Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka ngritur akuza të rënda ndaj Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit. Ai thotë se votat e ardhura nga Diaspora janë manipuluar dhe nuk janë numëruar aty ku duhet.
Sipas Nokës, disa votues në Britani dhe në Selanik kanë vendosur pajisje GPS në zarfet me vota për të ndjekur lëvizjen e tyre. Ai pretendon se këto vota nuk kanë dalë asnjëherë nga vendi ku janë nisur, por janë numëruar në Tiranë.
“Votat nga Britania janë ende në Londër, por në Tiranë është bërë numërimi. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Selanik. Zarfet janë atje, por votat janë numëruar këtu. Në disa qarqe, si Vlora, Fieri dhe Berati, 99% e votave dolën për PS – si në kohën e Enver Hoxhës”, tha ai.
Noka shtoi se shumë deputetë të PS janë zgjedhur falë mbështetjes së krimit dhe karteleve. Sipas tij, ish-zyrtarë të Shërbimit Informativ janë përfshirë në procesin e patronazhimit për të ndihmuar Partinë Socialiste.
“Kur zgjedhjet kontrollohen nga krimi, nuk ka demokraci. Duhet të ishim të gjithë të shqetësuar”, përfundoi Noka.