Aktualitet

Shifrat zyrtare/ Bien ndjeshëm eksportet, humbjet 75 milionë euro në muajin gusht pas zhvlerësimit të Euros

Shkruar nga Liberale

Zhvlerësimi i Euros po shoqërohet me pasojat e para të rëndë në ekonomi. Më pak eksporte do të thotë më pak prodhim. Më pak prodhim shoqërohet me më pak punësim, e për pasojë më pak të ardhura, më pak konsum, nxitet emigracioni dhe dobësohet ekonomia.

Në Gusht 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 mld lekë, duke u ulur me -21,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -27,4 %, në krahasim me Korrik 2023. Importet e mallrave arritën vlerën 68 mld lekë, duke u ulur me -15,0 %, në krahasim me një vit më parë dhe me -4,1 %, në krahasim me Korrik 2023.

Si krahasim në Gusht 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 mld lekë, duke u rritur me 48,1 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 10,8 %, në krahasim me Korrik 2022. Importet e mallrave arritën vlerën 80 mld lekë, duke u rritur me 30,8 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 2,6 %, në krahasim me Korrik 2022. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 44 mld lekë, duke u rritur me 19,6 %, krahasuar me Gusht 2021 dhe me 5,2 %, në krahasim me Korrik 2022.

Defiçiti tregtar i këtij muaji është 40 mld lekë, duke u ulur me -9,5 %, krahasuar me Gusht 2022 dhe duke u rritur me 22,9 %, në krahasim me Korrik 2023.

Zhvlerësimi i Euros ka ndikuar në volumin tregtar, krahasuar me një vit më parë. Gjithashtu, rënia e çmimeve në tregjet botërore të produkteve, që kanë impakt në volumin tregtar, ka ndikuar në treguesit e eksport/importit për muajin Gusht 2023 krahasuar me një vit më parë.

Në këtë tetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 300 mld lekë, duke u ulur me -8,6 % krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 577 mld lekë, duke u ulur me -5,0 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 277 mld lekë, duke u ulur me -0,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.

Gjatë muajit Gusht 2023, në uljen e eksporteve prej -21,9 %, kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -14,3 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -3,8 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me - 1,3 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht ka ndikuar grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me +1,1 pikë përqindje.

Eksportet, gjatë këtij tetëmujori janë ulur me -8,6 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -7,8 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -0,7 pikë përqindje.

Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me +1,7 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,4 pikë përqindje.

Gjatë muajit Gusht 2023, në uljen e importeve prej -15,0 %, krahasuar me Gusht 2022, negativisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -12,8 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me - 1,4 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,3 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht ka ndikuar grupi: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3,7 pikë përqindje.

Si tetëmujor, importet janë ulur me 5,0 %, krahasuar me tetëmujorin e parë 2022. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -5,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,3 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me -0,6 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +4,1 pikë përqindje.

Në muajin Gusht 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Gusht 2022 janë: Italia (15,5 %), Spanja (64,4 %) dhe Gjermania (42,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë: Kosova (27,9 %) dhe Greqia (32,2 %).

Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (11,0 %), Gjermania (28,3 %) dhe Kina (23,2 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Kosova (10,0 %), Greqia (17,1 %) dhe Spanja (9,9 %).

Në muajin Gusht 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe te importeve, janë: Turqia

(40,1 %), Greqia (56,3 %) dhe Maqedonia e Veriut (19,2) %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me Gusht 2022 janë: Italia (1,4 %), Kina (14,1 %) dhe Gjermania (14,5 %).

Gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (3,8 %), Turqia (21,1 %) dhe Greqia (22,5 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe janë: Kina (31,5 %), Gjermania (9,5 %) dhe Zvicra (78,0 %).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 50,7 %, të gjithë tregtisë. Në Gusht 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 62,1 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 46,1 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (21,1 %), Kina (9,3 %), Greqia (6,7 %) dhe Gjermania (6,6 %).

Shkëmbimet tregtare, për tetëmujorin e parë 2023, me vendet e BE-së zënë 58,5 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Gusht 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 72,7 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51,5 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,4 %), Kina (7,8 %), Turqia (6,8 %) dhe Greqia (6,7 %). /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Bashkia e Tiranës mbi 3 muaj pa kryetar! A duhet të shpallë qeveria zgjedhje të reja për kryeqytetin?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH