Në një intervistë me Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli në emisionin “Java në RTSH”, kreu i PD, Lulzim Basha ka folur për propozimet e PD për kalim e krizës të shkaktuar nga koronavirusi. Basha ka thënë se testimet duhet të ishin rritur, pasi tregojnë pamjen reale të infeksionit.
Më tej, kryedemokrati hodhi akuza ndaj kryeminsitrit Rama, në lidhje me strategjinë e daljes nga kriza, teksa e quajti një despot i lindjes, sepse po tallet me shqiptarët, duke thënë gjëra të ndryshme në cdo dalje.
"Testimet janë hapi i parë. Kjo është gjëja e parë që do të bëja. Rritja masive e testime do të na tregonte pamjen reale të infeksionit. Së dyti: duke patur këtë tablo reale,merr masa inteligjente dhe të mençura të gjurmimit dhe të izolimit. Ti u thua 6 javë shqiptarëve rrini në shtëpi, mos lëvizni, po plan për t’i nxjerrë ke?! Për t’i nxjerrë pa i ekspozuar bëhet fjalë, jo për t’i lëshuar në mëshirë të fatit. Sepse në qoftë se ti nuk ke plan, sillesh siç sillet kryeministri. Del në mëngjes thua diçka, del mëngjesin tjetër thua diçka tjetër. E pamë fundjavën e kaluar: karantinë, pastaj do të dalin këta e do të dalin ata. Po pse kështu qeveriset Shqipëria e 2020-ës në mes të Europës?! Po nuk ka vend në Europë ta pranojë. Ky është një turp, një tallje e madhe me dinjitetin e çdo shqiptari që të pranojë që dikush të sillet si një nga ata filmat komik të Boratit dhe të despotëve të lindjes. Pse?! Sepse nuk ka plan, nuk ka ide dhe kalon në improvizime. Por nuk është për të qeshur se bëhet fjalë për shëndetin dhe jetën e shqiptarëve. Prandaj testimet, gjurmimi, izolimi do të ishin hapat e parë. Natyrisht do të ishte dhe pajisja e plotë e shëndetësisë me masa mbrojtëse, me kite testuese dhe me të gjithë masat për kurimin e njerëzve", tha kreu i PD.