U përkujtua pak ditë më parë masakra më e madhe që u është bërë shqiptarëve të Kosovës. Sipas disa studiuesve kjo masakër u krye me urdhër të Titos dhe në dijeninë e vetë Enver Hoxhës, me Ramiz Alinë dëshmitar okular u vranë mbi 1500 partizanë të Kosovës të cilët u nisën vullnetarisht për t'u inkuadruar në bataljonet ku do të shërbenin për të luftuar ndjekjen e forcave Gjermane të Wermacht nga territori jugosllav.
Masakra e Tivarit është një nga plojat më të përgjakshme dhe më të pabesa, realizuar ndaj shqiptarëve në mars-prill të vitit 1945, kur gjashtë kolona me rekrutë të mobilizuar shqiptarë u nisën nga Prizreni, kaluan në Kukës, Pukë, Shkodër, Tivar, Trogir, Dubrovnik etj, gjoja për në Frontin e Perëndimit, por u masakruan dhe u mbytën përgjatë rrugës.
Masakra kulmoi në Tivar, ku u vranë 1.560 shqiptarë nga Brigada X malazeze më 31 mars 1945. Kjo masakër u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav në marrëveshje dhe bashkëpunim me shtetin komunist shqiptar. Sipas dokumenteve arkivore u mobilizuan 13.323 shqiptarë të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi dhe u vranë rreth 3.447 - 4.000 vetë, nga të cilët rreth 1.000 u asgjësuan nëpër Shqipëri.
Pjesë nga Instituti i Studimeve Historike "Lumo Skendo"