Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Sheqeras të Maliqit, ku dy adoleshentë janë zënë dhe njëri prej tyre është plagosur me thikë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:40.
I riu i plagosur është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia po heton ngjarjen dhe ka nisur kërkimin për mjetin e përdorur.
Gjyshja e adoleshentit që dyshohet se goditi me thikë, ka folur për mediat. Ajo thotë se djali ishte tallur shpesh në shkollë dhe se këtë herë konflikti mes tyre u përshkallëzua. Sipas saj, thika ishte e vogël dhe e përdorur në shtëpi për të qëruar fruta.
Ajo shtoi se nuk ishte në dijeni të sherrit dhe se nipi i saj erdhi në shtëpi i mërzitur dhe duke qarë. Familja e tij kishte shpresuar që situata do të zgjidhej përmes prindërve apo mësuesve, por ngjarja përfundoi në mënyrë të dhimbshme.
Policia është duke hetuar për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit.