Aktualitet

Vrasja në Kavajë jo vetëm krim pasioni, çfarë fshihej tjetër

Shkruar nga Liberale
Vrasja në Kavajë jo vetëm krim pasioni, çfarë fshihej

Qyteti i Kavajës u trondit dje nga një krim i rëndë, por detajet që dolën më pas zbuluan të vërteta akoma më therëse.

Dritan Haxholli mbeti i vrarë në banesën e parukieres 30-vjeçare Marsida Qatja. Ai u qëllua për vdekje nga poici Bledar Toçi. Bazuar edhe në dëshmitë e publikuara deri tani nga të pranishmit në ngjarje, thuhet se bëhet fjalë për një krim pasioni, por mesa duket mbart një tjetër skemë .

Burime për Dosja.al pranë Policisë së Shtetit, bëjnë me dije se personat e përfshirë në këtë vrasje, bashkë me disa emra të tjerë, të cilët për arsye hetimi nuk mund të zbulohen, kanë qenë nën përgjim për trafik dhe shpërndarje droge.

Pjesë e grupit janë dy vëllezërit, Bledar dhe Bernard Toçi, Xhuljo Biturku, Marsida Qatja dhe Ermir Çela. Deri më tani, bëjnë me dije po të njëjtat burime, nuk ka informacion nëse edhe viktima Dritan Haxholli ka qenë pjesë e këtij grupi.

Grupi ka qenë nën përgjim prej gati 4 muajsh, dhe policia kishte organizuar edhe një operacion i cili pritej të finalizohej këto ditë. Ata dyshohet se kanë patur aktivitet në klubet përgjatë bregdetit, ku mendohet se kanë shpërndarë kokainën në doza.

Ka qenë ngjarja e djeshme e cila ka shkatërruar operacionin e policisë, pasi përplasjes me armë zjarri që ndodhi në banesën e Marsida Qatjas. Kartë telefoni, lugë, dhe pluhur i bardhë, i dyshuar si kokainë, ishin disa nga sendet që u gjetën në banesë, çka sollën dyshime tek policia se grupi ka konsumuar edhe drogë pak minuta para se të ndodhte krimi. Edhe në banesën e vëllait të Bledar Toçit, u gjetën 7 doza kokainë, të cilat sipas policisë ishin gati për shpërndarje./Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH