Aktualitet

Akuzat për Bashën/ Haradinaj: Skenarë për të na përçarë

               Publikuar në : 19:41 - 21/11/20 liberale

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i ftuar në “Kjo Javë” në News 24 komentoi edhe deklaratat e Milaim Bellanica, dëshmitari që filmoi masakrën e shqiptarëve në Krushë të Madhe dhe akuzoi kryedemokratin Lulzim Basha për fshehjen e kasetës së filmimeve gjatë kohës që punonte në UNMIK.

Ndonëse këto deklarata kanë ngjallur debat në Shqipëri dhe për këto kryeministri i vendit Edi Rama kërkon sqarim publik nga kryedemokrati Basha, Haradinaj thotë se është e papranueshme që ndoshta edhe për qëllime elektorale edhe po përçahen më shumë shqiptarët. Ai thotë se këto janë skenarë ‘përça e sundo’ që ndodhin në një kohë që Kosova ka më shumë se kurrë nevojë për ndihmën e Shqipërisë.

“Unë mendoj edhe këto janë skenarë të atyre përça e sundo. Përça e sundo është kjo, kushdo që e dëshiron t’i shohë shqiptarët të dobët, së pari do të shohë të dobët Tiranën zyrtare. Një Tiranë e dobët, i bën më të dobët shqiptarët kudo që janë. E kjo është një dobësim kaq i madh i Tiranës zyrtare, ose i nivelit të jetës atje, të debatit, nuk na ndihmon ne në këtë kohë, vetëm sa na dobëson me këto debate”, tha Haradinaj.

Ish-kryeministri tha më tej se Shqipëria nuk duhet të merret me të tilla debate, por të qëndrojë krah Kosovës për të kërkuar të drejtat e saj në arenën ndërkombëtare.

“Për të bërë konfunzion të brendshëm, kjo është si me ‘ta hudh rrugën në oborr’ si themi ne edhe nuk e kuptoj pse i ushqeni këto atje. Do një nivel kjo punë. Do një vetëdije ndryshe, nëse Kosova përballet me këto, në vend që Shqipëria zyrtarisht t’i kërkojë BE-së, ato që fola më herët, liberalizimin e vizave, njohjen nga pesëshja, statusin e kandidatit, me i kërku Amerikës rrugën drejt NATO-s për Kosovën, se atë Amerika na e jep. Ju me ‘rriheni’ mes jush, po shani njëri-tjetrin, e po kërkoni miq në Kosovë, me cilin të bëheni e me cilin të shani-tjetrin, kujt i ndihmojmë kështu e cfarë vetëdije është kjo? Kjo është gabim për besë, edhe unë nuk mendoj që është i paqëllimshëm, unë mendoj që ky është një ushqim i kuzhinave, kundër shqiptarëve”, tha Haradinaj.

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back