Aktualitet

Dhëndri në burg, Berisha nën hetim/ Zbardhet vendimi i GJKKO-së, akuzat që rëndojnë ndaj tyre

Shkruar nga Liberale
Dhëndri në burg, Berisha nën hetim/ Zbardhet vendimi i

Zbardhet vendimi i GJKKO-së për akuzat e ngritura ndaj Sali Berishës, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe sipërmarrësit Fatmir Bektashi në lidhje me aferën e privatizmit të klubit “Partizani”. Malltezi u arrestua pasditen e së shtunës në aeroportin e Rinasit ndërsa u vunë në sekuestro disa pasuri të tij.

Ndaj Berishës, GJKKO caktoi masën e detyrimit me paraqitje, si edhe ndalimin e daljes jashtë kufijve të vendit. Kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e Jamarbër Malltezit është firmosur më 16 tetor nga prokurorja Enkeleda Millonai dhe vendimi në GJKKO është dhënë nga gjyqtarja Irena Gjoka.

Kallëzimi është bërë nga Taulant Balla, asokohe kryetar i grupit parlamentar të PS-së, në lidhje me procedurat e ndjekura për privatizimin e pronës shtetërore “Klubi Sportiv Partizani” Tiranë. Konkretisht, bëhet fjalë për një pronë me rreth 10 000 m2, në qendër të Tiranës, e cila në vitin 2008 është privatizuar me një vlerë prej 100 000 dollarë. Klubi sportiv “Partizani” ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa sot mbi të janë ngritur 17 kulla.

Akuzat e ngritura ndaj tyre: 

Jamarbër Malltezi – I dyshuar për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Sali Berisha – I dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Fatmir Bektashi – I dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH