Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish këtë të martë për të vazhduar seancën konstituive të nisur më 15 prill, në përpjekje për të përmbyllur zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Theksojmë se të dielën u votua për herë të pestë kundër propozimit të LVV-së për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit, ndërkohë që kjo ishte përpjekja e shtatë për konstituim të Kuvendit.
57 deputetë nga Vetëvendosje dhe pakicat joserbe votuan pro zgjedhjes së saj. Kundër ishin 41 deputetë, ata të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës. Abstenuan 3 deputetët e Nismës, e 8 mandatarë të Listës Serbe sa ishin në sallë nuk morën pjesë në votim.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të këmbëngulë në propozimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, duke refuzuar të ndryshojë kandidatin, ndërkohë që partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë vazhdojnë të refuzojnë ta mbështesin atë.