Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 28 mijë aplikime për 360 vende në mjekësi, pse të gjithë duan të shkojnë në Gjermani

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 28 mijë aplikime për 360 vende në

Aranit Muraçi

Nga trendi i aplikimeve masive të maturantëve për në universitete duket sikur ata po kërkojnë të presin një biletë për në Gjermani. Tregu gjerman i punës, nga nevojat më emergjente, është duke tërhequr kohët e fundit mjekë dhe infermierë nga Shqipëria. Kjo ka bërë që në universitetet tona maturantët të aplikojnë thuajse të gjithë, për të kapur një degë që ka të bëjë me mjekësinë. Preferenca masive e tyre për këtë degë lidhet ma faktin, se pas studimeve, ata besojnë se kanë një shans më të mirë për të gjetur punë në Gjermani.

Por sa është Shqipëria në gjendje, për më tepër edhe me një buxhet modest që jep për arsimin, që të përgatisë specialistë në të ardhmen, për tregun gjerman? Cili duhet të jetë reagimi i duhur sot, që nesër të mos jetë vonë?

Përmes një bashkëpunimi qeveri-universitete kërkohet një analizë e thellë e situatës. Së pari, qeveria duhet të financojë një studim serioz mbi nevojat e tregut të punës, të rrisë shpenzimet për arsim, të ndryshojë qasjen e maturantëve para se të aplikojnë, apo edhe të rregullojë mënyrën e pranimit në universitete, sikurse të gjejë mënyrat e duhura dhe efikase për të frenuar largimin e të rinjve nga vendi.

Rreth 28 mijë aplikime në Fakultetin e Mjekësisë, thotë Najada Çomo, zëvendës-dekania e Fakultetit të Mjekësisë. Sipas Najada Çomo, numri i kuotave këtë vit akademik është rritur me 100, duke shkuar nga 260 që ishin vitin e kaluar, në 360 kouta. Numri i maturantëve që kanë aplikuar është 27,984, për këtë universitet, nga rreth 31 mijë që mbaruan shkollën e mesme këtë vit. Këtij numri i shtohet edhe interesimi i studentëve të cilët nuk kanë fituar vitin e kaluar. Nga regjistrimet apo aplikimet që kanë bërë studentët në raundin e parë, sipas Çomos, pjesa më e madhe është në fushën e Mjekësisë së Përgjithshme, më pas e farmacisë dhe shëndetit publik.

Duke llogaritur edhe aplikimet e maturantëve në universitetet e rretheve, do të thotë se nga 31 mijë që mbaruan këtë vit shkollën e mesme, të gjithë kanë pasur preferencë të fitojnë një nga degët e mjekësisë, me qëllim për të shkuar në Gjermani.

Zv/Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Najada Çomo, tha se në Shqipëri është rritur nevoja për të diplomuar nga degët e mjekësisë. Por sa i sigurt është investimi për këta të rinj dhe më pas qëndrimi i tyre në tregun tonë të punës, në një kohë kur shumë spitale të rretheve janë zbrazur vitet e fundit, pasi mjekët dhe infermierët e rinj janë larguar drejt Gjermanisë, kurse të moshuarit kanë dalë në pension. Një mjeku i duhet minimalisht 10 vite që të specializohet, ndërsa mbi 75 për qind të shpenzimeve, si për çdo student duke qenë se të tillë dalin nga universitetet publike, i mbulon buxheti i shtetit.

E njëjta dramë dhe situatë paraqitet në rrethe. Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit ka pasur këtë vit 959 aplikime për 260 kuota të infermierisë për vitin akademik 2022-2023, duke u renditur dega më e kërkuar nga maturantët. Sipas rektores së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër, rreth 7 mijë maturantë kanë aplikuar për këtë vit akademik, në fazën e parë të regjistrimeve. Edhe në Shkodër kryeson infermieria, si dega më e preferuar, e më pas juridiku dhe ekonomiku. Situatë e ngjashme në Korçë, në Universitetin “Fan Noli”, ku interesin më të madh prej vitesh e ka tërhequr dega e infermierisë.

A nuk duket sikur Shqipëria po investohet në bluzat e bardha, për Gjermaninë? /Liberale.al/

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH