Aktualitet

Biletat nisin nga 15 euro, ‘gjiganti i fluturimeve’ me kosto të ulët zbarkon më 31 tetor në Shqipëri

Shkruar nga Liberale
Biletat nisin nga 15 euro, ‘gjiganti i fluturimeve’ me kosto të

Gjiganti i fluturimeve Ryanair zbarkon më 31 tetor në Rinas dhe pretendon se ashtu siç ka revolucionarizuar tregun e udhëtimeve ajrore duke aplikuar çmimeve të ulëta kudo në Europë, do të aplikojë të njëjtën politikë çmimesh edhe në Shqipëri.

Michael O’Leary, CEO i Ryanair, vizitoi sot Tiranën me ekipin e tij të shitjes dhe ekipin operacional për të promovuar fillimin e fluturimeve të Ryanair për në/nga Tirana, duke filluar nga e marta (31 Tetor).

Ryanair ka nisur një fushatë promocionale 3-ditore në të 17 destinacionet e reja për/nga Tirana, me 50,000 vende udhëtimi, që janë në shitje, duke filluar nga 14.99 euro, të cilat janë në dispozicion nga nëntori 2023 deri në mars 2023 (edhe pse këto vende duhet të rezervohen deri në 28 tetor direkt në faqen e internetit të ryanair.com).

O’Leary tha se oferta e lartë për sezonin dimëror të Ryanair në Tiranë me 17 destinacione, dhe mbi 200 frekuenca javore tregon kërkesën e jashtëzakonshme që ekziston për udhëtime me çmime vërtet të ulëta për ardhjen e turistëve në Shqipëri, si dhe për qytetarët shqiptarë gjithashtu.

Si linja ajrore nr. 1 në Europè, Ryanair beson se mund të japë rritje të jashtëzakonshme dhe të qëndrueshme të trafikut dhe turizmit, jo vetëm këtë dimër, por edhe për shumë vite të ardhshme në Shqipëri.

Ryanair pretendon se nga e marta e ardhshme më 31 Tetor do t’i japë fund epokës së çmimeve të larta, për udhëtimet ajrore në vendin tonë. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me CEO e Ryanair, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, tha se “ardhja e një kompanie si Ryanair, një emër me kaq eksperiencë në industrinë europiane të aviacionit, pritet të sjellë më shumë diversifikim, mundësi dhe sigurisht në rastin konkret edhe më shumë destinacione të reja për fluturime direkte me Tiranën, siç janë Bukureshti dhe Praga”.

Gjatë fjalës së tij, Ministri theksoi faktin se turizmi në vendin tonë ka njohur rritje gjatë këtij viti dhe Shqipëria është kthyer tashmë në një destinacion të preferuar thuajse gjithëvjetor.

Sipas INSTAT, për periudhën 9-mujore vendin e kanë vizituar rreth 8.3 milionë turistë. Edhe muaji shtator u mbyll me 1.1 milionë vizitorë të huaj, ose rreth 45% më shumë se vitin e kaluar.

Numri i lartë i turistëve por edhe fakti që gjysma e popullsisë shqiptare ndodhet në emigracion bindi gjigantin europian të udhëtimeve të futet në tregun shqiptar, ku synon të kthehet shumë shpejt në lider.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH