Letërsi

Artisti është një krijesë Apolitike

Shkruar nga Liberale

Nga Loer Kume

“Unë jam apolitik. Sa më shumë udhëtoj, aq më pak i sigurt jam se cilat filozofi politike janë të rekomandueshme; sa më shumë sisteme drejtimi shtetëror shoh, aq më pak jam i sigurt t’u jap besimin tim një grupi njerëzish. Ndaj, do ishte katastrofike për mua të merrja një pikëpamje definitive politike, një këndvështrim fiks, apo t’u përkisja një grupi njerëzish të caktuar e të thoja “këta janë njerëzit e mi.”

David Bowie flet kështu për bindjet dhe pozicionimin e tij politik. Dhe nuk mund të kishte një formulim më të saktë të asaj çfarë është një artist, por jo vetëm një artist. Edhe një njeri që synon, që e ka qëllimin e jetës mbi mesataren. Bowie e la këtë jetë në 2016. I sëmurë rëndë prej vitesh, por pa i thënë askujt veç familjes së afërme. Sepse, esenca e tij ishte arti.

Pas vdekjes së tij, mësova që David Bowie kishte refuzuar dy herë titullin Ser dhe Kalorës, të akorduar nga Mbretëresha Elisabeta. “Unë jam këtu për të bërë art, e jo për tituj fisnikërie.”

Unë nisa të shkruaja që në moshën 6 vjeç, praktikisht sapo mësova ta bëja diçka të tillë. Që në atë moshë e gjithë kohës, nuk kisha asnjë dyshim, kisha një qartësi absolute se rruga ime e shkrimit ishte rruga e madhe e artë. Ndërkohë, realiteti qëndron diku në mes opinionit tonë personal për veten, dhe mendimit të të tjerëve për ne. Mua gjithmonë më kanë parë si studenti, dentisti, doktori, njeriu i suksesshëm dhe i dedikuar në profesion. Kur u botua “LUX” në 2012, ndodhi që njerëzit nisën të më shihnin me dyshim, si mjek dhe si shkrimtar, sepse nuk u qëndronin bashkë të dyja fenomenet: njeri simbol i të qenit strikt shumë me këmbë në tokë, e tjetri shembull i fluturimit, lufta e përhershme midis dioniziakes dhe apolonianes. Në fund, i dhanë një shpjegim racional, se kjo ishte një kapricio e një dentisti.

Kushdo që lexoi “LUX” ndërkohë, pati dyshime që unë isha një person i rrezikshëm për nga skiza midis dy forcave.

Kur botova “Histori e shkurtër e Rrëmujës”, pesë vjet më vonë, përfundimisht publikut iu krijua idea se diçka ishte prishur tashmë në mua dhe nuk funksionoja mirë; një shkrimtar i mirë, nuk mund të jetë një mjek i mirë dhe i përqendruar. Dhe u desh Çmimi “Kadare” në 2019, për “Amygdala Mandala”, që unë të certifikohesha përfundimisht si shkrimtar i suksesshëm dhe të pranohesha si i tillë nga publiku i gjerë. (Sigurisht, nuk i referohem atij publiku që lexon gjithmonë, të cilin e kam pasur mbështetje që në agim të ditës.)

Dhe këtu vijmë te thelbi i shkrimit. Menjëherë pas Çmimit, këdo që takoj, atëherë dhe sot e kësaj dite, presin diçka nga unë. Me shprehje të përmbajtura: “Tani t’u hapën dyert”... , apo të guximshme: “Tani hidhu, kap momentin e ngjitu”, apo disa dhe më eksplicite: “Pse nuk futesh në politikë, tani që ke ngritur emrin tënd?”.

Sigurisht, politika aktive më ka joshur gjithmonë, por ka vetëm një arsye. Gjërat në këtë vend shkojnë gjithmonë për dreq. Vendi ynë keqtrajtohet e dhunohet vazhdimisht, nga çdo forcë politike që merr drejtimin. Vendi ynë drejtohet e përfaqësohet nga njerëz kryesisht mediokër, që më e shumta kanë mësuar të flasin, dhe që dinë të artikulojnë pa ndalesë një paragraf. Njerëz injorantë, e si pasojë grykës, makutë të babëzitur të gjërave materiale, që nuk kuptojnë më sipër stomakut e më poshtë gjunjëve. Kjo shtresë njerëzish e tërë ngjyrimeve politike ka mbuluar drejtimin, e mbulohet sistematikisht nga një shtresë mediatike gjithashtu injorante, skandaloze, e për më tepër forcë e së keqes, sepse qëllimisht mbulon shqiptarët me emocione negative dhe u jep zë dhe vëmendjen kryesore krokodilëve e hienave politike, në mënyrë të pandalshme, pa denoncuar, pa mbajtur qëndrim, madje duke devijuar opinionin në drejtime të painteresa e ku humbin energjitë.

Ndaj ky vend, ( tashmë e shohim jo vetëm ne, por edhe bota Perëndimore në përgjithësi, nisur që nga vendet europiane të parat), ka nevojë për një ndryshim loje, për një frymë të re të të bërit politikë, ka nevojë për liderë dhe parti të reja.

Dhe unë personalisht, nëse nuk do kisha asgjë për të bërë, do themeloja një forcë politike kryekëput të re. Miqtë e mi duhet ta dinë se unë jam tjetër gjë. Unë jam artist, e qëllimi im në jetë është krejt tjetër.

Misioni im personal, por besoj i çdo artisti, është eksplorimi. Ne jemi dishepuj të përjetshëm të Odiseas - qofshim Borgues ulur, apo Hemingway vrapuar e rrëzuar me avion, - tërë raca e artistëve kërkojnë të shohin botë të reja. Eksplorojnë mundësi të reja. Gërmojnë në të përbrendëshmet e njeriut, nxjerrin gurët e çmuar të natyrës njerëzore, të historisë së njeriut. Shohin me këndvështrimet më të largëta, më të huaja. Ua sjellin në sy tërë njerëzimit. Dhe përmes këtij rrëmimi, përmes eksplorimit, reconquistas të asaj me njerëzores që e kemi humbur rrugës duke krijuar shtampa, përmes rikrijimit, shpikjes, endjes së mënyrave të reja, ne kërkojmë vetëm diçka. Fetishi jonë është vetëm një gjë, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm: E vërteta.

Ndaj... Si mundet një artist i vërtetë, i cili rri majë shkëmbit më të lartë, i lirë me mundësitë e panumërta të ekzistencës përpara tij, të veshë kostumin e ngathët, të ngushtë, bardhezi të politikës? Si mundet, artistë të shumtë të gënjejnë veten se po bëjne diçka për vendin duke mbështetur njerën apo tjetrën forcë të caktuar politike? Mos vallë që t’u hedhë një kockë? Si mundet një krijesë e lirë të marrë formë? Të bindet ‘unë them hidhu dhe ti thua sa lart’?

Çfarë ndodh me krijimin artistik të së vërtetës, kur ti ndërkohë ke gjetur makinerinë e interpretimit të kësaj të vërtete e cila është e ngurtë në lëvizje dhe e përpiktë në dhunë?

Sigurisht, ka raste plot, kur artistë si Marquez kanë ndarë në mënyrë drastike dhe titanike bindjet e tyre nga vepra e tyre. Ka raste ekstreme, kur njerëz gjenialë në letërsi si Vargas Llosa, kanë luajtur rol aktiv në politikë. Ka raste, kur artistë si Zizek (sepse Zizek është artist e jo filozof, si e sheh veten ai më së shumti) apo grupi i Alternative Rock, “Rage Against the Machine” deklarojnë hapur bindjet e tyre politike dhe propagandojnë furishëm ato bindje.

Por, cila është diferenca midis tyre dhe të tjerëve? E vërteta. Ata nuk janë tinëzarë, por janë tehe të mprehtë të asaj që ata besojnë se është e vërteta. Ata janë të vërtetë në atë çka përfaqësojnë. Të lajmërojnë, ta shpërfaqin bindjen e tyre dukshëm, merre ose lëre. Të frikshëm janë tinëzarët, gjarpërinjtë, personat artistikë që papritur kthehen në persona politikë të fshehtë, zvogëlohen, futen në lëkura të dyshimta e interpretojnë përmes makinerive luftarake politike, të vërteta tashmë absolute.

Sidoqoftë, nuk mund të krijohet fryma e re politike, partia e re politike, lideri i ri politik, nëse nuk shtrohet rruga e mendimit, ndjeshmërisë, perceptimit, nëse nuk hapen dyert e reja nga vetë eksploratorët e terreneve, pushtuesit e mëdhenj, artistët. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH