Biznesmeni Ylli Ndroqi kërkon heqjen e sekuestros ndaj pasurive të tij si dhe për dëmin e pretenduar se i është shkarkuar kërkon 130 mln euro dëmshpërblim.
Pas seancës së sotme të zhvilluar në Gjykatën e Posaçme avokati i tij, Jordan Dani tha se ka skaduar afati për sekuestrimin e pasurisë.
“Ligji është tepër i qartë. Tentativa për të justifikuar me konfiskimin e tij dhe afati për konfiskimin ka skaduar me muaj, në gjykimin tonë gjykata nuk kas një hapësirë përveç se të pranojë. Pasuritë janë në mëshirë të fatit dhe ndaj atyre nuk tregohet asnjë interes dhe në proceset civile. Zvarritjet janë jo-juridike”, u shpreh avokati.
Një tjetër avokat nënvizoi se shtyrja e këtij procesi i kushton qytetarëve shqiptarë, 18 mijë euro në ditë. Në qershor të vitit 2021, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kërkoi Gjykatës së Posaçme që të konfiskojë 32 pasuritë e Ylli Ndroqit dhe familjarëve të tij.
Sipas SPAK, nga të ardhurat dhe shpenzimet rezulton se Ylli Ndroqi ka të pajustifikuara 3 milionë euro dhe se gjatë fazës së hetimit nuk ka mundur sërish të justifikojë dot burimin e tyre. Aktualisht 32 pasuritë e Ylli Ndroqit janë në sekuestro preventive.
Ylli Ndroqi po ndjek shembullin e Francesco Becchetit, sipërmarrësi italian i cili hapi një kanal televiziv në vendin tonë, por iu bllokua nga qeveria. Sipërmarrësi italian e hodhi në gjyq shtetin shqiptar dhe fitoi një dëmshpërblim prej 120 milionë euro.