Kosova

Përkujtohet 27 vjetori i fillimit të luftës në Kosovë

Shkruar nga Liberale

Përkujtohet 27 vjetori i fillimit të luftës në Kosovë

Në Kosovë të mërkurën filluan manifestimet treditëshe në përkujtim të 27 vjetorit të betejës së fshatit Prekaz të komunës së Skenderajt, që shënoi edhe fillimin e luftës gati dy vjeçare në Kosovë. Dhjetë vjet pas asaj beteje Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi.

Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe rrethuan familjen Jashari në këtë fshat. Gjatë disa ditë luftimesh humbën jetën 54 anëtarë të familjes përfshirë edhe Adem Jasharin që shqiptarët e njohin si komandant legjendar të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës morën pjesë pos tjerash edhe në një parakalim të Forcës së Sigurisë në kazermën që mban emrin Adem Jashari, ku theksuan rëndësinë e forcimit të ushtrisë.

“Kjo ushtri, me profesionalizëm dhe përkushtim, është gjithmonë e gatshme t’i dalë zot vendit. FSK-ja, si dhe Policia e Kosovës, janë garanci për sovranitetin tonë, një mburojë për paqen dhe sigurinë e qytetarëve tanë dhe një dëshmi se sakrifica e dëshmorëve të kombit nuk ka qenë e kotë” tha presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

“Ju jeni trashëgimtarët më të drejtpërdrejtë dhe më jetëgjatë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të asaj ushtrie vullnetarësh që, në vitin 1999, u bë aleate me trupat e vendeve të NATO-s në luftën për ndalimin e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Sot, FSK-ja është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Aleancën Veriatlantike” tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Manifestimet me rastin e njëzet e shtatë vjetorit të fillimit të luftës, Kosovën e gjejnë në një periudhë sfiduese për formimain e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të mbajtura gati një muaj më parë.

Partia e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, doli e para në këto zgjedhje. Pas numërimit të votave me postë dhe atyre nga përfaqësitë diplomatike, ajo ka marrë rreth 42 për qind të votave, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me afër 21 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 18 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me partnerët e saj, rreth 7 për qind.

Kryeministri Albin Kurti tha të martën se subjekti i tij po pret certifikimin e rezultateve dhe se më pas do të shihet rruga përpara. Ai theksoi se fituesi duhet dhe do ta formojë qeverinë.

Vëzhguesit e proceseve zgjedhore në Kosovë thonë se rezultati aktual ka lënë të hapura disa mundësi për formimin e qeverisë, pasi asnjëra nga partitë politike nuk duket se do të mund ta formojë qeverinë e re e vetme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që sot të përmbyllë procesin e numërimit të votave me kusht dhe atyre për personat me nevoja të veçanta dhe t’i japë fund numërimit, duke hapur kështu rrugën për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit. /VOA/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH