së cilës shkrimtari identifikohet, edhe nëpërmjet gjuhës së personazheve. Canosinaj është një ndër autorët që i mëshon më shumë kësaj pike, pasi personazhet e tij me të vërtetë që zhvillohen falë situatave të krijuara në roman, por jo vetëm. Ato gjithmonë janë të tipizuara nëpërmjet gjuhës së tyre të cilën autori e ka përshtatur me grupin shoqëror të cilit i përkasin, rolin apo statusin që ato kanë, për të përfunduar më pas edhe tek dallimet e gjinisë. Gjuha e personazheve femra në roman është tepër e arrirë, duke filluar nga gojëtaria e Ujvarës, gjuha e rafinuar e gruas së arkitektit Kendar, mbretëreshës Krahorë, ndjekur nga e folura më popullore e Valës, vajzës fshatare që shkrimtari Lisan do të zgjedhë për ta bërë gruan e tij dhe  Luleborës, gruas besnike që i shërben shkrimtarit Lisan. Pra personazhet e Canosinajt janë të gdhendura e të latuara me fjalë.

Romani nis dhe përfundon me një kronikë. Kronika e fundit, e teta në rradhë. Kronika e parë pasqyron të gjitha ndryshimet e ndodhura me ardhjen e mbretit Diell në fuqi dhe sulmit ideologjik përmes luftës së hapur ndaj librit. Librit, të vetmit dëshmitar që nëpërmjet shkrimit pasqyron historinë, ndryshimet e ndodhura në rrjedhat e historisë. Ky sulm, siç e përmendëm edhe më sipër, në roman pasqyrohet me nota vërtetësie që të çojnë deri në rrënqethje. Sulmi iu bë jo vetëm librit por edhe fjalës. Edhe gojëtarët dhe treguesit e historive u sulmuan dhe me frikën se mos fjala e tyre bëhej shkak i vrasjes, ata filluan të rralloheshin dhe pakësoheshin dalëngadalë. Në kronikën e fundit, cilësohet data e shkrimit të saj, 18 maj 1894 dhe vendi, Biblioteka Mbretërore. Ndërsa autori i saj, me dëshirën e tij, mbetet anonim. Ajo që të habit në këtë kronikë dhe që autori e quan si një nga çuditë më të mëdha të historisë, është fakti që si Muri i Madh, ndërtuar me aq vuajtje e mundim nga punëtorët e sëmurë, të tredhur, të paushqyer, tani habit të gjithë ata që e vizitojnë dhe mbeten të mahnitur nga madhështia e tij dhe të gjitha ndërtimeve të bëra në kohën e sundimit të mbretit Diell. Sundimin e mbretit që të gjithpushtetshëm bëri vetëm unin e tij dhe individin e ktheu në grimcë rëre.  Hija e mbretit mbeti një hije që jo vetëm i qëndroi kohës, pa vazhdon e tërheq edhe sot. Në të gjitha librat e historisë është shkruar dhe vazhdon të shkruhet për të.

Në përfundim, arsenalit të shumtë të tematikave në romanet e  Canosinajt i shtohet edhe ajo e romanit “Hija e mbretit”. Një roman ku trajtohen fakte historike të veshura në mënyrë mjeshtërore me rrëfim artistik, trill dhe fantazi nga autori dhe që mund të thuhet me bindje, që përbën pikën më kulmore të krijimtarisë së autorit. Mbreti Diell, ishte një shkëndijë frymëzimi, por në të gjithë botën dhe në çdo vend, ka pasur, ka dhe do të vazhdojë të ketë nga një Mbret Diell. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH